Pas publikimeve në disa media malazeze, ku theksohet se në asnjë dokument arkivor të Malit të Zi nuk ekziston dëshmi apo fakt që Isuf Kamer Çelaj të ketë kryer krime, ka reaguar edhe stërmbesa e tij, znj. Luljeta Prelvukaj. Ajo ka kërkuar që urgjentisht të kthehet përmendorja e gjyshit të saj në vendin ku ishte më parë.
Në reagimin e saj, znj. Prelvukaj thekson se heqja e bustit ishte një provokim dhe një akt diskriminues, i cili nuk ka asnjë bazë juridike apo historike që ta justifikojë.
Postimi i saj i plotë:
“Kërkojmë kthimin e bustit të Heroit Isuf Kamer Çelaj për të stabilizuar shqetësimet në rajon. Heqja e tij ishte një provokim dhe një akt diskriminues, pasi nuk kishte asnjë dëshmi të qartë që justifikonte këtë veprim. Edhe vetë malazezët e shohin heqjen e bustit si një vendim të pabazuar dhe të gabuar.
Sipas hulumtimit të bërë nga gazeta malazeze Kodex, akuzat për krime lufte ndaj Isuf Çelajt janë hedhur poshtë, duke sqaruar se nuk ekzistojnë prova juridike që e lidhin atë me veprime të tilla.
Kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me seriozitet dhe busti të kthehet në vendin e tij, për të siguruar stabilitetin në rajon.
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Isuf Kamer Çelaj!”