Adem Breznica, gazetar i pavarur nga Prishtina
Gjenitë shqiptarë të Kohës Moderne themeluan, ngritën, ndërtuan, modernizuan apo dhe fuqizuan shtete si Mali i Zi, Serbia, Greqia, Maqedonia, Turqia dhe Italia, por kurrë nuk arritën ta bëjnë një Shqipëri e Kosovë normale.
Ku qëndron (pa)arsyeja?
(Pa)logjika e gjithë kësaj është se tek ne shqiptarët gjenitë tallen, përndiqen e syrgjynosen, ndërkaq të marrët lavdërohen, ngrihen e pushtetohen; qasje kjo krejt e kundërt tek popujt e tjerë karshi këtyre dy niveleve shoqërore, qofshin ato edhe nga soji i huaj.
Egoja që kultivohet ndër ne është: “Nuk është me rëndësi nëse unë jam mirë, por është shumë e rëndësishme që ti të jesh keq”.
Prandaj “jemi ku jemi”, ashtu sikundër që ishim:
Paraardhësit tanë iliro-dardanë themeluan perandorinë më të famshme të Kohës së Vjetër – Romën (Romuli ishte pasardhësi i brezit të 12 i Dardanit trojan);
Paraardhësit tanë iliro-dardano-arbërorë themeluan dhe ngritën perandorinë vulë të Mesjetës – Bizantin (Konstandini i Madh ishte nga Naisusi-Nishi i Dardanisë);
Paraardhësit tanë iliro-dardano-arbëroro-shqiptarë drejtuan, civilizuan dhe shpëtuan nga rrënimi perandorinë më të famshme të Kohës së Re – Perandorinë Osmane (me 36 kryeministra shqiptarë);
Këtu nuk po e përfshijmë Lekën e Madh (Aleksandrin) të antikitetit që rrënoi perandorinë më të fuqishme orientale dhe e imponoi oksidentin edhe në Lindje.
Pra, gjithë çfarë kemi bërë ishte dhe është në dobi të të tjerëve dhe në “të mirë” të kurrizit tonë.
Ndryshe ne nuk na kënaqet egoja jonë e ndezur, që kurrë nuk di të flaket e as të kotet.
Madje edhe këtë që na ka mbetur dhe e kemi, nuk po dimë ta kultivojmë, as ta mbajmë, as ta ruajmë dhe as ta mbrojmë. Sepse edhe kjo që e kemi nuk është fryt i bëmave tona, por pasojë e mëshirës apo dhe aksidentit të të tjerëve, që, kur ngjarjet kishin marrë rrjedhë të shpejtë, nuk patën kohë, ose dhe nuk u dakorduan mes vete, ku e si të na golgotojnë, të na getoizojnëapo të na shfarosin.