Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ekipi për mbrojtje dhe shpëtim i Komunës së Plavës, apel për qytetarë: Respektoni në plotni masat e Qeverisë

Plavë – Në mbledhjen e Ekipit për mbrojtje dhe shpëtim të Komunës së Plavës, të mbajtur të premten, më 17 prill 2020, në sallën për seanca, mbledhje e tubime të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, çështje trajtimi dhe diskutimi ka qenë situata epidemiologjike e krijuar në trevën e komunës me paraqitjen e rasteve të para të personave të prekur me virusin Covid-19 në Plavë. 

​Të pranishmit në mbledhje, kanë konstatuar se qytetarët e Plavës, në periudhën e kaluar kanë përfillë e respektuar në plotni masat e Qeverisë të prura me qëllim të betejës kundër koronavirusit.

​Duke analizuar situatën e krijuar në trevën e komunës, si pasojë e rasteve të regjistruara me virusin Covid-19, kanë theksuar se është e nevojshme maturia dhe përkujdesja shtesë e qytetarëve, të cilëve u kanë bërë apel dhe i kanë lutur që pa nevojë të mos dalin nga shtëpia. 

​Paraqitja e tri rasteve të reja të koronavirusit, si dhe vdekja e qytetarit me autoritet të Plavës, i cili është mjekuar nga koronavirusi në Spitalin e përgjithshëm të Beranit, kërkojnë shkallë më të lartë maturie si të institucioneve dhe personave me përgjegjësi, ashtu dhe i të gjithë qytetarëve të Plavës. 

​Ekipi komunal në fjalë, është në komunikim të rregullt me Institutin e shëndetit publik. Në ditët e ardhshme do të kryhet testimi shtesë, i cili do të jep informata edhe më precize mbi gjendjen me koronavirus në Plavë. 

​“Edhe një herë apelojmë te të gjithë qytetarët që me seriozitet të plotë ta kuptojnë situatën momentale epidemiologjike, të jenë të përgjegjshëm dhe t’u përmbahen të gjitha masave dhe rekomandimeve, të cilat i ka përcaktuar dhe miratuar Trupi nacional koordinues në luftë kundër sëmundjeve infektive”, thuhet në komunikatën e Ekipit komunal për mbrojtje dhe shpëtim në Plavë. 

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version