Diskursi demografik
Sipas të dhënave nga INSTAT-i dukuria e emigrimit nga Shqipëria ka marrë përmasa shqetësuese, nga del se 1.6 milionë shqiptarë janë emigrantë, në shumë vende të botës, duke qenë ndër vendet me shkallën më të lartë në regjion, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare
Nail Draga
Nga miratimi i pluralizmit në vendet e ish kampit socialist në Evropën Juglindore, emigrimi i popullsisë në botën e jashtme ishte çështje jetike, për të përjetuar lirinë e mohuar rreth pesë dekada. Në këtë aspekt përjashtim nuk bën as Shqipëria e cila ishte vendi me i izoluar dhe më i varfër në kuadër të këtij kampi, andaj edhe emigrimi i popullsisë nuk paraqet ndonjë befasi, sepse populli shqiptar kërkonte ate qe i është mohuar dekada me radhë. Në lidhje me këtë çështje janë publikuar të dhëna të cilat janë shqetësuese, sepse sipas INSTAT-it që kanë të bëjnë me datën 1 janar 2020 nga Shqipëria kanë emigruar 1.684.135 shqiptarë, duke qenë nder vendet me shkallë më të lartë në regjion. Ndërsa popullsi në vend , Shqipëria ka pasur 2.845.955 banorë, duke pësuar një rënie me 0.6% në krahasim me 1 janar 2019.
Raporti nga INSTAT-i
Sipas raportit të publikuar ditë më parë nga INSTAT-i, “Diaspora e Shqipërisë në shifra” del se rreth 1.6 milion shqiptarë banojnë jasht vendit, që është bazuar në të dhënat e dy regjistrimeve të popullsisë. “Duke pasur parasysh se shqiptarët vendbanues nuk regjistrohen sistematikisht kur largohen nga vendi dhe duke qenë se ka pak stimuj që ata të regjistrojnë largimin të autoritetet vendore, nuk ka matje të besueshme të n umrit të individëve që janë larguar nga Shqipëria. Sidoqoftë INSTAT përdor metoda të tërthorta për kryerjen e një vlerësimi mbi numrin e migrantëve i cili bazohet në të dhënat e dy censuseve të njëpasnjëshëm, edhe pse ka vështirësi ose kufizime”, thuhet në raport.
Në lidhje me këtë çështje si bazë është marrë popullsia me datën 1 janar 2020 e regjistrit civil, e cila përmban shtetasit shqiptar, pavarësisht vendbanimit të tyre(edhe ata që jetojnë jashtë vendit), sipas moshës dhe gjinisë. Në përgjithësi përllogaritet që diaspora shqiptare ka arritur numri prej 1.684.135 persona, ndërsa sipas gjinisë femra janë 799.416 e meshkuj 884.719.
Emigrantë më shumë në Itali e Greqi
Në raport janë përfshirë të dhënat nga OKB, që ka të bëjë me shpërndarjën territoriale të emigrantëve shqiptarë në botë në periudhën kohore 1995-2019.Nga të dhënat e tilla del qartë së emigrimi i shqiptarëve me i lartë është në Itali (39.4%), Greqi (35.3%), SHBA (8.2%), Gjermani (4.2%), Kanada (1.4%), Mbretëria e Bashkuar (0.9%), Belgjikë (0.9%) dhe vendet e tjera(9.7%). Në sajë të tyre të dhënave del se emigrantë shqiptarë ka me së shumti në Itali e Greqi, pastaj në Gjermani, ndërsa prej vendëve tjera jashtë Evropës vend të rëndësishëm zënë SHBA dhe Kanadaja.
Në lidhje me këtë çështje të dhëna ma të sakta do të kemi në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Shqipëri që duhet të mbahet gjatë këtij viti, duke ofruar të dhëna mbi procesin e emigrimit në bazë territoriale, strukturës sociale, moshës, gjinisë, arsimore dhe profesionale.
Rënie e numërit të nxënësve
Emigrimi i popullsisë ka ndikuar me pasoja të ndryshme shoqërore në Shqipëri, ku si tregues negativ është rënia e numrit të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme.Nga një dukuri e tillë numri i nxënësve në shkollat shqiptare po ulet në mënyrë të dukshme viteve të fundit, e kjo ka të bëjë veçanërisht në arsimin fillor. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikës, INSTAT, në vitin shkollor 2019/2020, në shkollat fillore procesin mësimor-edukativ e kan ndjekur 294.879 nxënës. Ky numër është më i vogël për 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak dhe 10,1 për qind krahasuar me vitin shkollor 2016/2017.
Gjendja nuk është aspakt më e mirë as në arsimin e mesëm, ku numri i nxënësve është ulur për 4,2 për qind. Gjithashtu, numri i nxënësve të cilët kanë mbaruar arsimin e mesëm është më i vogël për 3,6 për qind. Kjo rënie i takon kësaj grupmoshe, për shkak të nivelit të lartë të emigrimit të popullsisë, bëhët e ditur nga INSTAT-i.
Bëhët më dije se në këtë vit shkollor 2020/2021 në 1.754 shkolla fillore dhe të mesme në vend mësimin e ndjekin mbi 430 mijë nxënës.
Popullsia po plakët
Sipas të dhënave nga INSTAT-i popullsia e Shqipërisë nga viti 2001 ka ardhur duke u zvogëluar, ku në disa qarqe kjo tkurrje ka ndikuar në rritjen e moshës mesatare të popullsisë. Nga të dhënat e publikuara në vjetarin statistikor popullsia nën 15 vjeç po shkon drejt barazimit me popullsinë mbi 65 vjeç. Kështu, nga 1 janari 2020, në Shqipëri ishin 478.850 të rinj të moshës nën 15 vjeç dhe 420.036 të moshuar të moshës 65 vjeç ose më shumë. Qarqet me raportin më të lartë të varësisë së të rinjve janë ato të Kukësit dhe Dibrës, ndërsa qarqet me raportin më të ulët të varësisë së të rinjve janë ato të Gjirokastrës dhe të Vlorës
Nga ana tjetër, qarqet me raportin më të lartë të moshuarve, më të vjetër së 65 vjeç janë Lezha dhe Gjirokastra, ndërsa më të ulët e kanë Korça dhe Tirana. Ndërsa nga 1 janari 2020, mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri ishte 37.2 vjet.
Sipas këtij treguesi, qarku i Tiranës kishte popullsinë më të re në Shqipëri, me një moshë mesatare prej 35.5 vjet, ndërsa popullsinë me të të vjetër në vend e kishte qarku i Gjirokastrës, me moshë mesatare prej 41.8 vjet, që është rezultat i drejtpërdrejt i emigrimit të popullsisë dhe të moshënimit të saj në vend.
Përfundimisht duhet theksuar së të dhënat e publikuara nga INSTAT-i, mbesin referencë e besueshme në lidhje me emigrimin e shqiptarëve, dukuri e cila ka marrë përmasa shqetësuese me pasoja shumëdimensionale, për kohën tonë dhe në të ardhmën.
(Shkurt 2021)