Komandant Zhukë Haxhia dhe epopeja e rezistencës shqiptare në Rugovë

Zhukë Haxhia ishte një nga luftëtarët e orëve të para në të gjitha etapat e rezistencës sonë kombëtare. Ai u shqua si luftëtar i dalluar dhe ishte pasardhës i denjë i një familjeje të njohur në fshatrat e Rugovës, me traditë atdhetare që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878).

Nga: Qelë Qelaj, New York

Që në rini, Zhuka u dallua për mençuri dhe trimëri, cilësi të trashëguara nga i ati Haxhi Çela dhe axha i tij Sokol Çela, si dhe nga gjyshi i tij Çelë Shabani. Ky i fundit ishte pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa Haxhi Çela ishte një nga udhëheqësit kryesorë të Rezistencës Kombëtare në Rugovë në kohën e tij.

Zhukë Haxhia lindi në fshatin Stakaj të Rugovës në vitin 1885. I brumosur me ide kombëtare nga të parët e tij, ai u rrit me frymën e mbrojtjes së Rugovës dhe trojeve shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme që nga viti 1907. Me aktivitetin e tij politik dhe ushtarak, Zhuka u shndërrua në një nga figurat më autentike të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit.

Ai mori pjesë në luftërat e zhvilluara në Maje të Lumës kundër forcave malazeze, ku edhe u plagos, si dhe në betejat e Beranit më 1910 dhe në luftën e Moknës më 1912. Në vitet 1918–1924, Zhukë Haxhia ishte ndër luftëtarët më të dalluar të Rugovës.

Për autoritetin e madh që gëzonte, në vitin 1930 rugovasit e zgjodhën kryetar të tyre, detyrë që e ushtroi për pesë vjet rresht. Ai ndoqi rrugën e gjyshit të tij Çelë Shabanit, i cili ishte luftëtar dhe udhëheqës i njohur, pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit dhe komandant në Luftën e Nokshiqit, ku ra heroikisht në fushën e nderit bashkë me Jakup Ferrin.

Pas shpërnguljes së banorëve të Rugovës, Zhukë Haxhia qëndroi në Junik (sa ishte zonë neutrale), në Shqipëri dhe në vise të tjera shqiptare. Gjatë kalimit për në Shqipëri, atij dhe luftëtarëve të Rugovës iu përgatit një pritë në malet e Tropojës, ku pati shkëmbim zjarri mes forcave nacionaliste dhe atyre të Shqipërisë.

Vendosja e rendit sllavo-komunist në Kosovë e ngushtoi edhe më tej veprimtarinë e luftëtarëve të Shqipërisë etnike. Ata u ndoqën me egërsi të shtuar dhe, më 25 janar 1947, pasi u zbulua vendstrehimi i grupit kryengritës të Zhukë Haxhisë dhe Sali Ramës në Prevarë të Malajve, duke kuptuar se regjimi do të masakronte popullsinë e Rugovës, Zhukë Haxhia me bashkëluftëtarët e tij vendosën të dorëzohen për ta shpëtuar popullin nga hakmarrja kolektive.

Edhe pse e dinin se i priste vdekja ose burgu i rëndë, Zhukë Haxhia, Sali Rama, Bekë Rexhepi dhe shumë trima të tjerë ranë në duart e regjimit serbo-malazez.

Pas arrestimit, Zhuka u dërgua në burgun e Prishtinës. Fillimisht u dënua me vdekje, por më pas dënimi iu kthye në 20 vjet burg të rëndë. Kryetar i trupit gjykues ishte një serb i quajtur Stankoviq, ndërsa prokuror ishte renegati i njohur Ali Shukriu. Dënimin e vuajti në burgjet famëkeqe të Goli Otokut dhe Nishit.

Zhukë Haxhia u dënua së bashku me luftëtarë të njohur të rojeve tona etnike, si Ukë Sadiku, Ajet Gërguri, Ilmi Zatriqi, Gjon Sereçi dhe Shaban Binaku. Gjatë kohës sa Zhuka ishte në mal në krye të forcave kryengritëse, familja e tij u internua dhe u mbajt për një kohë të gjatë në burgun e Gjilanit. Pas dënimit, Zhukë Haxhisë iu konfiskua e gjithë pasuria, e cila iu shpërnda kolonëve serbo-malazezë dhe romeve.

Qelë Qelaj

New York