Ëndrra për lirinë dhe çlirimin e Atdheut

Kushtuar njëzetvjetorit të rënies heroike

Jeton Idriz Dedushaj (30.4.1975-5.6.1999)

Për Koha Javore: Binak Ulaj

                                          

     Para se të filloja të shkruaja  disa fragmente nga jetëshkrimi i Jeton Dedushajt, të vetmit dëshmor të Luftës së UÇK-së nga Vuthajt e Plavës e Gucisë, por jo edhe të vetmit  luftëtar, ashtu siç do të më tregojnë prindërit e tij, babai Idrizi, nëna Bjeshka dhe i vëllai, Kastrioti, më ishte kujtuar një fragment i poezisë së poetit të njohur , me prejardhje nga po kjo trevë, nga Nokshiqi historik, Qerim Ujkani:

    “  Ardhacakë të përçudshëm në tokën time

     Historinë nisen edhe njëherë nga fillimi

     Nuk bëjnë histori lufte

     Bëjnë histori krimi.’’

Këtë histori, regjimi serb e kishte filluar që në vitin 1877/ 1878 dhe rifilluar, si sa e sa herë më parë, edhe në fund të viteve të tetëdhjeta dhe në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur Kuvendi i Serbisë do ta suprimojë atë gjysmë autonomie çfarë e kishte Kosova, ndonëse ky institucion serb nuhk ia kishte dhënë atë, kur do t’ ua marrë të drejtën shqiptarëve  t’ i drejtojnë institucionet politike, kulturore dhe të qeverisin me resurset e veta ekonomike, me ç rast do t’ i largojnë të gjithë të punësuarit shqiptarë nga puna, me përjashtim të ndonjë kombthyeri, veprim ky që rrezikonte ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre, kur i kishte  përzënë nxënësit dhe studentët shqiptarë nga shkollat dhe fakultetet, për arsye se s’ kishin pranuar të mësonin se ‘’shqiptarët kanë zbritur nga mali, se janë ardhacakë në Kosovë’’- tezë serbe e gati dy shekujve më parë, por e përsëritur edhe sot e kësaj dite nga krerë shtetërorë, shkrimtarë e klerikë serbë, ndaj kishte helmuar mijëra nxënës shqiptarë, duke synuar kështu, jo vetëm zhbërjen e identitetit  kombëtar të shkollës shqipe dhe serbizimin e saj, por edhe t’ i detyrojë të rinjtë shqiptarë të heqin dorë nga shkollimi dhe të braktisin vendin. Edhe atëherë kur shqiptarët e kishin organizuar mësimin e pavarur shqip duke i shndërruar shtëpitë në shkolla, policia serbe, sipas instruksioneve të marra nga Beogradi, do t’ i përndjekë, ndalojë e  maltretojë nxënësit dhe studentët shqiptarë, kudo që arrinte.

Këto krime, që ishin bërë të përditshme dhe gjithnjë e  më të rënda, të riut vthjanë, Jeton Dedushajt, do t’ ia shtojnë urrejtjen ndaj robërisë dhe do t’ ia rrënjosin në mendje  mësimin e përsëritur aq herë në histori se  liria nuk dhurohet, por fitohet, e kishin bërë të kuptojë se çlirimi I Kosovës nuk arrihej me fjalë, se rruga paqësore që propagandohej nga qarqe të caktuara shqiptare, ishte rrugë e nënshtrimit të plotë, e përfundimit të turpshëm. Ndaj, ëndërr e tij e madhe do të bëhet liria dhe çlirimi i atdheut.

”Jetonin ma ka falë Zoti natën e Ni majit 1975. Gzimin  për lindjen e tij s’ di  ta thom me fjalë, por jam gzue edhe për atë se ditëlindja e tij përputhej me  këtë festë që e festojnë krejt populli. Para tij i kam pasë tri vajza, dy prej të clave më paten dekë pas lindjes. Për këtë, djalit ia qitem emnin Jeton. Me jetue, m’ u rritë…Tanë katuni asht gzue për lindjen e tij. Si thmi ishte i shnoshë dhe shumë i gjallë, tanë e dojshin dhe knaqeshin me lazdrimet e tij”- fillon të tregojë nënë Bjeshka.

Atbotë, askujt s’ i kishte vajtur mendja  se rruga  që do të  zgjedhë Jetoni kur do të rritej, sakrifica sublime e tij, do ta përjetësojnë emnin dhe kujtimin e ndritshëm për të.

Kjo rrugë jetësore e tij, nuk ishte e rastit. Jeoni ishte  lindur në një trevë që ka një histori të ndritshme të rezistencës së paepur shekullore për mbijetesë dhe të luftrave për liri dhe ishte rritur me rrëfimet për trimërinë e burrave dhe burrëreshave të kësaj ane e, veçmas, për trimërinë e Bajram Musës Dedushaj, cili kishte marrë pjesë në betejën e  Nokshiqit(1879 -1880), njërës ndër betejat më të ndritshme për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, me rrëfimet për krimet e ushtrisë e xhandarmërisë serbe e malaziase, për ekzekutimin, në mes të fshatit Vuthaj, të Çung Tahirit e Isuf Zymerit Dedushaj, në qershor të vitit 1951, të cilët më parë kishin pranuar të vdesin si burrat se sa t’ i tradhtonin  miqtë e shtëpisë, me rrëfimet e trimit rugovas,dajës së vet, Haxhi Cukës, për torturimin e të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe, që i kishte përjetuar edhe vetë Haxhiu. Të gjitha këto rrëfime do të bëhen shkollë e madhe për Jetonin. Ndaj që i ri, kur ndodhte  t’ ia shihte revolen dikujt që s’ e njihte, dyshonte mos është spiun dhe thoshte se do ta vriste kur të rritej- tregon babai Idrizi. I rritur në frymë të tillë, dhuna që kishte përjetura edhe vetë drejtëpërsëdrejti, do t’ i japë fund pritjes së metejmë të tij për t’ iu bashkuar luftëtarëve të lirisë.

 ‘’ Një ditë, fillon të tregojë Idrizi, derisa kthehej nga shkolla së bashku me një shok të vetin, të dy nxënës të Gjimnazit’’ Bedri Pejani’’ të Pejës, i ndalë patrulla e policisë. Pasi kishin pa se me vete  kanë libra dhe fletore, i kishin kontrollue tue i provokue dhe pyetë  ku i vijojojnë mësimet, si i kanë emnat  mësimdhënësit e tyne…Përgjigjja e tyne se nuk po kuptonin çka po i dvetshin, se nuk dinë serbisht, i kishte çartë keq policët, të cilët kishin fillue t’ i rrahin me shpulla, grushta. Tue pa se prapë nuk flitshin dhe s’ jepeshin, ua kishin çkye librat dhe copat e fletëve  ua kishin futë në gojë tue i urdhnue t’i përpijnë. Goditjet me shpulla e grushte  Jetoni dhe shoku i tij i kishin përballue disi, po futjen e fletëve të librit në gojë e kishin përjetue si fyemje dhe poshtnim të randë edhe të shkollës , edhe të mësimdhënësve…’’

‘’- E si mund të gëlltitesshin librat?’’- do ta përsëriste shpesh Jetoni. Me siguri se ky rast  ia kishte përkujtuar emrat e martirëve të shkollës e librit shqip, Petro Nini Luarasin, Papa Kristo Negovanin, Shtefen Gjeçovin…

Që nga ajo ditë , Jetoni kishte ndryshuar. Çdoherë kur i vinin shokët në shtëpi, flisnin për sjelljen e policisë serbe, për dhunën që shtronte ndaj popullsisë, flisnin se gjendja e tllë nuk mund të durohej, se i gjithë populli do të duhej  t’ i bashkohej UÇK-së, se edhe ata po e prisnin rastin të shkojnë në luftë, t’ u bashkoheshin djemve dhe vashave shqiptare që, si pararojë e zgjuar e Atdheut, me kohë ishin  përgatitur dhe kishin formuar UÇK-në, me të vetmin qëllim- sendërtimin e idealit të shumë brezave të atdhetarëve, çlirimin dhe bashkimin e atdheut.

Dhe, pa kaluar shumë kohë nga Epopeja e Prekazit, e 5,6 dhe 7 marsit 1998,  e cila e lartësoi historinë tone të rezistencës e luftës për liri, mijëra djemve e vashave që do t’ u bashkohen radhëve të UÇK-së, do t’ u bashkohet edhe Jetoni. Më 5 maj 1989 e kishte veshur uniformën e UÇK-së, i kishte ngjeshur armët e lirisë, duke e ndier veten për herë të parë burrë e të lirë.

Stërvjet ushtarake i kshte bërë në Gllogjanin historik, në vatrën e qëndrestare të historisë sonë më të re, ndërsa si luftëtar i denjë I UÇK-së do të kalitet në zjarrin e luftës në Logjë, Gllogjan, Maznik, Pozhar, Lumbardh e Shqiponjë. Nga beteja në betejë, ai do të dallohet si ushtar trim i Brigadës 131 ‘’Jusuf Gërvalla’’, të cilën e udhëhiqte komandanti, Ramush Haradinaj. Shpirt luftaraku  çfarë ishte, Jetoni nuk mund të përmbahej pa u pozicionuar në vijat e para të frontit prej nga do ta merrte në shenjë më qartë armikun. Kështu ishte pozicionuar dhe kishte luftuar edhe me 5 qershor 1999, në fshatin Shqiponjë, ish- Dashinoc të Deçanit, por një predhë kobzezë, e hedhur nga pozicionte e armiku, do t’ ia lë ëndrrën përgjysmë. Vetëm pak ditë para se të mbaronte lufta, kishte rënë heroikishst në fushëbetejë. Të njëjtën ditë, bashkëluftëtarët e tij do ta varrosin me nderime të rastit, në fshatinMaznik.

‘’Edhe përpara  folke me shokë për luftën. E lavdonte shumë komandantin, Ramushin, dhe thojke se s’ ka asi trimi, se do të bahet ushtar i tij’- vazhdon të tregojë babai Idrizi.

‘’ Përpiqesha t’ ia   nrrojë mendjen tue i thanë se ishte i ri, se s’ kishte përvojë, por kur e pashë se s’ e kishte ndërmend me m’ nigue, i thash se nëse nga çdo familje shkon nga ni anëtar, na do të shkojmë dy.’’ E, Jetoni i ishte përgjigjur prerazi se babai duhej të mbetej të kujdesej për familjen, se vëllai ishte i vogël e motra ende e re, se s’ duhej ta linte familjne të binte në dorë të shkieve, se ja çka po bëjnë…Babait, Idrizit, s’ i kishte mbetur tjetër përveçse të pajtohej duke i thënë :” Si ta ketë shkrue Zoti.”

 Një ditë, duke buzqeshur, i kishte thënë nënës t’ ia përgatiste rrobat se ‘’Djali po të shkon në luftë.’’ Zemra e nënës s’ kishte duruar, kishte shpërthyer në  lot. Kur i kishte thënë se do ta martonin me vajzën, e cila e donte aq shumë, Jetoni i ishte përgjigjur se do të martohej vetëm pasi të çlirohej Kosova.

Ashtu, duke treguar si për diç që kishte ndodhur pak çaste më parë, sytë i mbushen lot, por Kastrioti, tani djali i vetëm i saj, kur ia përkujton amanitin e Jtonit, duke i përbirë lotët, vazhdon të tregojë:

‘’ Gjatë gjithë kohës nuk më hiqej prej menje. Ishte fort i mirë e thojsha: A thua ma pshton Zoti, se njerëzit e mirë vrten në luftë. Tutesha se diçka më thojke përmrena se Jetoni…Por, meniherë merresha me ndoni punë dhe munohesha t’i çoj   metë gjeti’’.

Të nesërmen kur ishte nisur Jetoni, ishte nisur edhe ajo pas tij. Pas disa hapash, Jetoni e kishte ndalur duke i thënë të kthejej menjëherë, përndryshe do t’ i jepte fund jetës aty për tay. ‘’-Ja ku po më presin shokët e mos më korit’’- i kishte thënë prerazi.

‘’Kur ma ktheu shpinën, s’ di sa kohë kam metë  si e pa krye, tue kqyrë mos po e shoh edhe ni here, po s’ e pashë ma kurrë. As në rivarrim s’ kam guxue me shkue…’’

‘’ Para se të shkonte në luftë, ndërhyn Kastrioti, Jetoni me shokë kishin menduar ta nisnin luftën aty, në lagjen e tyre, t’ ua zinin pritën policëve serbë që patrullonin, por u kishte ardhur urdhëri të mos vepronin ashtu për shkak se lagjja kishte shumë banorë e policia do të hakmerrej keq’’.

 Kastrioti tregon se në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë edhe dy vëllezër të nuses se tij, Mahiri, tani dëshmor, dhe Visari, luftëtari më i ri në luftën e Logjës.

Lajmin e hidhur për rënien e Jetonit e kishin marrë në Shkodër, tregon babai Idrizi., duke shtuar se kurrë në jetë nuk e kishte ndier vetën më ngusht, por gruaja i kishte dhënë zemër, e kishte forcuar.

‘’ Duhej të qëndrojshim e të mos koriteshim se aty kishte shumë të përzanë nga Kosova, disa prej të cilëve i kishin humbë të afërmit e shumë prej tyne nuk dishin  gja për fatin e familjarëve. Përveç kësaj ishim të vendosun në ni dhomë të përshtatun të Kombinatit të duhanit bashkë edhe me ni familje tjetër. Ato ditë jam kenë as në tokë, as në qiell. Prej mërzie s’ dishim çka me ba, po njeri s’ po diqte prej mërzie.’’

Fjalët e mia duket se ua zbusin sadopak dhembjen, ndonëse isha i bindur se plagët e dhembjes ua shëron vetëm dheu.

Tani trupi i Jetonit pushon në Varrëzat e Dëshmorëve në Gllogjan. Aty është rivarrosur me pëlqimin  e prindërve , më 24 gusht 1999.

‘’ Vendosem të rivorroset aty ku i ka shokët, tregon babai Idrizi. E kam nie vetën të lumtun kur kam pa se nuk iu kishte prishë fare trupi. Thojshe se dje ka hi në dhe, shton ai.

Duke dëgjuar rrëfimet për jetën dhe veprën e heroit më të ri nga Vuthajt, sytë më shkojnë te dekoratat, medaljet dhe mirënjohjet e shumta që stolisin dhomën ku gjendeshim, si Urdhëri Luftëtar I Lirisë ’’ Adem Jashari’’- për trimëri në luftë, Dekorata ‘’Shkëlzen Hrardinaj’’…

Tani portreti i heroit Jeton Dedushaj e zbukuron edhe Shtëpinë e kulturës në Vuthaj, ku është krahas portreteve të personaliteteve historike, të pushkës e të pendës, të Ali pashë Gucisë, Jakup Ferit, Josip Relës, Esad Mekulit ,Rexhep Qosjes e  emërndriturve tjerë të Plavës e Gucisë, vënë me rastin e shënimit të njëzetvjetorit të pavdekësisë.

Ky shkrim është botuar në të përditshmën ‘’Epoka e re’’  dhe në ‘’Koha javore’’, e cila e ka botuar në dy vazhdime duke veçuar nga teksti, me skronja të dalluara si hyrje, në nëntitull:

Kjo rrugë jetësore e tij, nuk ishte e rastit. Jetoni ishte lindur në një trevë që ka një histori të ndritshme të rezistencës së paepur shekullore për mbijetesë dhe të luftrave për liri dhe ishte rritur me rrëfimet për trimërinë e burrave dhe të burrëreshave të kësaj ane… Të gjitha këto rrëfime do të bëhen shkollë e jetës për Jetonin

Në vazhdimin e dytë:

Shpirt luftaraku që ishte, Jetoni nuk mund të përmbahej e të mos pozicionohej në vija të para të frontit prej nga do ta merrte në shenjë më qartë armikun. Kështu ishte pozicionuar dhe kishte luftuar edhe më 5 qershor 1999, në fshatin Shqiponjë, ish- Dashinoc të Deçanit, por një predhë kobzezë e hedhur nga pozicionet e armikut, do t’ ia lë ëndrrën përgjysmë. Vetëm pak ditë para se të përfundonte lufta, kishte rënë heroikisht për të mos vdekur kurrë. Të njëjtën ditë, bashkëluftëtarët e tij do ta varrosin me nderime të rastit, në fshatin Maznik. Tani trupi i Jetonit prehet në paqe në Varrezat e dëshmorëve në Gllogjan. Aty është rivarrosur me pëlqimin  e prindërve, më 24 gusht 1999.