ESAD MEKULI, JETA E RE DHE NE

Dr.sc. Agron Y. GASHI
  1. Jeta

Esad Mekuli u lind më 17 dhjetor të vitit 1916 në Plavë. Gjimnazin e kreu në Pejë, Mjekësinë veterinare në Beograd, ku u diplomua në fillim të vitit 1947. Specializoi parazitologjinë në Zagreb më 1947 dhe më 1948 u doktorua në Fakultetin e Veterinarisë të Beogradit.

Pas çlirimit emërohet kryeredaktor i parë i fletores në gjuhën shqipe, e njohur ndër ne Rilindja (më vonë gazetë e përditshme). Në vitin 1949 themeloi revistën Jeta e re dhe ishte kryeredaktor i saj për gati një çerek shekulli. Botoi pesë përmbledhje poezish në gjuhën shqipe, gjashtë në gjuhën serbokroate dhe nga një në gjuhën maqedone dhe turke, si dhe më se tetëdhjetë libra përkthimesh.
Ka qenë kryetar i parë i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i ASHAK.
 Esad Mekuli konsiderohet si themeluesi i letërsisë në Kosovë. Vdiq në Prishtinë më 6 gusht 1993.

2.  Projekti kulturor

Pas Luftës së Dytë e deri më tani, revista letrare Jeta e re është projekti më i madh kulturor, projekt i cili mbajti gjallë frymën letrare dhe kulturore në Kosovë dhe jashtë saj. Marrë në kontekstin socio-politik, ajo ishte zëdhënësja më e mirë edhe e frymës nacionale. Kjo falë Esad Mekulit, i cili kishte vizion, jo vetëm kulturor, por edhe politik: të bënte një tryezë të madhe kulturore, ku kishte vend për të gjithë që krijonin dhe interpretonin në gjuhën shqipe.

Thuhet se pagëzues i revistës ishte vetë Esadi, edhe pse në numrin e parë, si drejtues, figuron emri i Zekeria Rexhës. Emërtimin, të cilin e ruan edhe sot, është shenjë e Rilindjes evropiane. Kujtojmë këtu veprën e Dantes po me të njëjtin emër, edhe pse që në numrin e parë revista Jeta e re shenjohet si organ i Lidhjes së Shoqnive Kulturore Arsimore për Kosovë… Pra, kështu shkruhej në korrik të vitit 1949.  Parathënia e këtij numri kishte statusin e programit i shkruar në frymën konvokuese, përmes së cilës u drejtohej të gjithë atyre që merreshin me letërsi dhe kulturë. Nga analiza e fjalësit dhe e diskursit, si edhe në shkrime të tjera, duket të jetë shkruar nga dora e Esad Mekulit, në të cilën theksohet statusi i saj, si:

  1. Revistë kulturore e arsimore me tipare të thjeshta letrare, për siç thotë vetë, revistë ma së e nevojshëme që u përgjigjet kërkesave të letrësisë dhe artit në përgjithësi.
  2. Revistë për kah trajta kombëtare dhe për kah përmbajtja socialiste. E para e jashtëzakonshme për kohën, e dyta e natyrshme për kontekstin historik, jo vetëm të shqiptarëve në  Kosovë.
  3. Revistë kulturore arsimore që ka për qëllim të ngrisë kulturën sociale dhe politike të shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës.

Por, menjëherë vihet theksi që kjo punë përvujtnie, veprimtarinë e vet duhet ta shtrijë në çështje letrare e artistike, madje duke i dhënë shkas zhvillimit të gjuhës, pa lënë anash edhe kulturën tradicionale  autentike, të cilën Esad Mekuli e cilësonte si një punë të dorës së parë.

Kështu, revista  Jeta e re u shndërrua në udhërrëfyese për penat e reja, për të cilat më mirë se kush, Esad Mekuli dinte t’i motivonte, t’i gjente në fshat e qytet, në shkolla e mejtepe dhe t’i prezantonte para lexuesit shqiptar.

3. Trinia

Esad Mekuli shkruante me tre emra: Esad Mekuli, Esad Hoxha dhe Sat Nokshiqi. Kjo kishte një kuptim: origjinën, kulturën dhe literaturën.  Por kurrë pa e lëkundur Esad Mekulin krijues, Esad Mekulin poet, Esad Mekulin mësues dhe prijës të letërsisë shqipe të pasluftës. Në tema, kur luante rolin e mësuesit, e “mësuesit letrar”, si estet, vinte emrin e parë. Në shkrimet letrare poetike vinte emrin e dytë dhe të tretë, Hoxha dhe Nokshiqi. Kjo vërehet që në numrin e parë, konkretisht në dy shkrimet eseistike: Dy poetë dhe luftëtarë të mëdhej, i nënshkruar Sat Nokshiqi dhe në përsiatjen eseistike Mbi lëtrësinë dhe punën letrare, e nënshkruar Esad Mekuli.

Te shkrimi i parë, duke qenë shkrim evokues dhe përkujtues për dy ideologë të nacionalitetit tjetër, vë mbiemrin Nokshiqi. Te  shkrimi i dytë, ku i trumbeton frymës nacionale në letërsi dhe shpalon konceptet e tij teorike për letërsinë shqipe, vë mbiemrin Mekuli, një lojë kjo më shumë e ideve se sa e emrave letrarë.

Gjithashtu, nëse e marrim faqen tjetër të kësaj shenje a ikone, kjo trini ishte edhe për çështje motivimi për të tjerët; nuk donte që çdo gjë të identifikohej me ‘vulën’ e tij krijuese. Shembull ky më parë i ndjekur  nga rilindësit e deri te autorët e modernitetit shqiptar, siç ndodhte me revistën Dielli të Nolit, Albania e Konicës etj.

4. Numri i parë i Jetës

Numri i saj i parë kishte 88 faqe. Ballina kishte ngjyrë dheu, dhe kjo jo e rastit. Grafemat e bardha, në mes qiriu dhe libri si simbol iluminar,  me gjithsej dhjetë shkrime eseistike, interpretuese, pasqyruese dhe informative, njëzet poezi autorësh të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, dhe një fragment proze. Si revista e parë letrare e shqiptarëve të Kosovës, e cila doli menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, për një kohë do të botojë edhe tekste jashtë fushës letrare, si letërsi popullore, tekste të muzikologjisë dhe të gjuhësisë. Më vonë i kushtohej rëndësi edhe arteve pamore. Në pjesën më të madhe vërehet dora e Mekulit, i cili shfaqej me status të katërfishtë: redaktor, eseist,  poet,  përkthyes.

Si redaktor a kryeredaktor, tashmë kishte politika të qarta në renditjen dhe përzgjedhjen e teksteve.

Si eseist, kishte marrë rolin e mësuesit, që të shpjegojë natyrën e letërsisë dhe rëndësinë e punës krijuese.

Si poet, zgjodhi poezinë përkushtuese në frymën ideologjike, po flasim për numrin e parë.

Si përkthyes, nuk ishte i vetëm: bashkëpërkthente me Mark Krasniqin, Nexhat Begollin, më vonë edhe me përkthyes të tjerë. Ajo që është për t’u admiruar, ishte fryma e hapur e bashkëpunimit, llojllojshmëria në rubrika nga përsiatja e thellë, deri te folklori, muzikologjia, madje e prezantuar me partiturë muzikore, siç ndodh në shkrimin e Lorenc Antonit. Që në numrin e parë, përveç pretendimeve të kritikës së mirëfilltë, pjesë  e revistës ishte edhe recensioni, pastaj bibliografia e librave dhe e broshurave të botuara gjatë vitit 1949 dhe, në përmbyllje, konkursi për pjesë dramatike, novelë, poemë, ese, këngë korale. Për kohën, ky ishte koncepti i një reviste kulturore shumëdimensionale e paparë deri atëherë në letrat shqipe.

5. Vitet dhe numrat

Nga viti 1950, Jeta e re bëhet revistë dymujore, e cila doli me faqe të shtuara, për t’u bërë  pas një kohe revistë tërësisht letrare.

Në vitet 60-të e 70-të, tashmë revistë e konsoliduar, e autorëve të konsoliduar në të gjitha zhanret, autorë të cilët më vonë do të dëshmohen edhe me libra autorialë dhe do të reprezentojnë letërsinë shqipe, jo vetëm të Kosovës.

 Në vitet 80-të, edhe pse kishte arritur në një numër prej shtatë mijë kopjesh, me mjeshtëri i kaloi zhvillimet politike e nacionale në Kosovë, duke ruajtur me çdo kusht traditën, identitetit letrar dhe kulturor të shqiptarëve të Kosovës.

Në vitet 90-të, në rrethana të okupimit serb, revista pësoi fatin e institucioneve të tjera shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës. Ndonëse botimi i saj nuk u ndërpre, gjatë kësaj periudhe ajo doli me numra e faqe të reduktuara. Vetëm pas luftës së fundit, sërish ajo u rikthye në dorë të lexuesve të saj.

6. Autorët

Nga fillimi, përveç Esad Mekulit, me shkrime të tyre paraqiten Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Enver Gjerqeku, të cilët më vonë do të shndërrohen në autorë përfaqësues të kësaj periudhe të letërsisë shqipe. Siç është thënë edhe më herët nga krijues, bashkëveprimtarë të tij, nga revista Jeta e re dolën dhe u kultivuan breza shkrimtarësh e personalitetesh të kulturës, si: Ramiz Kelmendi, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Nazmi Rrahmani, Din Mehmeti, Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Bedri Hysaj, Fahredin Gunga, Qerim Ujkani, Beqir Musliu, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Teki Dervishi, Flora Brovina, Edi Shukriu, Eqrem Basha, Hasan Hasani, Mehmet Kraja etj.

Sot, që të gjithë janë autorë. Kush më shumë e kush më pak krijoi identitetin e vet në letërsi e kulturë, në shkencë e politikë. Prandaj, mund të themi se pjesa më e madhe e tyre janë sinxënësit e tij, Esad Mekuli, prijësi dhe udhëzuesi i tyre.

7. Esad Mekuli, Jeta e re dhe ne të tjerët

Esad Mekuli revistën letrare Jeta e re e drejtoi për 23 vjet. Deri atëherë, jo vetëm që revista u shndërrua në ikonë, por edhe letërsia shqipe mori faqe tjetër, letërsi e provuar dhe e sprovuar në zhanre dhe forma të ndryshme, në modele e poetika, në vizione dhe vokacione të reja, të cilat i lexojmë sot, i interpretojmë sot dhe sot krenohemi me to. Më pas, detyrën e Esad Mekulit, jo vetëm si drejtues reviste, por edhe si krijues, në kushte dhe rrethana herë më të lehta, herë më të vështira e udhëhoqën nga  Rexhep Qosja e teposhtë. Në vitin 2010, u formua një redaksi e re dhe Jeta e re filloi sërish rrugëtimin e saj, mirëpo tash me një koncept dhe fizionomi të re, me tre numra në vit, me nga 400-450 faqe, duke pasuruar gjithashtu rubrikat ekzistuese dhe nga viti 2013, duke hapur rubrika të reja. Kështu, nga viti 2010 e deri më sot, përveç autorëve shqiptarë të brezave të ndryshëm, në rubrikat e saj, si: Ligjëratë, Prozë, Poezi dhe Kritikë/ Ese, janë prezantuar mbi 100 autorë të huaj periudhash, rrymash e drejtimesh të ndryshme letrare. Është për t’u theksuar këtu posaçërisht rubrika e re Dossier, në të cilën, në një hapësirë prej 50-60 faqesh janë prezantuar autorë të zgjedhur nga letërsia botërore.

Përfundimisht, edhe autori i këtyre rreshtave, janë të përkushtuar që ta ruajnë frymën identitare të saj, duke ndjekur parimin e kryeredaktorit të saj të parë, i cili ishte i hapur ndaj vlerave artistike e profesionale (jo ndaj ideologjisë), me shpresën që edhe të tjerët do ta ndjekin këtë rrugë gjithnjë në hap me kohën dhe zhvillimet e reja kulturore e letrare.