ETNOKULTURA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

Mitja Guštin, Na obroncima Rumije/ Në shpatijet e Rumisë/ On the slopes of the Rumija Mountain, Littera picta, Ljubljana 2012, f.106. 

Nga prof. Dr Naser FERRI

Një shkencëtar slloven është mahnitur me shqiptarët në Mal të Zi dhe me trashëgiminë e tyre kulturore, dhe ia ka kushtuar disa vjet punës hulumtuese të saj duke i publikuar rezultatet e hulumtimeve dhe pikëpamjet e veta në një botim të vlefshëm për ta shpëtuar këtë trashëgimi nga harresa e zhdukja. 

Më 16 tetor 2012 në Cankarjev Dom në Lubjanë ishte përuruar vepra  e autorit  slloven Mitja Guštin me titull: „Na obroncima Rumije/ Në shpatijet e Rumisë/ On the slopes of the Rumija Mounatin (Osvrt na Skadarsko jezero i vernikularnu arhitekturu, Qasje mbi jetën mbi Liqenin e Shkodrës dhe arktekturën vernikulare, An overview of the life Skadar and vernacular architecture)“. 

Sipas autorit ky është një libër mbi liqenin e Shkodrës, për banorët e malit Rumia të përfaqësuar përmes Nesla dhe Selim  Muratoviq dhe për elementet e traditës që ata i ruajnë akoma.. 

Libri është i ndarë në katër kapituj vijes: „Jeta pranë liqenit“ (faqeb7-22), „Në katun“(23-34),  “Jeta në gurnajë“(35-97) dhe „Për fund“ (98-100). 

Në pjesën e parë utori shtjellon studimin që nga vizita e tij e parë Virpazarit, qytezës së vogël buzë liqenit ku kishte vërejtur në kasollë barinjësh dhe plakën Nesla dhe ishte „dashuruar“ në plakën aq sa që sa herë e kishte vizituar Malin e Zi pas kësaj e kishte vizituar edhe Neslën  dhe kishte mbledhur material për studime të veta etnografike, arkeologjike dhe historike mbi këtë rajon dhe mënyrën e jetesës tradicionale të banorëve të Rumisë, malit i cili ndanë Liqenin e Shkodrës nga Deti Adriatik. 

Gushtin shenon se deri në vitin 2008 buzë Liqenit të Shkodrës, afër Virpazarit kishte ekzistuar tëbani dhe torrishtja me 6 lopë, 30 dhi dhe 70 dele në të cilin Nesla dhe Selim Muratoviqi çdo pranëverë zdirghëshin nga fshati Muriqët e Epërm dhe kalonin periudhën prej muajit maj deri në tetor në tëbanin e punuar prej thuprrave dhe të mbuluar me kallam që ishte pjesë e traditës ndërtimore popullore.Tëbanët e këtij tipi janë zhvilluar nga trajta e çadrës së lashtë nomade dhe ia janë përshtatur kushteve lokale.Është me interes fakti që analogji të mënyrave të  ngjashme të ndërtimit të tëbanave autori i ka gjetur në Maqedoni, respektivisht në Veles dhe në Govërlevo. 

Në pjesën e tretë „Jeta në gurnajë (Život na kršu)“ autori trajton  disa objekte sakrale si Kisha e Lazrit në fshatin Gjuravc, e cila i përket arkitekturës së periudhës romanike me varreza familjare përreth saj, pastaj mënyrën e jetësës të familjeve Maleviq (Malaj) me portrete të veçanta të Angela dhe Dile Malaj  si dhe me trajtimin e objekteve të banimit dhe ekonomike siç janë ahurat dhe 


2 / 3

lëmet, lidhur me çka zë ngojë lëmën në fashtrat Muriq të Epërm dhe Gjuravc të cilët ishin pronë kolektive ku banorët fshinin të lashtat në bashkarisht me mjete primitive. 

Po ashtu ipet pasqyra e fshatit Muriqet e Epërm i cili ishte shndërruar nga rajoni bujqësor në zonë të boshatisur dhe  të cilin, në kohën kur e kishte vizituar autori i librit, ishte  rajon i banuar herëpashere,  ndërsa vetëm  pesë familje me mbimera Alibashiq, Lukoliq dhe Muratoviq banonin aty vazhdimisht  kurse banorët e tjerë kishin emigruar në Virpazar, Tivar e madje edhe në Amerikë. 

Në këtë fshat është ruajtur arkitektura e lashtë tradicionale fshatare me shtëpi karakteristike prej guri (që datojnë që nga viti 1777 sipas mbishkrimit në shtëpinë e familjes Alibashiq) që përbëhen nga objekti kryesor njëkatësh të ndarë në disa kthina..Rreth objektit kryesor ishin të vendosura objektet përcjellëse të ndërtuara më vonë, prej guri ose edhe materiale të tjera ndërtimore të mbuluara me qeremide dhe të përshtatura për nevoja të veprimtarisë bujqësore me të cilën merreshin banorët.Shtëpitë kishin pjesën ku gatuhej dhe dhomat e tjera në të cilat  qëndronin, ushqeheshin dhe flinin familjarët.Dy nivelet (katët) ishin të lidhur me shkallë nga ana e brendshme dhe ajo e jashtme, ndërsa godina kishte një apo më shumë hyrje Nga mobiliet e pakta, autorit më së shumti mbresa i kishin lënë arkat e ngjyrosura të nusërisë të dekoruara me motive gjeometrike dhe bimore.  

Si dëshmitarë të kohëve të lashta të kaluara kanë mbetur varrezat e vjetra si dhe shtëpitë e lashta tradicionale të boshatisura të cilave, siç thotë autori “ska kush t’ua kthejë shpirtin”. 

Kryepersonazhi bosht që e inspiroi autorin dhe fal të cilës bëhet ky studim është Nesla, një malësore tipike, nënë e tre djemve dhe një vajze, e paarsimuar, e cila pos gjuhës shqipe nuk flet asnjë gjuhë tjetër gjë që paraqiste një problem të madh në komunikim me autorin e librit, i cili dëshironte që çdo informatë ta merrte drejtpërdrejt dhe pa ndërmjetësues nga vetë Nesla.Përkundër të gjithave Nesla ka ruajtur të gjitha elementet e kulturës shqiptare: gjuhën, doket e zakonet, veshjen tradicionale, mënyrën tradicionale të jetesës e shumë të tjera. 

Ajo së bashku me bashkëshortin e saj Selim Muratoviqin,  tërë jetën ishin marrë me punë rreth bagëtisë dhe me kultivimin e grurit, ullinjve, misrit e duhanit, në kushte tejet të vështira, ku nga mungesat e shumta ishte ajo e ujit të cilin ishin detyruar ta bartnin  nga burimet e puset disa kilometra larg nga fshati i tyre, dhe duke jetuar prej muajit tetor deri në nëntor në bjeshkë të Rumisë e pjesën tjetër të vitit buzë liqenit në kullosa verore. 

Gushtin thekson se popullata e kësaj ane përbëhet nga shqiptarët e fesë së krishtere (katolike) dhe të asaj islame,  ndërsa Nesla dhe Selim Muratoviqi i përkasin besimit mysliman dhe se festojnë dy festa myslimane të Bajramit (Kurban Bajramin dhe Bajramin e Ramazanit, siç e shënon autori) si dhe festën sinkretike Ditën e Shëngjergjit të trashëguar nga të parët e që ka rrënjë të lashta pagane. 

Pa kurrfarë mëdyshje pjesa më interesante është kapitulli i dytë “Na katund (Në katun)” që ka të bëjë me transhumancën baritore, respektivisht me fenomenin e zhvendosjes nga bjeshka në rrafsh për kullosa verore që është krejtësisht  e kundërt nga transhumancat e tilla ne viset tjera të Ballkanit në përgjithësi.Nesla dhe Selimi deri në vitin 2008 kishin jetuar nga muaji tetor deri në muajin maj në fshatin Muriq i Epërm, ndërsa pranverën  e vonshme dhe verën e kalonin në kullosa verore buzë liqenit 16 kilometra larg fshatit të vet në tëban të përkohëshëm  në formë trekëndëshi të cilin e ndërtonin të ngritur mbi tokë (për shkak të rrezikut nga uji) me hunj dhe thupra dhe e mbulonin me kallam e shevar.Rreth tëbanit ndërtonin “banjon” dhe objektet e nevojshme për kafshë dhe bulmet, ndërsa të gjitha këto i demontonin kur ktheheshin në fshat.  

Vepra është e plotësuar edhe me 101 fotografi profesionale(të punuara nga vetë autori i librit) jashtëzakonisht të bukura të personave, objekteve arkitektonike, fetare dhe të pejsazheve të fshatrave Muriq, Gjuravc, Karanikiq, të Virpazarit dhe të Liqenit të Shkodrës si dhe një numër sosh të objekteve të ngjashme nga Shqipëria, Maqedonia dhe Vojvodina. 

Pos në fshatin Muriq i Epërm fenomenin e zbritjes nga bjeshka për kullosa verore në rrafsh autori e shënon edhe në fshatin Zuz në Shqipëri mes lumit Buna dhe pjesës shqiptare të Rumisë.Edhe 


3 / 3

këtu si duket këtë dukuri e kushtëzonin mungesa e ujit e për këtë arsye edhe të bimëve si dhe temperaturat e larta gjatë stinës së verës të cilat e pamundësonin jetesën e njerëzve dhe të kafshëve dhe i detyronin që stinën e verës ta kalonin buzë liqenit ku kishte kullosa dhe ujë të bollshëm.  

Autori në fund shënon se tash e sa vjet as Nesla e Selimi, të cilët ishin  “mohikanët e fundit” të mënyrës tradicionale të jetesës dhe se nga kjo mënyrë e jetesës dhe nga tradita shekullore kanë mbetur vetëm rrënojat e shtëpive, varrezat dhe gojëdhënat.Dhe ky është çmimi i pozitës së gjeografike të kësaj treve që lidh brendinë e Malit të Zi me Detin Adriatik dhe të zhvillimit të hovshëm teknologjik.  

Fare në fund të librit është dhënë lista e literaturës së përdorur me 23 njësi bibliografike të 16 autorëve në mesin e të cilëve janë edhe prof.dr.Flamur Doli nga Kosova (Arkitektura vernakulare e Kosovës, Prishtinë 2009) si dhe Emin Riza nga Shqipëria (Banesa popullore shqiptare, Tiranë 2010). 

Autori i veprës prof.dr. Mitja Gushtin është arkeolog slloven, ish- drejtor i Institutit për Trashëgimi Mesdhetare, Qendra Shkencore dhe Hulumtuese në Kopër (Institute for Mediterranean Heritage, Science and Research Centre of Koper) si dhe profesor universitar në Universitetin e Koprit dhe Universitetin e Piranit dhe, dhe pos atyre nga lëmi i arkeologjisë,  deri më tash ka shkruar një varg librash nga fusha e etnokulturës të popujve të ndryshëm në Ballkan, në mesin e të cilëve edhe një që ka të bëjë me Tivarin gjatë periudhës otomane. 

Gushtin pohon me krenari të madhe që, në mesin e veprave të tij të shumta, kjo është vepra e tij më e dashur me të cilën krenohet meqë trajton elemente të ndryshme etnokulturore si mënyrën e jetesës, objektet e arkitekturës vernikulare, dukurinë e boshatisjes së rajoneve të malit të Zi të banuara me shqiptarë dhe mjaft aspekte të tjera të kulturës të cilët, përkundër shumë vështirësive, i kanë ruajtur  shqiptarët e të dy konfesioneve që jetojnë në Mal të Zi. 

Mu  për këtë arsye, pikërisht për ta afruar studimin e vet sa më shumë lexuesve të trevave të ndryshme folëse, e ka përpiluar këtë në tri gjuhë paralelisht: gjuhën malaziase, shqipe dhe angleze gjë që ia ngrit edhe më shumë vlerat kësaj vepre.