F T E S Ë: Në Pejë do bëhet promovimi I veprave te prof Dr Naser Ferrit

Të marten, me 23 korrik 2024, me fillim në 19:00, në ambientet e Hamamit të Haxhi Hysen Beut në Pejë, do të bëhet prezantimi publik i dy veprave të reja të autorit pejan me origjine nga Plava, arkeologut Prof. dr. NASER FERRI.
Në vepren “Peja gjatë antikitetit”, janë përfshirë të gjitha monumentet epigrafike, monedhat ilire dhe romake, si dhe mbetjet relevante arkitektonike të kohës romake të gjetura në rajonin e Pejës, nga fundi i shekullit XIX deri në ditët e sotme. Libri shtrinë periudhën kohore nga shekulli II p.e.s. deri në fund të shekullit IV e.s., duke krijuar një pasqyrë të së kaluarës së rajonit të Pejës nga parahistoria deri në antikitetin e vonshëm. Me këtë monografi, Peja mund të krenohet si qyteti i vetëm në Kosovë që ka një studim të plotë shkencor të thesarit të vet arkeologjik, i punuar sipas standardeve bashkëkohore botërore. Librin e kanë vlerësuar dhe e kanë lejuar për botim recensentët: Akademiku Nenad Cambi nga Universiteti i Zarës dhe profesoresha Kristina Xhin nga Universiteti i Rijekës në Kroaci.
Vepra tjetër, “Gjetjet e reja epigrafike e numizmatike të zbuluara dhe të publikuara në Kosovë mes viteve 1980 dhe 2020”, është fryt i punës më se 40-vjeçare të autorit. Në këtë vepër janë trajtuar 89 monumente epigrafike të llojeve të ndryshme prej guri, nga shekulli I deri në shekullin IV të erës sonë, dhe rreth 600 monedha prej bronci, argjendi e ari nga periudha ilire deri në kohën e Bizantit, të gjetura gjatë katër dekadave të fundit në lokalitete të ndryshme të Kosovës. Një pjesë e madhe të këtyre zbulimeve janë publikuar për herë të parë nga ky autor. Recensenti i librit, Akademiku Marin Zaninoviq, e vlerëson këtë studim si një analizë multidisiplinare të kompletuar të zbulimeve epigrafike e numizmatike të bëra në Kosovë pas vitit 1980 dhe deri në ditët tona, një kontribut i rëndësishëm që i ka munguar deri tani arkeologjisë kosovare. Recensenti tjetër i veprës është Akademiku Mithad Kozliçiq nga Universiteti i Zarës në Kroaci.
Veprat ne fjale do i prezantojne Prof.dr. Memli Sh. Krasniqi dhe vetë autori.

Mirësevini!
Këshilli Organizues