Kryetari i Forcës së Re Demokratike z.Genci Nimanbegu për mosrespektimin e Kushtetutës dhe Ligjit mbi të drejtat dhe liritë të pakicave – përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, i ka dërguar vërejtje kryetarit të komisionit Shtetëror Zgjedhor z. Nikolla Mugosha, shkruan Ulqini Online.
”Afati për dorëzimin e listave zgjedhore për zgjedhjet lokale të 27 marsit 2022 në Ulqin është mesnata e 1 marsit dhe, për të dorëzuar listën duhet plotësuar edhe Formulari për dhënien e nënshkrimeve për përkrahje të listës zgjedhore për zgjedhjen e këshilltarëve.
Në faqen zyrtare të Komisionit Komunal Zgjedhor të Ulqinit në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ky formular nuk ekziston në gjuhën shqipe dhe kjo, për Forcën e Re Demokratike është e papranueshme, duke ditur faktin se në nenin 13 të Kushtetutës së Malit të Zi është e shënuar që në përdorim zyrtar është edhe gjuha shqipe. Për më tepër, e tërë faqja e Komisionit Zgjedhor të Ulqinit është në gjuhën malazeze dhe angleze”, shkruan ndër të tjerave në vërejtjen e deputetit Nimanbegu.
Forca e Re Demokratike i drejtohet Komisionit Shtetëror Zgjedhor që të respektojë të drejtat kushtetuese të qytetarëve të Ulqinit duke e bërë edhe faqen edhe formularët në gjuhën shqipe.