Freedom House: Mali i Zi dhe Serbia nuk janë më në listën e vendeve demokratike

Raporti i ri nga organizata amerikane “Freedom House” përshkruan Malin e Zi dhe Serbinë më tepër si “regjime hibride” sesa demokraci për shkak të rënies së standardeve në qeverisje, drejtësi, zgjedhje dhe liri të mediave.

Raporti i fundit i Freedom House “Vendet në tranzicion” botuar të mërkurën, kritikon ashpër Malin e Zi dhe Serbinë për rënien e standardeve demokratike dhe i klasifikon këto dy shtete për herë të parë si “regjime hibride”.

Ndërkaq Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që për të pestin vit me radhë ka shënuar përparim në raportin e organizatës Freedom House për demokratizmin e vendeve.

Në raportin e vitit të kaluar Mali i Zi përshkruhej si vend me demokraci të konsoliduar, por tashmë gjendja e demokracisë është në rënie.

Në Ballkan, “vitet në rritje së kapjes së shtetit, abuzimit të pushtetit dhe taktikave të forcave të përdorura nga Aleksandar Vucic në Serbi dhe Milo Djukanovic në Malin e Zi kanë kapërcyer vendet – për herë të parë që nga viti 2003, ato nuk kategorizohen më si demokraci në kombet në transit”, shkruan në raport.

Raporti përfshin 29 vende në Evropën Lindore, Ballkan dhe ish bllokun komunist, duke i klasifikuar ato në pesë kategori: demokraci të konsoliduar, demokraci gjysëm të konsoliduar, regjime kalimtare ose hibride, regjime autoritare gjysëm të konsoliduara dhe regjime autoritare të konsoliduara.

Zselyke Csaky nga Freedom House tha se arsyet për Serbinë dhe Malin e Zi për t’u klasifikuar si “regjime hibride” dhe jo demokraci janë të ndryshme për secilin vend.

Csaky tha se në rastet e Malit të Zi dhe Serbisë, të dy vendet kanë kohë që kanë institucione të dobëta dhe riklasifikimi ishte rezultat i një degradimi gradual.

“Në Malin e Zi, raporti ynë ka regjistruar zhvillime negative në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, liritë e mediave dhe korrupsionin,” tha ai.

Ai gjithashtu tha se Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në pushtet ka kapur institucionet shtetërore dhe ushtron një kontroll të fortë në sistemin e drejtësisë.