Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, ka thënë se situata e krijuar në Mal të Zi pas pandemisë Covid 19 është brengosëse.
“Mali i Zi ishte shteti i vetëm i rajonit që ka bërë ndalimin e qarkullimit pa patur asnjë rast të infektimit. Ishte një lloj euforie, por nga 17 marsi deri sot kemi arritur numrin e 76 personave që janë të infektuar”.
Nimanbegu ka thënë në Rubikon në Klan Kosova, se më shqetësuese është situata në zonën e Tuzit.
Megjithatë, sipas tij, fokusi më i madh në këtë kohë duhet të jetë në pandeminë shëndetësore sesa atë politike.
“Qyteti i Tuzit është në karantinë dhe duhet t’i japim përkrahje, në mënyrë që ta dinë që nuk janë vetëm. Nga ky virus të gjithë duhet të kemi kujdes sepse kjo pandemi do të ndryshojë marrëdhëniet njerëzore. Ndërsa banorët e Ulqinit nuk janë në karantinë, lëvizja është e lejuar por po ngushtohet oraret dhe po lejohen qytetarët që të dalin vetëm për nevoja urgjente”.
Ai ka komentuar edhe seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ku u rrëzua Qeveria Kurti, duke thënë se nuk është dashur të ndodhë.
“Ne duhet të jemi sa më të paanshëm dhe Kosovës ia duam të mirën në zhvillim ekonomik, politik si dhe në atë bashkëqeverisës”.
“Kosovën nuk duhet ta lëmë vetëm. Nuk është në gjendje të ballafaqohet me sfidën si integrimet europiane dhe marrëveshjen me Serbinë.Mua nuk më ka pëlqyer fakti që është mbajtur debati dje në Kosovë, është dashur të pritet të kalojë situata e pandemisë për t’u diskutuar më pas çështjet politike”.