Që nga shfaqja e tij e parë, e kam identifikuar si demagog, njeri që për pak pushtet shkel mbi çdo parim kombëtar, prepotent deri në marrëzi që do të mbahet në mend për asgjë të vlefshme.
Shqiptar në origjinë që mbështetjën e vetme e mori nga serbët. I vetshpallur si armik i nacionalizmit ballkanik, derisa në anën tjetër faktorizoi institucionin më shovenist në ballkan: kishën ortodokse serbe.
Ky njeri shterroi dhe e përdori keq një pozitë të lartë, që një shqiptar tjetër do ta përdorte shumë më mirë. Një pozitë, që kush e di sa dekada do të duhen, të bjerë në duar të shqiptarëve sërish.
Një shqiptar që bëri bashkë boshnjakë, malazezë autoktonë, kroatë e shqiptarë për ta dërguar në shtëpi shkaku i lidhjeve me serbët. Shumë turp. Që skandalizoi shoqëritë ballkanike me deklaratat mbi Srebrenicën. Poshtëroi shqiptarët me thëniet mbi Skenderbeun.
Njeri që në fund tentoi viktimizimin duke thënë se shkarkohej shkaku i të qenit shqiptar, kur asnjëherë të vetme nuk veproi si i tillë. I dashuruar me serbët që kurrë nuk i denoi sjelljet e tyre në të shkuarën. Shtetet shqiptare i shqiptonte ndër dhëmbë ndërsa në Beograd ulërinte “Da je vječna Srbija”.
Më vjen shumë keq që kam pasur të drejtë për të, sepse doja të ma dëshmonte të kundërtën.