Gjendja epidemiologjike në Mal të Zi, e volitshme, stabile dhe nën kontroll

 Në konferencën për media, e mbajtur të shtunën në ora 17:00, përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues për sëmundje infektive, kanë konfirmuar se gjendja epidemiologjike në Mal të Zi, si pasojë e pandemisë Covid-19, është vërtetë e volitshme, stabile dhe nën kontroll. Këtë e argumentojnë të dhënat se në ditët e fundit numri i rasteve të reja të regjistruara me virusin Covid-19 është minimal, ndërsa numri i të shëruarve gjithnjë e më i madh. Në këtë drejtim, Mali i Zi prin dukshëm ndër shtetet e rajonit.

            Falë nivelit të lartë të kësaj gjendjeje, Trupi nacional koordinues ka shqyrtuar mundësinë e aplikimit të zbutjes së ca masave të përkohshme mbrojtëse nga virusi në faza (në katër sosh). Faza e parë është në vazhdë, e dyta me 4 maj, e treta me 18 maj dhe e katërta më 1 qershor, por me kusht që secila fazë të përfundon me sukses.

            Raporti i fundit i Institutit të shëndetit publik tregon se në 176 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të tij, gjatë 24 orëve të fundit, në Mal të Zi është regjistruar vetëm një rast i ri i diagnostifikuar me rezultat pozitiv në koronavirus. Rasti është nga Podgorica dhe burimi i infektimit të tij nuk është i njohur.

            Në 49 mostrat e testuara dje (të shtunën), prej orës 08:45 deri në atë 16:30, është regjistruar një rast i ri i infektuar me virusin Covid-19. Rasti është nga Podgorica, dhe në 127 mostrat e testuara në intervalin kohor 16:30-08:30, nuk është identifikuar asnjë rast i ri me rezultat pozitiv në koronavirus.

            Mirëpo, Instituti i shëndetit publik të Malit të Zi njofton se Ushtria e Malit të Zi dje ka evakuuar një nëpunës së Ministrisë së mbrojtjes nga Prishtina, i cili ka qenë pozitiv në SARS-CoV-2, i cili do të evidentohet si rast i ri i importuar.

            Me këtë rast dhe me rezultatet e sipërshënuara rrjedh se numri i të infektuarve me virusin Covid-19 në Mal të Zi prej rastit të parë e deri më sot ka arritur në 321 (179 meshkuj dhe 142 femra), prej të cilëve 58 janë fëmijë dhe të rinj (23 të moshës 0-9 vjeçare dhe 35 të moshës 10-19 vjeçare).

            Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-162,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe 

Guci-3.

            Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues për sëmundje infektive: nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi dhe kryetari (menaxhuesi) i TNK-së, Millutin Simoviq, drejtori i Institutit të shëndetit publik, prof. dr. Boban Mugosha, dhe drejtori i Qendrës klinike të Malit të Zi, dr. Jefto Erakoviq, në konferencën e djeshme për media, në elaborimet e veta, kanë dhënë një vistër të dhënash shumë përfshirëse, analitike dhe koncize përkitazi me gjendjen dhe situatën epidemiologjike në Mal të Zi, por edhe më gjerë, të argumentuara me fakte të shprehura me shifra dhe fjalë, në një atmosferë vërtetë emocionuese e shpresëdhënëse përkitazi me rezultatet e larta dhe me shumë sukses në luftimin e koronavirusit.

            Nënkryetari i Qeverisë dhe menaxhuesi i TNK-së për sëmundje infektive, z. Millutin Simoviq, në elaborimin e vet disa minutësh konciz dhe kronologjik, ka dhënë një vështrim detaj mbi gjendjen dhe situatën epidemiologjike në Mal të Zi. Ka konfirmuar se falë angazhimit, përpjekjeve dhe kontributit maksimal të të gjithëve, prej individëve deri në Qeveri, janë arritur rezultatet e dëshiruara dhe me sukses vërtetë të madh në betejën e pakompromis në parandalimin e përhapjes dhe të ndikimit të armikut të padukshëm shëndet shkatërrues dhe vdekjeprurës – virusit Covid-19.

            “Përpjekjet, angazhimi dhe sakrifica e të gjithëve kanë dhënë rezultatet me të cilat mburremi e krenohemi. Padyshim, kemi dalë fitues në betejën e vështirë kundër armikut të pamëshirshëm. Me gjendjen dhe situatën e volitshme dhe stabile epidemiologjike ia kemi dalë të prijmë ndër shtetet e rajonit. Në shenjë shpërblimi të gjithë kësaj, TNK në mbledhjen e vet të fundit, ka paraparë zbutjen e ca masave të përkohshme të cilat do të realizohen në katër faza. E para është në vazhdë, e dyta më 4 maj, e treta më 18 maj dhe e katërta më 1 qershor. Në zbatimin e zbutjes së masave në fjalë, do të aplikohen gjashtë kriteriume të rëndësishme”, është shprehur zotëriu Simoviq.

            Drejtori i ISHP-së, prof. dr. Boban Mugosha, në elaborimin e vet, po ashtu ka bërë një vështrim të shkurtër, por konciz e konkret, të demonstruar me grafikone e skica lidhur me rrjedhojat e gjendjes dhe situatës epidemiologjike në Mal të Zi prej fillimit të paraqitjes së virusit e deri më sot. Në vazhdim ai ka konfirmuar rezultatet e fundit të Institutit mbi gjendjen epidemiologjike në vend, ka theksuar se në 24 orët e fundit në Mal të Zi është regjistruar vetëm një rast i ri i prekur me koronavirus, i cili ka ngritur numrin total të të prekurve në 320. Përkushtim të veçantë i ka dhënë rritjes graduale të numrit të të shëruarve, duke theksuar se në 24 orët e fundit, pas dy testimeve të parapara të menjëhershme, e të cilat në koronavirus kanë treguar rezultat negativ, janë shpallur të shëruar 30 të sëmurë: në Podgoricë – 14, Nikshiq – 13, Ulqin – 1, Tivarë – 1 e Tivat – 1, dhe se numri total i të shëruarve ka arritur në 153. Të prekur nga koronavirusi, po edhe nga sëmundjet tjera, deri më tanë kanë vdekur 6 të sëmurë. Në fund ai ka theksuar se prej të hënës, më 27 prill, është e detyrueshme bartja e maskës në lokalet e mbyllura, si masë preventive kundër infektimit me koronavirus.

            Kolegu i tij, drejtori i QKMZ, dr. Jefto Erakoviq, elaborimin e vet në konferencë ia ka përkushtuar pacientëve të prekur me koronavirus, të hospitalizuar në qendrën të cilën ai drejton. Ka theksuar se për trajtim mjekësor në spitale gjenden të hospitalizuar gjithsej 20 të sëmurë: 4 në Spitalin e Tivarit, 3 në atë të Nikshiqit dhe 13 në Qendrën klinike të Malit të Zi në Podgoricë. Në klinikën infektive gjenden 8 të sëmurë, gjendja e të cilëve është stabile. Në klinikën interne janë të vendosur 5 pacientë, 3 prej të cilëve janë nën përkujdesjen intenzive për shkak të gjendjes së keqësuar – rrezikut për jetë, 2 prej tyre janë të kyçur në respiratorë.

            Në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të fundit të instituteve të tyre relevante, gjendja e tyre epidemiologjike ka këta parametra:

Në Shqipëri: 726 të infektuar, 410 të shëruar dhe 28 të vdekur;

Në Kosovë: 731 të infektuar, 165 të shëruar dhe 20 të vdekur;

Në Serbi: 7779 të infektuar, 1152 të shëruar dhe 151 të vdekur;

Në Kroaci: 2016 të infektuar, 1034 të shëruar dhe 54 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1516 të infektuar, 624 të shëruar dhe 59 të vdekur;

Në Slloveni: 1396 të infektuar, 221 të shëruar dhe 82 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1367 të infektuar, 374 të shëruar dhe 59 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj