
Nga: Dashnim Hebibi
Me 6 prill 2025, në Glattbrugg të Cyrihut, u mbajt Kuvendi i 11-të i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë për kantonin e Cyrihut (LAPSH Cyrih), një nga ngjarjet më të rëndësishme të diasporës shqiptare në Zvicër për momentin në vitin 2025. Nën moton kuptimplotë “Gjuha shqipe është amanet”, në këtë kuvend morën pjesë delegatë, arsimtarë, veprimtarë të hershëm të arsimit shqip në mërgatë, përfaqësues të prindërve, ish-kryetarë të LAPSH-it, afarist dhe figura me ndikim nga komuniteti shqiptar në Zvicër.
Kuvendi u mbajt në një atmosferë të denjë për rëndësinë e kësaj çështjeje kombëtare – ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj që lindin dhe rriten jashtë trojeve shqiptare. Ky angazhim, i ndërmarrë nga mësimdhënësit dhe prindërit në mënyrë vullnetare, është bërë shtylla kurrizore e ruajtjes së identitetit kombëtar për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Data që simbolizon identitetin kombëtar
Zgjedhja e 6 prillit për mbajtjen e kuvendit nuk ishte e rastësishme – kjo datë përkon me një nga momentet më të lavdishme të historisë kombëtare, ngritjen e flamurit shqiptar në Deçiq më 6 prill 1911 nga Don Gjon Luli dhe malësorët shqiptarë. Në këtë ditë, ndonëse më shumë se një shekull më vonë dhe shumë kilometra larg trojeve etnike, një tjetër flamur u ngrit simbolikisht në Glattbrugg – ai i përgjegjësisë dhe angazhimit për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë.
Fillimi i punimeve – në një atmosferë të organizuar
Punimet e Kuvendit u hapën nga z. Gëzim Kasumaj, personalitet i njohur i fjalës, besës dhe një nga figurat organizative të këtij aktiviteti dhe në përgjithësi të LAPSH-it për Cyrih, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe garantoi një rrjedhë të qetë e të strukturuar të diskutimeve. Procesverbali u mbajt nga mësuesja Aferdita Veliu, e cila me përkushtim ndoqi të gjitha diskutimet, propozimet dhe votimet që u zhvilluan gjatë ditës.

Fjala e kryetarit të LAPSH-it Cyrih, z. Naser Ulaj
Në një fjalim modest, por të mbushur me ndjenja, reflektime dhe thirrje të drejtpërdrejta, z. Naser Ulaj, kryetar aktual i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, prezantoi një raport të detajuar të punës trevjeçare, i cili përfshiu:
- Organizimin e mësimit shqip me 9 mësues në 35 paralele, që përfshijnë 347 nxënës shqiptarë të moshave shkollore.
- Një përpjekje për standarde të reja mësimore në përputhje me zhvillimet pedagogjike të Zvicrës.
- Marrëdhënie bashkëpunuese me institucionet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por shpesh pa përkrahjen që LAPSH-i realisht meriton.
Ai u shpreh:
“Ne nuk jemi këtu për pozitë. Jemi këtu për një amanet. Gjuha shqipe është trashëgimi. Ajo nuk negociohet. Fëmijët tanë nuk janë eksperiment për projekte që shërbejnë më shumë për CV-të personale të dikujt se për interesin kombëtar.”
Ulaj i bëri thirrje komunitetit që të ruajë strukturën e LAPSH-it si të vetmen formë të organizuar e të testuar të mësimit shqip në diasporë. Gjithashtu përmendi edhe padrejtësitë që iu kanë bërë LAPSH-it me ndarje. Ai theksoi edhe pse u thy LAPSH ne përsëri ishim dhe jemi për të vazhduar, bëmë marrëveshje me garant nga tre ambasadat në Zvicër dhe me mbikqyrje nga Ministria e Arsimit të Kosovës, ajo datë ka kaluar dhe rregullat nuk janë miratuar.

LAPSH po dëmtohet. Nuk duhet të rrijmë e të mos dihet kjo që po ndodh, sepse po pëson shkolla, po pëson gjuha. Nuk kemi persnale asgjë me askend, respekt për punën e secilit, por duhet të jemi bashkë siç kemi ditur të jemi si komb gjithmonë, para është interesi kombëtar. Mundem të jem më i përmenduri për paragjykime, por ju e dini të dashur kolege e kolegë, veprimtarë që jeni këtu, ju them me sinqeritet, kurrë nuk jam dorëzuar e as që dorëzohem, ta dini se e drejta do të fitoj sepse jemi me fakte. Nuk pranoj të jem servil i askujt”.
Fjalë përshëndetëse me mesazhe të qarta
Ndër të pranishmit, ra në sy fjala e znj. Saime Isufi, mësuese veterane dhe kryetare e LAPSH-it në Bern, e cila theksoi:
“Kur flasim për shkollën shqipe, nuk duhet të ketë as inat, as konkurrencë – por vetëm dashuri dhe përkushtim. Sepse kjo është detyrë e shenjtë dhe kush e bën për lavdi, nuk do të qëndrojë gjatë. Kam shumë për të thënë, por LAPSH nuk është në mire sepse është dëmtuar nga thyerja dhe institucionet tona nuk po e shohin si duket. Do të duhej sa më shpejt të jetë e mundur të gjenden mundësi e të ndihmohet LAPSH.” Zonja Isufi përmendi edhe fakte të tjera, se LAPSH është dëmtuar e po dëmtohet dhe do ti kushtoj shumë gjeneratave që po vijnë e kjo nuk na falet ose nuk i falet atyre që janë akter.

Z. Hamzë Morina, ish-kryetar i LAPSH dhe një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes për arsimin shqip në Zvicër, kritikoi fragmentimin e skenës arsimore shqiptare në Zvicër:
“Mos e shihni LAPSH-in si klub njerëzish, por si strukturë kombëtare. Kur LAPSH-i përçahet, dëmtohet fëmija. Askush nuk është më i madh se gjuha e tij. Në LAPSH ka pasur e ka personaitete që kurrë nuk janë dorëzuar e as që do të dorëzohen. Mos e përçani shkollën plotësuese shqipe. Duhet sa më shpejt të jetë e mundur që shtetet tona, Shqipëria e Kosova ta shoh edhe pse janë në dijeni. Është bërë marrëveshje, por nuk është zbatuar.”
Ndërkohë, PhD.Dashnim Hebibi, kryeredaktor i portalit të njohur SAM24.info, si i vetmi medium i akredituar në këtë kuvend dhe i cili është edhe anëtar nderi i LAPSH për Cyrih si dhe ish mësues I LAPSH dhe veprimtarë i hershëm për ruajtjen e gjuhës, theksoi:
“Ju jeni ambasadorët tanë të heshtur. Ju meritoni mbështetje, jo vetëm duartrokitje. Por shpeshherë mbeteni të vetmuar, ndërsa projekte të dyshimta pa strukturë marrin përkrahje të verbër institucionale. Nuk duhet të ushqejmë egon. Kemi intelektuale e intelektual të mirfiltë, të gjejmë mundësi që LAPSH të jetë në ndihmën e shteteve tona për këtë edhe kam projekt të cilin para disa ditëve e shpalosa edhe në hapësirën e Konsullatës së Kosovës në Cyrih me rastin e 7-8 marsit ku u nderuan edhe mësues me mirënjohje nga Shefi i Misionit Konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih, z.Vigan Berisha. Ta dini, se mërgata shqiptare është e hutuar dhe e sheh me dhimbje ndarjen e LAPSH-it edhe pse patëm mar lajmin se është ribashkuar, por ja që po kuptojmë se nuk është zbatuar marrëveshja e arritur me ato nënshkrimet e asaj kohe të vitit të kaluar”.
Raporti i koordinatorit dhe tranzicioni i brezave
Z. Nexhat Maloku, koordinator i LAPSH që nga viti 1997, prezantoi një raport të qartë për periudhën 2022–2025, duke përfshirë:
- Organizimin e 20 mbledhjeve, pjesëmarrje në dy seminare ndërkombëtare.
- Përkthimin dhe përshtatjen e planit të ri mësimor sipas standardeve të sistemit arsimor zviceran.
- Ai njoftoi se do të dalë në pension pas këtij viti shkollor, por do të qëndrojë pranë LAPSH-it si këshilltar.
Transparencë financiare – raporti i arkëtarit Lulzim Hasi

Z. Lulzim Hasi prezantoi një raport financiar shumë të detajuar për periudhën 2022–2024, me të dhëna të plota për të ardhurat dhe shpenzimet, ku duhet shtuar se z.Hasi është personalitet i përpikshmërisë i cili ka një bibliotekë të madhe të fotografive e inçizimeve për LAPSH me kamerë e fotoaparat edhe ate pa asnjë kompenzim material, por me shpirt e zemër. U prezentua raporti financiar, por të mbetet në dokumentet e LAPSH-it e jo për publik.
Ai nënvizoi se në vitin 2011, LAPSH kishte një qarkullim të madh, ndërsa sot është më e vështirë të sigurohet qëndrueshmëria financiare.
Z. Gëzim Kasumaj theksoi:
“Sikur vetëm 200 prindër të kontribuonin me 5 CHF në muaj dhe 10 biznese me nga 300 CHF në vit, do të kishim kushte më të mira pune, libra dhe mjete digjitale për mësim.”
Zgjedhja e kryesisë së re
Pas prezantimit të listës me 8 kandidatë, u zhvillua procesi i votimit:
- Aferdita Veliu
- Elfete Hasi
- Remzije Shabani
- Naser Ulaj
- Gëzim Kasumaj
- Fation Bajrami
- Naim Shashivari
- Lulzim Hasi
Znj. Sadete Rashiti, e propozuar nga z. Shefki Rashiti, që të jetë pjesë e listës dha një deklaratë të përkushtimit, por lista e propozuar fillimisht mori 31 vota pro, duke u miratuar pa ndryshime. Ndërsa pas disa diskutimeve që për shumë të pranishëm ishin të panevojshme, sepse janë delegatët ata që vendosin me nrgritjen e dorës për votim, z.Ulaj tha se LAPSH i ka pasur e i ka e do ti ketë dyert e hapura për punë konkrete.
Kishte edhe disa diskutime që janë regjistruar me kamerë nga LAPSH për ecurinë e një shkolle në rrethinë të Cyrihut, që dy mësues nuk janë pritur mirë nga një apo dy persona edhe pse kanë kualifikimet e duhura për të ushtruar punën e mësuesit dhe aty para masës u thanë sy më sy.
Tekefundit, gjërat duhet të thuhen në sy dhe nuk merren personale, kjo është demokracia dhe fjala e lirë. Fjala e lirë por pa ofendime dhe ngritje të tonit. Krejt në fund u ndanë si duhet dhe si na ka hije. Z. Naser Ulaj u rizgjodh kryetar i LAPSH Cyrih me shumicë votash, konkretisht me 31, ndërsa anëtarët tjerë do të kenë përgjegjësi konkrete në ndarjen e roleve.

Fjalimet pas zgjedhjeve dhe thirrjet për bashkim
Pas rizgjedhjes, z. Ulaj u shpreh me emocione:
“Nuk dëshiroja të rikandidoja, por stafi më kërkoi të vazhdoj. Ky është një mision fisnik. Do të punojmë me sinqeritet dhe transparencë, dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga secili anëtar. Nuk jam dorëzuar dhe do ti ruaj themelet e LAPSh-it me mësuese e mësuese, atdhetar të të gjtiha fushave. Zëri ynë real nuk do të ndalet. Duam unitet, por punë e jo rrahje gjoksi.
Në organizimet tona të LAPSH-it për Cyrih jeni dëshmitar kemi pasur nga 1.000 bashkatdhetarë e do të kemi, sepse gjuha shqipe do të triumfoj si ka triumfuar. Falënderoj stafin, falënderoj mediat e në këtë rast z.Dashnim Hebibi, donatorët, ish mësuesit, prindërit e të gjithë ata që e duan që të ruhet gjuha shqipe. Falënderojmë me pafundësi edhe shtetin zviceran për përkrahje e mbështetje.”
Z. Përparim Sabriu, kryetar i LAPSH-it në Bylah, dha një shembull konkret të funksionimit:
“Ne kemi një klasë me 25 nxënës. Kjo nuk ndodh rastësisht. Kërkon organizim dhe besim. Po dëgjoj për klasa me vetëm 6 fëmijë – e kjo nuk është normale. Duhet të punojmë, jo vetëm të ankohemi.”
Z. Fadil Golaj, një nga figurat më të respektuara dhe më të vjetra të LAPSH-it, përmbylli me këto fjalë:
“Jam 65 vjeç. Të tre fëmijët e mi e kanë ndjekur shkollën shqipe. Pa përkrahje institucionale nuk ecet. Por as pa vullnet nuk ka sukses. Të jemi të bashkuar dhe të ecim përpara.”

Përfaqësuesit e nderit – Zëra me peshë në historinë e LAPSH-it
Pjesë e këtij kuvendi ishin edhe personalitete që kanë kontribuar ndër vite në themelimin, konsolidimin dhe zhvillimin e mësimit shqip në Zvicër. Ndër ta, me veçanti u përmend z. Hamzë Morina, patriot e atdhetar i njohur, një jetë ia fali shkollës shqipe i cili nga Argau kishte ardhur dhe tha se deri sa te vdes do jem afër LAPSH edhe ate shiheshin emocionet e tij me sytë e lotuar, pastaj z. Nexhat Maloku, një personalitet i rëndësishëm i LAPSH-it ndër vite, i cili me përkushtim dhe profesionalizëm ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e mësimit plotësues në kantonin e Cyrihut.
Ai është një nga shtyllat e hershme të këtij misioni kombëtar në diasporë dhe një zë i respektuar në të gjitha kuvendet e mëhershme ku pritet së shpejti të pensionohet, por zemra i rrah për LAPSH, zonja e çmuar, Saime Isufi, një atdhetare e dëshmuar e cila kurrë nuk u ndal dhe është trimneshë e njohur për qëndrimet e saj dhe veprat kombëtare.
Përkrah tyre, në kuvend ishin të pranishëm edhe Fadil Golaj, Gëzim Kasumaj dhe shumë të tjerë që kanë dhënë vite të tëra nga jeta e tyre për ruajtjen e identitetit kombëtar përmes shkollës shqipe.
Gjuha si amanet i përbashkët
Kuvendi i LAPSH Cyrih 2025 përfundoi me një ndjenjë përgjegjësie të lartë, por edhe me vendosmërinë për ta vazhduar misionin fisnik të ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë. Në thelb të çdo diskutimi ishte ideja se gjuha shqipe është amaneti më i madh që mund t’u lëmë brezave të ardhshëm. Mërgimtari Shpejtim Hoxha që ka fëmijët e tij në shkollën plotësuese shqipe LAPSH me shumë emocione vlerësoi punën e madhe që po bëjnë mësuesit dhe ndër të tjera tha:“ Përulem për punën që bënë LAPSH. Ju jeni krenaria e kombit. Mirënjohje“.

Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, LAPSH mbetet i vetmi institucion arsimor me strukturë të organizuar në mërgatë shqiptare në Zvicër, që kërkon më shumë se duartrokitje – kërkon angazhim, përkrahje dhe bashkëpunim të ndershëm e bardha e bardhë dhe e zeza e zezë, nuk duron përçarje sepse na dënon veprimtaria e atdhetarëve tanë me shekuj që e kanë ruajtur gjuhën hyjnore e tha z. Naser Ulaj, kryetar i rizgjedhur. Nuk ka inate për gjuhën, ne jemi bashkë dhe porosia jonë nga kantoni më i madh i Cyrihut shkonë për të gjithë që kanë hamendje, se LAPSH do të vazhdoj e kurrë nuk do të dorëzohet sepse ka zemër ruajtjen e gjuhës shqipe e traditave tona. ( Foto Lulzim HASI