Presidenti i i Malit të Zi dhe kryetari i PDS, Millo Gjukanoviq, në një intervistë për DW, ka larguar çdo dyshim që ekzistonte lidhur me përkrahjen eventuale të kësaj partie për një qeveri të pakicës. “Do të mbështesim çdo qeveri që do të ruajë karakterin qytetar dhe laik të Malit të Zi, do të promovojë demokracinë multietnike dhe do të kontribuojë në zhvillimin dinamik ekonomik, në mënyrë që Mali i Zi, si një vend i zhvilluar si nga ana demokratike ashtu edhe nga ajo ekonomike, të jetë pjesë e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt.”–tha Gjukanoviq.
Ai rikujtoi se partia e tij ofroi të mbështesë qeverinë e pakicës edhe pas zgjedhjeve të vitit 2020, duke besuar se “do të jetë shumë e rrezikshme për Malin e Zi nëse koalicioni qeverisës bëhet i varur nga nacionalizmi serbomadh”.
“U desh kohë për të kuptuar se jo çdo ndryshim do të thotë ndryshim për mirë. Ndryshimi mund të jetë edhe për keq. Mali i Zi tani ka pësuar një ndryshim për keq. Por kjo nuk do të thotë që PDS do të kthehet automatikisht në pushtet dhe as nuk do të thotë se do të kthehet në të njëjtën formë si e la atë. E kemi kuptuar shumë saktë mesazhin e votuesve, kemi punuar shumë këtë vit për të eliminuar dobësitë, për të reformuar partinë”, tha Gjukanoviq, duke shtuar se Mali i Zi ka nxjerrë një mësim të ri dhe se tani, pas kësaj përvoje, do të vendosë më zgjuar për të ardhmen e vet.