Muharrem Miftari/RTKLive
Presidenti Gjukanoviq, në konferencën me gazetarë, foli edhe për çështjen e demarkacionit, deklaroi se është biseduar për të gjitha çështjet që kërkojnë zgjidhje e në këtë vazhdë edhe për demarkacionin.
(E plotësuar 13:22) “Sikurse deklaroi edhe presidentja Osmani, jemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje e ndjeshme, që duket si problematike, për disa që dëshirojnë të krijojnë probleme, por që për ne nuk konsiderohet e tillë, ngase kemi komisionet tona për të kryer ashtu si duhet, që të mos shndërrohet si burim i problemeve”, deklaroi mes tjerash presidenti Gjukanoviq.
Ndërsa, presidenti Gjukanoviq, ndryshe nga kryeministri i vendi të tij Dritan Abazoviq i cili tha se demarkacioni ka marrë fund, tha se përmes komisionit të përbashkët do t’i japin hapësirë çfarëdo dileme të mundshme.
“Kemi folur edhe për çështjen e kufirit, kemi marrëveshjen të nënshkruar në vitin 2015, po ashtu kemi edhe deklaratën e përbashkët të dy presidentëve në vitin 2018 dhe të njëjtat janë miratuar në kuvendet e dy vendeve. Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për ata që dëshirojnë probleme. Megjithatë si dy vende mike, përmes punës së përbashkët të komisionit do t’i japim mundësi çfarëdo korrigjimi”, tha ai.
Presidentja Osmani: Jemi bashkë për stabilitet e siguri në rajon
Presidentja Osmani së bashku me presidentin malazias, Milo Gjukanoviq, mbajtën konferencë me gazetarë.
13:02 Duke falënderuar kryetarin e Malit të Zi për vizitën e tij në vendin tonë, presidentja Osmani foli kontributin e tij për krijimin, zhvillimin e ruajtjen e raporteve tona miqësore ndërshtetërore.
Ajo e vlerësoi lart kontributin e presidentit Gjukanoviq për kontributin e tij në njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Presidenjta Osmani shpalosi edhe momentin e vizitës së presidentit Gjukanoviq në vendin tonë.
“Kjo vizitë e presidentit Gjukanoviq, veç aspektit të marrëdhënieve tona bilaterale, ndodh edhe në rrethana dramatike në rajon e më gjerë”, deklaroi presidentja Osmani-Sadriu.
Tutje, presidentja Osmani-Sadriu përmendi edhe situatën e rëndë në Ukrainë, prej nga ndryshoi gjendja jo vetëm atje, por edhe në rajonin tonë.
Presidentja Osmani vuri theksin e bisedës në kërkesën e saj drejtuar presidentit Gjukanoviq në mbështetjen e Malit të Zi në anëtarësimin e Kosovës në KE.
Ajo përmendi edhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve të të dyja vendeve, si, fjala vjen në sferën e ekonomisë, të turizmit, etj.
Presidenti Gjukanoviq në Prishtinë, në takim me presidenten Osmani
Ka mbërritur në Prishtinë presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Ai është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga homologia e tij, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Pas ceremonisë protokollare dhe pritjes nga garda e nderit, tashmë ka filluar takimi mes dy presidentëve.
Më vonë, pritet që Osmani-Sadriu dhe Gjukanoviq të mbajnë edhe një konferencë për media kurse më pas, Gjukanoviq do të vazhdojë me pjesën tjetër të agjendës.
Mes tyre është nderimi që do të bëhet pranë monumentit për të pagjeturit.