Gjukanoviq: Marrëveshja duhet të respektojë realitetin – Kosovën e pavarur

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, nuk ka shprehur optimizëm për një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjukanoviqi ka thënë se zgjidhja do të duhej të respektonte realitetin në terren e ai është se Kosova është shtet i pavarur dhe se në veri të saj jeton komuniteti serb.

“Nuk mund të them se jam optimist, por sigurisht i mirëpres përpjekjet e të gjithë aktorëve në proces. Shpresoj që vizita e përbashkët e Miroslav Lajçakut dhe Matthew Palmerit në Beograd dhe Prishtinë do t’i japë shtysë dialogut. Gjëja më e rëndësishme është arritja e një zgjidhjeje duke respektuar realitetin. Dhe realiteti është se Kosova është një shtet i pavarur dhe se komuniteti serb jeton në veri të këtij shteti. Dhe se janë iluzione ato që thuhen se kompensimi për Kosovën mund të kërkohet në një anë tjetër”, u shpreh presidenti malazez.

Ai thotë se Milosheviqi është përpjekur ta zgjidhte këtë çështje me luftë dhe të gjithë “e pamë se si përfundoi”, ndërsa shton se kjo luftë nuk ka ndodhur shumë kohë më parë në mënyrë që të harrohet lehtë.

Gjukanoviqi shton se të gjithë pjesëmarrësit në procesin e negociatave duhet të respektojnë përvojat negative të së kaluarës së afërt si për popullin shqiptar, ashtu edhe për atë serb.

“Shpresoj se mendja e shëndoshë do të mbizotërojë si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë dhe se Brukseli dhe Washingtoni, me bashkëpunimin e plotë të aktorëve të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë të interesuar në këtë proces, do të ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur për të eliminuar këtë rrezik të fshehtë për rajonin”, tha presidenti malazez, Milo Gjukanoviq.

Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojnë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kah mesi i këtij muaji, ndonëse ende nuk ka ndonjë datë zyrtare.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi dje që kryeministri Albin Kurti të raportojë për dialogun në Kuvend më 11 qershor, para takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.