Emisari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, mbrëmë ka mbajtur një takim virtual bashkë me anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan, ku është folur për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Në takimin virtual me emisarin Grenell janë përfshirë Martin Vulaj – ish-drejtues i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elmi Berisha – kryetari i Vatrës, Ana Cenaj – e cila e përfaqësoi komunitetin amerikano-shqiptarë në Dallas dhe Teksas, si dhe Uk Lushi – nga Batalioni Atlantiku.
Grenell i informoi pjesëmarrësit rreth takimit që kishte pasë gjatë ditës së djeshme me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilin e informoi rreth anulimit të takimit që pritej të mbahej sot në Washington për rifillimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd.
Trump e autorizoi Grenellin që t’i jap edhe një mundësi dialogut për të parë nëse ka shanse që ai të rifillojë, në të kundërtën, ambasadori mund të caktohet për detyra të tjera, njofton Klan Kosova.
Grenell gjithashtu u shpreh se ekziston një urgjencë në nevojën që kosovarët të organizohen dhe të shprehin qëllimet e tyre të qarta për të ndjekur dialogun me një kërkesë zyrtare për ritakim në Shtëpinë e Bardhë.