Guci – Gucia është komuna e parë e Malit të Zi, e cila planifikon që përmes programit “Qytetet pa mbeturina”, të bëhet qyteti me zero hedhurina, në të cilin plehrat nuk do të përfundojnë në deponi, por do të shfrytëzohen si resurs.
Sipas deklaratës së koordinatores së projektit në fjalë, Emina Adroviq, dhënë mediave, arritja e këtij plani është menduar përmes zbatimit të mekanizmave dhe strategjive të ndryshme, në mënyrë që sistemi linear i menaxhimit me hedhurina të zëvendësohet me të ashtuquajturin qarkullues. Fjala është mbi konceptin, të cilin në kuadër të këtij rrjeti e kanë përvetësuar me qindra komuna në Evropë, shumica prej të cilave në viset malore.
“Gucia është komunë e cila bën çmos që të pengojë stivimin e hedhurinave në deponi. Ne nga lëvizja ‘Zero Waste’, e shohim hedhurinën si resurs. Qëllimi ynë është që në vend të hedhurinave të ‘nxjerrim’ vlerën më të madhe të resursit dhe t’ua zgjasim jetën materialeve të cilat përndryshe do të përfundojnë në natyrën tonë vërtetë të bukur. Këtë qëllim në Guci do ta zbatojmë dhe planin do ta realizojmë përmes strategjive të ndryshme, siç janë kompostimi, përdorimi i serishëm i gjërave të vjetra, mbledhja e hedhurinave të seleksionuara prej derës në derë, edukimi i banorëve, bashkëpunimi me biznesmenë, etj.”, ka theksuar koordinatorja Adroviq.
Ajo sqaron se programi “Qytetet pa hedhurina”, është program i organizatës “Zero Waste Europa”, dega e saj malazeze është anëtare fuqiplotë. Programi e bën rrjetin prej 33 anëtarësh fuqiplotë nga 26 shtete evropiane.
Koordinatorja Emina Adroviq thekson se për Gucinë kanë vendosur këtë projekt, për shkak se fjala është për komunën me potenciale të mëdha për zhvillim.
“Dëshirojmë t’i kontribuojmë zhvillimit përmes metodave vërtetë të qëndrueshme. Ekzistojnë shumë komuna të suksesshme me zero hedhurina, të cilat gjenden në trevat rurale ku vërtetë janë krijuar sistemet e qëndrueshme ideale. Ne do të përpiqemi që Gucia të jetë njëra ndër qytetet përrallore, për shkak se në rrethinën e saj natyrore të përbërë nga male dhe kullosa, burime e ujëvare, vetëm sistemi qarkullues i mbeturina është zgjidhje. Ky projekt do t’i kontribuojë zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në Guci, i cili është i rrethuar me Parkun Nacional ‘Prokletije’ (Bjeshkët e Nëmura)”, ka veçuar koordinatorja Adroviq.
Projekti “Së bashku drejt shkallës zero të hedhurinave” ka filluar më 1 shkurt të këtij viti dhe do të zgjasë dy vjet. Projektin e financon Bashkimi Evropian përmes IPA Programit për bashkëpunim ndërkombëtar në mes të Malit të Zi dhe Shqipërisë.
“Zero Waste Montenegro”, në partneritet me aplikuesin udhëheqës, Agjencionin rajonal zhvillimor RDA Bjellasica, Komovi dhe Prokletije, fillon implementimin e programit ‘Zero Waste Cities’ në Guci, kurse partnerët janë nga Shqipëria, Green Line Albania dhe ALCDF, po ashtu do të veprojnë në Margegaj. Buxheti prej 563.515 euro është akorduar përmes Fondit të Bashkimit Evropian, ka deklaruar zonja Adroviq.
Në Evropë ekzistojnë 400 qytete në programin zyrtar ‘Zero Waste Cities’. Në program marrin pjesë 22 shtete. Shembujt më të suksesshëm të komunave me zero hedhurina janë: Lubjana, Munihu, Salsea dhe Prellogu.
Fakti më i rëndësishëm është që në komunikim me koordinuesit e këtyre dhe qyteteve të ngjashme, ata mësojnë njëri prej tjetrit. Pos Evropës, ekziston edhe rrjeti botëror GAIA – Global Alliance for Incinerator Alternatives. Projekti “Zero Waste Europe” është anëtare fuqiplotë, e me këtë edhe ‘Zero Waste Montenegro’ “, ka përfunduar koordinatorja Emina Adroviq.
Shaban Hasangjekaj