Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi të harmonizohen me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në rajon, në dritën e përpjekjeve për të shtyrë përpara procesin e formimit të qeverisë së re malazeze pas ngërçit institucional atje.
Haradinaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” të dielën, ka thënë se sa i përket zhvillimeve politike në rajon dhe më gjerë, shqiptarët gjithmonë kanë qenë në linjë me politikën e jashtme të SHBA-ve, prandaj në këtë drejtim, ka konsideruar që formimi i qeverisë së re të Malit të Zi, duhet të mishërojë vlerat pro-perëndimore.
“Në këtë kontekst konsiderojmë që formimi i qeverisë së re të Malit të Zi, përpos që reflekton vullnetin qytetar dhe pluralizmin politik, duhet pashkëputshëm të mishërojë vlerat pro perëndimore, që lidhen me NATO-n, integrimin evropian, fqinjësinë e mirë dhe refuzimin e ndikimeve dhe ndërhyrjeve të jashtme destruktive nga ana e Serbisë dhe partnerit të saj, Rusisë”.
Milojko Spajiç, fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit me Lëvizjen Evropa Tani (PES) dhe rrugës për të marrë drejtimin e qeverisë së 44-të të Malit të Zi, ka arritur marrëveshje me dy prej koalicioneve shqiptare – Forumi Shqiptar dhe Aleanca Shqiptare – por edhe me koalicionin “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, i cili përbëhet nga ish-përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) pro-serb dhe pro-rus.
Negociatat për përbërjen e ekzekutivit malazez janë dominuar nga pyetja nëse Spajiçi do të formojë kabinetin e tij qeveritar me Demokracinë e Re Serbe (NSD) dhe Partinë Popullore Demokratike (DNP), të cilët angazhohen për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tërheqjen nga NATO-ja.
SHBA-ja, së bashku me partnerët e Bashkimit Evropian (BE) presin që ekzekutivi i ri malazez në krye me Spajiçin të shpallë të mbyllur çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, forcimin e partneritetit mes Malit të Zi dhe bllokut ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.
Prandaj, kreu i AAK-së ka ftuar faktorin politik shqiptar që në këto procese, tani dhe në të ardhmen, pjesëmarrjen dhe reflektimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë në të gjitha institucionet e Malit të Zi, ta shohin para së gjithash në dritë të domosdoshmërisë së orientimit pro-amerikan dhe pro-evropian.
“Çfarëdo qasje tjetër nga cilido akter në Mal të Zi do të ishte i dëmshëm për rajonin në aspektin afatshkurtër, por edhe për vet Malin e Zi në një perspektivë afatgjate”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës të dielën.
Në Parlamentin e Malit të Zi kanë fituar ulëse plot 6 shqiptarë: Dritan Abazoviq nga URA, Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj nga Forumi Shqiptar, Genci Nimanbegu nga Aleanca Shqiptare dhe Drita Llolla e Mehmed Zenka nga UDSH-ja që garuan së bashku me Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të ish-presidentit Milo Gjukanoviq.