Heqja e përmendores në Vuthaj – cenim i rëndë i marrëdhënieve ndëretnike në Mal të Zi

Në bazë të një vendimi të Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, pushteti lokal i Gucisë zbatoi urdhrin e kësaj “ministrie të antikultures” ndaj shqiptarëve.

Sot mund të kemi fjalë e deklarata nga çdo anë, por dëmi tashmë është bërë.

A thua vallë, me këtë veprim shteti i Malit të Zi, nën ndikimin e qarqeve klero-fashiste pro-serbo-ruse, synoi të tërheqë paralele të pavërteta e demagogjike, duke barazuar një fisnik vuthjan – të rënë në mbrojtje të trevës së Plavë-Gucisë dhe pragut të shtëpisë nga bandat çetnike – me gjakatarin Pavle Gjurišić, i akuzuar për masakrimin e mbi 10 mijë personave?

Në asnjë dokument arkivor apo burim historik nuk gjendet asnjë dëshmi që Isuf Kamer Çelaj të ketë kryer krime lufte. Përkundrazi, faktet dhe dokumentet flasin për vlera të larta dhe akte njerëzore të kryera prej tij dhe familjes së tij.

Shteti i Malit të Zi, në vend që të shkonte kaq larg për të sajuar akuza të pabaza, pse nuk u deklarua asnjëherë për 5 mijë shqiptarët e vrarë në Masakrën e Tivarit, apo për masakrat e panumërta ndaj shqiptarëve, veçanërisht në Plavë e Guci?

Me qëndrime të tilla diskriminuese e shoviniste, nuk mund të hyhet në shoqërinë evropiane të sotme.

Që nga ndërtimi i kësaj përmendoreje nga familja Çelaj, në tokën e Vuthajve dhe ballë për ballë me shtëpinë e tyre, pati mjaft fjalë e përfolje nga aktorë e skenaristë të kotë. Por nuk meritojnë lavdërim as ata që për 12 vite nuk e legalizuan (pushtetarët), as ata që heshtën e po heshtin,e as këta që me servilizëm zbatuan urdhrat e hekurta të Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi.

Isuf Kamer Çelaj, në këtë rast, nuk duhej të shihej vetëm si figurë e familjes Çelaj, por para së gjithash si hero i të gjithë Vuthjanëve, i mbarë Plavë-Gucisë, e madje edhe më gjerë.

Beteja për të drejtat tona duhet të vazhdojë, sepse dikush në shtetin e Malit të Zi po kërkon alibi për ta kthyer viktimën në “kriminel” dhe për t’i amnistuar kriminelët si “njerëz paqësorë”.

Plava e Gucia Sot

Esad Gjonbalaj