Heroi i Kosovës Muharrem Vuthaj “Një letër familjes” 04.05.1999

Unë po vdes për Kosovë, për Atdhe, për liri e të ardhmen e fëmijve nuk po me dhimbet shpirti hiç sa një fije bari

• Përkujtim pas dy dekadave të kalimit në përjetësi

Luftetari i Kosovës që luftoj më ushtrinë serbe dhe me vdekjen.

Shkrimi i përmbahet origjinalit.

Letër familjes së nderuar

Këtë letër po e shkruaj mas 20 diteve në pozllam së në soba nuk mujta më nejtë. Se përmaja nuk lejke,fryente ftoftë në tana anet.Veç zoti se tri plagë i kamë zor si po sherohem. Me mushkëri të pulës po i mjekoj plaget, se e kam pre. Vetë më erdhi në dorë së nuk kisha mujt më e zënë.Shkijet po enen dhe shumë herë po vijnë nëpër bashqe të Selamanit e kahë qeshmja për livadh të Salihqerimëve. Veç po behna gati për më dekë. Atë ditë kur jamë plagosë dy net kam fjetë në Derrpa. Neziri i Mujaj sa me duket është vra nga meje. Me djalin e Binak Shabanit gjithë natën kemi ba më shkue livadhit të Isë Zeqirit e në mëngjes ai djali është nisë kah Shabandelitë për me dal anej kah Sudunuca. E i thashë “Amanet thuaj dikujna së qetu jamë mbetë, e qaty kam nejt dy net e dy ditë. E tani jam munue më shkue në fushë të verrit më pij uji. Gjithë natën kam ec rrshqitas e gujas në mengjes kam arritë të ujit. Dy netë kamë fjetë në mal të Hasanisufëve, thojsha mos po luen kush për bjeshkë. Atëherë jamë nis për në shpi,u mundova më hi dyqysh natën thash edhe më dekë skam dert, bile mos të des në mal, gjithë ditën mënzi qe jam shku në mal te Veselve aty kamë fjetë ni natë, ka kam shkue tëposhtë në log të fushës së verrit ish kanë i vramë Binak Rama më ni plum në kokë.Jamë nisë për ne shpi prej veshtit të Veselve mezi kam mrri në shpi kah 3 sahati i natës, i shifsha rojën e shkive por depërtova. Kur mrrina s’pata ku të hij, çka kishin ba çetnikët, krejt shkrumb, vetëm ni çebe që kish mbet jashtë, nja një javë kamë nejt më qat qebe tu u zavit dyqysh me te. Masandej vendosa të shkoj në shpi të Muhame Rexhepit, mezi jamë shku, gjithë natën gjujt mu ajën ma keq kam hjek më gjuj së më plagë aty nisa më pushue po tu mendue se pë vinë më e kallë san a sante, ni ditë do edha më hinë në oborr po nuk e dita janë hi menxi i qita jashtë por njanin e preva tu mendue mos po muj me e hanger ndj grimë qashtu,e preva ne prag të shtëpisë aty ku nisë më hi në sobë të Muhametit aty ku ish shporeti por me e kërkue nuk mujta thash hajt ishalla kurban dhe e gjujta mi derë në bahqe. Te nesërmen hynë edhe dy ne oborr, kur kqyri prej nalti nga qileri i Rifatit thash të shkoj të msheli derën mos të hijnë viranat së bajshin zhurmë shkova tu dashtë më i tutë edhat , veç kur po i nijë ushtaret që hynë në shpi të Rifatit katër vet ishin kanë. Sa kam mijt më hi në dhomë të arma janë hi për hodnik e drejt në oborr. E patriot qiky patriot domë më e nxanë ata ishin kanë tu fol për edha, e nxunë edhin dhe shkuan, po eneshin shpesh asajde vendosa me i marrë do sene e me shkue ape në shpinë teme. I mora do tesha dhe ni jambuli, ni çebe, një jargan të vogel i lidha dhe tu i rrokotel gjithë natën menxi mrriva deri në pozllom tash jamë këtu si pështojë nuk ma merr menja se jamë tu u lodhë më të madhe. Plaget nuk po me sherohen vetë masi e dij që çikat, djemt, nipat mbesat janë mirë hiç spo kam dert. Nurij mos u merzit, jepju gajret fëmijve. Xufen e përshëndes, mos të qanë për mue se unë i kam thanë gjithëhere ku e merrë me dekë për liri edhe besoni se vehten e kamë pague edhe mirë. Ju përshëndes të gjithëve si jashtë edhe këtu së unë po vdes për Kosovë, për Atdhe, për liri e të ardhmen e fëmijve nuk po me dhimbet shpirti hiq si një fije bari.Jam i plagosur në dy kamt dhe në shpatullen e djathtë. Po vijnë do zojë e po knojnë mbi mue, e unë po shkojë vetëm çdo minut kah vdekja. Sahatin ia la Lulzimit e Unazën Kadrisë.

Kjo është një pjesë nga letra e heroit të Kosovës Muharrem Vuthaj nga Vrella. Kjo letër është trokitje në ndërgjegjëjen e çdo shqiptari në Kosovë. Fletë për peripecitë e njerëzve të devotshëm, për sakrificat dhe përcaktimin e tyre, të pa lëkundur për ta berë Kosovën të Lirë të pavarur dhe demokratike. Kjo letër është mesazh i çartë pse kemi hyrë në luftë. Pse kemi sakrifikuar brez pas brezi. Kjo letër është më shumë se porosi, është amanet, për gjeneratën e re, së ky vend është i shtrenjtë dhe nuk lëshohet për asnjë çmim. Kjo letër tregon së lëshimi i këtij vendi është mallkim. Çdo keqpërdorim në këtë vend do të paguhet prej popullit dhe zotit. Heroi i Kosovës Muharrem Vuthaj përveç sakrificës kapitale shqiptarëve të Kosovës u la edhe këtë letër, dëshmi jo vetëm për vuajtjet e tij por edhe për shëmbull si luftohet dhe si vdiset për Atdhe.

Lavdi Heroit të Kosovës Muharrem Vuthaj. Lavdi të gjitë dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit. Zoti i bekoftë Heroit e Kosovës. Zoti e bekoftë Kosoven tonë të lirë, të pavarur dhe demokratike.

04.05.2019- Vrellë

Kopjuar nga Milazim Maraj