Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Heshtja institucionale ndaj perlës turistike : Kush po e lë në hije Vuthajt?

Që nga largimi i ish-drejtorit të Organizatës Turistike të Gucisë, Getoar Gjonbalaj, diçka duket se ka ndryshuar në mënyrën se si kjo organizatë po e promovon pasurinë turistike të kësaj komune. Faqet zyrtare të institucionit, të cilat duhet të jenë dritarja kryesore e promovimit të Gucisë për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë, sot japin një pasqyrë të zbehtë të potencialit që kjo trevë posedon.

Mungesa pothuajse totale e përmbajtjeve në gjuhën shqipe dhe rënia e dukshme e promovimit të Vuthajve ngrenë pyetje serioze për qasjen aktuale të Organizatës Turistike të Gucisë. A është kjo thjesht një mungesë strategjie, apo një neglizhencë ndaj një prej zonave më të rëndësishme turistike të komunës?

Vuthajt nuk janë një destinacion i zakonshëm. Ato janë një nga kartat më të forta turistike të Gucisë dhe një emër që tashmë është i njohur për mijëra turistë nga e gjithë bota. Ky fshat është porta hyrëse e shtegut ndërkombëtar “Peaks of the Balkans”, një prej rrugëve më të njohura të turizmit malor në rajon, dhe ndodhet në zemër të një zone ku natyra ka krijuar disa prej mrekullive më të rralla të Malit të Zi.

Ujëvara e Grlës, Syri i Kaltër, Krojet e Ali Pashë Gucisë, peizazhet madhështore të Alpeve Shqiptare dhe dhjetëra atraksione të tjera nuk janë thjesht bukuri lokale. Ato janë një kapital turistik që mund të sjellë zhvillim ekonomik, vende pune dhe një të ardhme më të mirë për komunitetin.

Por një pasuri që nuk promovohet, rrezikon të mbetet e padukshme. Sot, në vend që këto vlera të jenë në qendër të fushatave promovuese, vërehet një mungesë e theksuar e prezencës së Vuthajve në komunikimin zyrtar turistik. Një destinacion që më parë merrte vëmendje të merituar, sot duket sikur është lënë në plan të dytë.

Turizmi modern kërkon vizion, përkushtim dhe profesionalizëm. Nuk mjafton vetëm të kesh male, lumenj dhe bukuri natyrore; duhet të dish t’i tregosh ato botës. Organizatat turistike nuk janë krijuar vetëm për të mbajtur faqe zyrtare aktive, por për të ndërtuar strategji dhe për të promovuar çdo pjesë të territorit në mënyrë të barabartë.

Edhe çështja e gjuhës shqipe nuk mund të trajtohet si një detaj i parëndësishëm. Gucia është një trevë me identitet të pasur kulturor dhe me një komunitet të rëndësishëm shqiptar. Përjashtimi i gjuhës shqipe nga komunikimi zyrtar turistik do të thotë të anashkalosh një pjesë të rëndësishme të historisë dhe realitetit të kësaj komune.

Sot pyetja mbetet e hapur: pse një nga destinacionet më të njohura të Gucisë po humbet hapësirën që meriton në promovimin zyrtar? Kush mban përgjegjësi për këtë rënie të dukshme të angazhimit?

Vuthajt nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë vetëm atë që u takon: vëmendje, promovim profesional dhe një trajtim të denjë për një nga perlat më të mëdha turistike të Malit të Zi.

/Plava e Gucia Sot

Exit mobile version