Për faqet e gazetës KOHA JAVORE
Plava dhe Gucia ndihmojnë të prekurit nga tërmeti në Shqipëri
Plavë/Guci – Shënimi i zakonshëm i festës së madhe tradicionale kombëtare shqiptare – 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse i përgatitur, këtë vit në komunat e Plavës dhe Gucisë, për shkak të tërmetit shkatërrues që më 26 nëntor goditi rëndë ca treva të Republikës së Shqipërisë (Durrësin, Thumanën, Tiranën, etj.), duke shkaktuar me dhjetëra viktima, me qindra të lënduar dhe me dëme të mëdha materiale në infrastrukturën e objekteve të ndryshme, u anulua dhe u zëvendësua me emocione dhe ndjenja dhimbjeje e pikëllimi për të goditurit nga kjo tragjedi e pamëshirshme natyrore, por edhe me organizimin e akcioneve humane për mbledhjen e ndihmave financiare për t’i ndihmuar, mbështetur dhe përkrahur familjet e prekura të vëllezërve dhe motrave tona.
Ngjarja tronditëse e shkaktuar nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Shqipëri, padyshim ishte e pranishme dhe prezente në çdo familje të popullatës shqiptare, të atyre të komuniteteve të tjera, por edhe në kolektivet e organizatave punuese, firmave e institucioneve në trevën e komunave të Plavës e Gucisë, të cilët përmes ekraneve televizive dhe mediave të tjera përcjellnin me ankth rrjedhojat e këtij rasti vërtetë tragjik.
Në shenjë shprehjeje të dhembjes, mbështetjes dhe përkrahjes ndaj të prekurve nga tërmeti, të emocionuar thellë nga kjo tragjedi e paparë me pasoja katastrofike, grupi gjashtë anëtarësh i qytetarëve entusiasist shqiptarë nga vendbanimet e trevës së Komunës së Gucisë: Shaban Prelvukaj, Ali Kukaj, Asdren Çelaj, Dardan Qosaj, Fjolla Balidemaj dhe Uran Gjonbalaj, formuan këshillin nismëtar (iniciues), për organizimin e akcioneve të mbledhjes së ndihmave humanitare në të holla.
Në dy akcionet e organizuara me moton “Ta ndihmojmë Shqipërinë”, në Plavë, para godinës së Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” (të premten, më 29 nëntor) dhe në Guci para objektit hotelierë Caffe bar “Metro” (tri ditë me radhë), qëndruan kutitë për vendosjen e ndihmave në të holla të donatorëve me ç’rast u mblodhën 3758 euro dhe 530 dollarë amerikan. Akcioni humanitar i mbledhjes së ndihmave humanitare në Plavë dhe Guci, vazhdon deri më 2 dhjetor. Në këtë drejtim theksojmë se në vazhdën e akcionit humanitar në Guci, pronari i lokalit Caffe bar “Metro”, Dardan Qosaj, të shtunën në mbrëmje (30 nëntor) organizoi mbrëmjen humanitare me ç’rast i gjithë profiti (fitesa) nga shitja e pijeve në shumë prej 430 eurosh dhe 150 dollarësh amerikan, është dedikuar për donacionin human. Të hollat e tubuara do të dorëzohen në zyrën e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë.
Edhe Bashkësia Islame e Komunës së Plavës, është solidarizuar me të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, duke organizuar akcionin e mbledhjes së ndihmave humane në të holla. Nga besimtarët islam, të premten (më 29 nëntor), pas faljes së namazit të Xhumës, në katër xhamitë e qytetit të Plavës, janë mbledhur mbi 1700 euro.
Edhe Komuna e Gucisë, në shenjë solidariteti ndaj të prekurve nga tërmeti katastrofik në Shqipëri, nga Buxheti i vet, ka ndarë sasi të konsiderueshme të hollash. Në kolegjiumin profesional të komunës, të kryesuar nga kryetarja e komunës, Anella Çekiq, të mbajtur më 28 nëntor, është miratuar vendimi unanim me të cilin është obliguar sekretariati për ekonomi, zhvillim dhe financa që të bëjë transferimin e mjeteve në shumë prej 4 mijë euro, në xhirollogarinë e veçantë të hapur pranë Kryqit të kuq të Malit të Zi, për t’i ndihmuar banorët e Shqipërisë të goditur nga tërmeti katastrofik. Me këtë rast, Komuna e Gucisë, në emër të të gjithë qytetarëve të saj, u shprehi ngushëllime familjeve të viktimave nga tërmeti dhe të lënduarve u dëshiron shërim sa më të shpejtë, si dhe shprehë bashkëndjenjën me të gjithë ata që kanë mbetur pa shtëpitë e veta familjare.
“Kjo ndihmë, paraqet kontribut modest të qytetarëve të Gucisë për banorët e trevave të goditura të Shqipërisë, me shpresë të mënjanimit sa më të shpejtë të pasojave të tërmeteve shkatërruese”, është shprehur kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq.
Mirëpo, gjithsesi, kontributi më i madh dhe më i shprehur i ndihmës humanitare, dedikuar të prekurve në zonat e goditura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit në Shqipëri, padyshim, është ai i familjes Ulaj, nga Vuthajt e Komunës së Gucisë, të cilët jetojnë në Vuthaj, Tiranë dhe SHBA, kontribut ky që është për çdo respekt dhe lëvdatë. Kjo familje ka bërë me dije se kontributi i tyre shkon përtej angazhimit të kompanisë së tyre “GENER 2” për ndërtimin e 20 apartamenteve për të prekurit nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit. Familja në fjalë ka vendosur të ndihmojë edhe me një fond prej 1 milion euro.
“Vëllezërit, motrat dhe fëmijët, kemi vendosur t’u gjendemi pranë njerëzve që i humbën të gjitha. Duke përcjellë 1 milion euro në fondin e solidaritetit shqiptar, jam i vetëdijshëm se në pejsazhin katastrofik që la tërmeti mbi territore të tëra të atdheut tonë të dashur, duhet shumë më tepër se kaq. Andaj, urojmë e shpresojmë se edhe ky kontribut i yni, si i shumë të tjerëve deri tani, të vlejë si një nxitje më shumë, që gjithkush të kontribuojë me sa ka mundësi. Ne nuk do të ikim nga ky vend dhe nuk do t’i ikim asnjë përgjegjësie sociale për këtë vend. Po mendojmë, çfarë mund të bëjmë më tutje dhe po i lutemi Zotit të ndihmojë që Shqipërisë t’i kthehet buzëqeshja pas kësaj tragjedie krejt të pamerituar”, është kjo shprehje emocionale dhe mbresëlënëse e njërit prej tre vëllezërve të kësaj familje vërtetë humane dhe solidare, e zotëriut Bashkim Ulaj.
Në fund theksojmë se pronarët e tri hoteleve private: Dardan Qosaj në dhomat e hotelit “Metro” në Guci , Arif Qosaj në ato të hotelit “Mountain View Inn” në Guci dhe Ujk Gjonbalaj në lokalet e hotelit “Rosi” në Guci dhe në ato të Eko Katunit “Rosi” në Vuthaj, kanë shprehur gatishmërinë për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Shaban Hasangjekaj