Sipas burimeve të HelveticAlForum, sot pasdite, Shefi i Misionit Konsullor në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, vizitoi nxënës të shkollës plotësuese shqipe në Cyrih në orar të mësimit dhe të parin e LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut z. Naser Ulaj. “Ky takim ishte me shumë emocione për të gjithë. Fëmijët që po rriten në Zvicër, në këtë shtet mik të kombit tonë, po e ruajnë gjuhën e ëmbël shqipe. Takimi ishte i jashtëzakonshëm dhe i paharrueshëm.

Vërtetë, me të ardhur në detyrë, z. Berisha na ka përkrahur shumë me mundësitë që i lejohen”, tha z. Ulaj, mësues dhe i pari i LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut. Ndërsa sytë e fëmijëve, sikur donin të thonin diçka dhe ajo, siç shihet, “faleminderit shumë edhe ne e dimë alfabetin, edhe ne dimë ti këndojmë Adem Jasharit”. Ndërsa z. Berisha, ndër të tjera e përshkruajti këtë vizitë me këto fjalë:
„Kënaqësi e veçantë të takojmë sot nxënësit e Shkollës Shqipe LAPSH-Zürich. E ardhmja e një kombi ndërtohet mbi edukimin dhe trashëgiminë e gjuhës e kulturës sonë. Sot patëm rastin të shpërndajmë edhe tekstet mësimore të dërguara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës“.

Këto takime, padyshim se e forcojnë edhe më shumë vullnetin që të rritet numri i fëmijëve që të vijojnë shkollën plotësuese shqipe. Z. Berisha falenderoi kontributin e madh të mësuesve dhe shtetin e popullin zviceran që i ka mundësuar popullit tonë që të mësojnë fëmijët tanë gjuhën shqipe edhe ate nëpër shkollat zvicerane. “U jemi mirënjohës”, shtoi, ndër të tjera, z. Vigan Berisha, Shefi i Misionit Konsullor në Konsullatën e Republikës së Kosovës.