Mbledhja e Qeverisë së Malit të Zi është ndërprerë sot pas një sherri mes kryeministrit në detyrë Zdravko Krivokapiq dhe ministrit të Punëve të Jashtme Gjorgje Raduloviq në momentin kur po diskutohej vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.
Mbledhja u ndërpre, siç u njoftua zyrtarisht, “për shkak të mosmarrëveshjes në procedurën e miratimit të vendimit për zbatimin e sanksioneve të përcaktuara në pikat 11, 12, 13. të rendit të ditës të miratuar. Arsyeja e ndërprerjes së seancës nuk është vetëm Krivokapiq”, thuhet në deklaratë.
Në rendin e ditës ishte një paketë sanksionesh kundër Rusisë e miratuar më parë nga Këshilli i Bashkimit Evropian (BE), duke përfshirë sanksione ndaj 696 qytetarëve rusë, si dhe ndaj institucioneve financiare, pronës, tregtisë dhe shpërndarjes së mallrave.
Krivokapiq kundër sanksioneve kundër Rusisë
Sipas mediave malazeze, kryeministri Krivokapiq deri në atë masë e kundërshtoi paketën e sanksioneve, e cila më parë ishte miratuar unanimisht nga organet punuese të qeverisë, pas së cilës u fut në një polemikë me ministrin e Jashtëm Gjorgje Raduloviq dhe zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq.
“Kryeministri Krivokapiq propozoi konkluzione të reja, me të cilat dëshironte që vendimi për sanksionet të bëhet i pakuptimtë”, tha Abazoviq pas mbledhjes së qeverisë.
Disa media të Podgoricës raportuan se gjatë seancës thuajse ka pasur një konfrontim fizik mes ministrit të Jashtëm Raduloviq dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik Jakov Milatoviq, i afërt me kryeministrit Krivokapiq. Ministria e Jashtme e Malit të Zi dënoi më parë agresionin rus kundër Ukrainës dhe mbështeti sanksionet që BE vendosi ndaj Rusisë.
Qeveria e Zdravko Krivokapiq është në një mandat teknik pas një votimi mosbesimi në parlamentin malazez në shkurt. Krivokapiq është një figurë politike e afërt me Kishën Ortodokse Serbe dhe qeveria e tij është ndikuar fuqishëm nga Kisha Ortodokse Serbe.
Së fundmi, presidenti malazez Milo Gjukanoviq ia besoi mandatin për përbërjen e qeverisë së re Dritan Abazoviqit nga URA, i cili paralajmëroi formimin e një qeverie të pakicës, prioritet i së cilës do të jetë integrimi në BE, e cila, siç tha në atë kohë, u ndërpre gjatë mandati i Zdravko Krivokapiqit.