Avokati Kolë Camaj dhe aktivisti qytetar Aleksandar Sasha Zekoviq kanë propozuar që një rrugë në qytetin e Tivarit të marrë emrin “Rruga e Viktimave të Masakrës së Tivarit”, në nder të shqiptarve që e ekzekutuan në Tivar para 80 vjetësh.
Me rastin e përvjetorit të masakrës së Tivarit, avokati Kolë Camaj dhe aktivisti qytetar Aleksandar Sasha Zekoviq i kanë paraqitur një iniciativë Komunës së Tivarit që një prej rrugëve të qytetit të emërtohet “Rruga e Viktimave të Masakrës së Tivarit”. Kjo iniciativë është dorëzuar edhe pranë Këshillit për emërtimin e vendbanimeve, rrugëve e të shesheve.
“Sot bëhen 80 vjet nga Masakra e Tivarit, ku sipas të dhënave zyrtare ushtarake, u ekzekutuan jashtë gjykatës të paktën 452 persona – të gjithë burra, kryesisht të rinj, me prejardhje nga Kosova dhe kryesisht të kombësisë shqiptare – të cilët ishin rekrutuar me dhunë në Ushtrinë Popullore Çlirimtare të Jugosllavisë për të marrë pjesë në çlirimin e mëtejshëm të shtetit të atëhershëm dhe për pushtimin e Trieshtes në Itali. Në këtë rast u plagosën të paktën edhe 104 persona,” thuhet në letrën dërguar Kuvendit Komunal të Tivarit, e cila është parë nga gazeta e Podgoricës “Vijesti”.
Camaj dhe Zekoviq kanë theksuar⁷ se përballja me të kaluarën, e bazuar në fakte, është mënyra më e mirë për të kundërshtuar revizionizmin historik dhe relativizimin e fakteve të pamohueshme historike, siç është edhe Masakra e Tivarit.
“Për ne si nismëtarë, është e papranueshme çdo përpjekje për rehabilitimin e lëvizjeve tradhtare apo për minimizimin e antifashizmit dhe të karakterit përparimtar e çlirimtar të lëvizjes partizane dhe Partisë Komuniste të atëhershme të Jugosllavisë. Pranimi i krimeve ndaj civilëve të pafajshëm dhe nderimi i tyre parandalon manipulimin me viktimat dhe përpjekjet për të imponuar narrativa të tjera të rreme,” thuhet më tej.
Ata rikujtojnë se ndër vite janë ndërmarrë përpjekje modeste nga qytetarë, aktivistë dhe figura politike për të hedhur dritë mbi ngjarjet në Tivar në mars dhe prill të vitit 1945. Ish-deputeti Mehmet Bardhi kishte ngritur këtë çështje në parlament, ndërsa në shkurt të këtij viti, në Prokurorinë Speciale të Shtetit u dorëzua një kallëzim penal kundër pjesëtarëve të Brigadës së 10-të Malaziase..
Sipas të dhënave zyrtare ushtarake, në Tivar janë pushkatuar jashtë gjykate anëtarë të grupit të dytë të rekrutëve nga Prizreni, që ishin dërguar në Tivar më 25 mars 1945 dhe që përbëheshin nga 2.382 rekrutë.
“Sipas disa autorëve, anëtarët e Brigadës së 10-të për vetëm disa orë në Tivar (dhe në Cetinë) kanë vrarë më shumë njerëz të pafajshëm se sa ushtria gjermane gjatë gjithë kohës së veprimeve të kësaj njësie,” thuhet në iniciativë.
Duke iu referuar të dhënave ekzistuese, ata theksojnë se rekrutët e paarmatosur, kryesisht shqiptarë, nuk u masakruan vetëm nga anëtarët e Brigadës së 10-të, por fatkeqësisht edhe nga civilë të zakonshëm që ishin të ndikuar nga ndjenja anti-shqiptare për shkak të pranisë së kolonëve malazezë e serbë të dëbuar nga Kosova.
“Komandantët e brigadës urdhëruan zbatimin e një urdhri të paligjshëm për ekzekutim të përzgjedhur, duke shkelur dhe duke vepruar në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare,” përfundon iniciativa.