Intervistë me drejtorin e shkollës “Xhafer Nikoçeviq” në Guci — Luan Kukaj

“Shkolla është vend i karakterit dhe përkushtimit ndaj brezave të rinj”

Faleminderit për intervistën

Portali “Plava e Gucia Sot” zhvilloi një bisedë me z. Luan Kukaj, drejtor i shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci. Ai ndau me ne rrugëtimin e tij profesional, historikun e shkollës dhe sfidat e arsimit në këtë trevë me traditë të pasur arsimdashëse.

Kush është Luan Kukaj? Cila është shkollimi dhe karriera juaj?

Kam lindur më 14 gusht 1986 në fshatin Martinaj. Fëmijërinë e kam kaluar aty, në një ambient familjar dhe malor, ku puna, sporti dhe lidhja me njerëzit kanë qenë pjesë e përditshme. Shkollën fillore e përfundova në Guci, ndërsa shkollën e mesme e vijova në Plavë. Në ato vite u lidha edhe më shumë me sportin dhe me mësimdhënien, gjë që më pas më drejtoi drejt profesionit që kam sot.

Studimet i vazhdova në Prishtinë, ku u përqendrova në shkencat sportive. Pas disa vitesh punë dhe angazhimi, në vitin 2012 përfundova studimet pasuniversitare dhe mora titullin Magjistër i Shkencave Sportive.

Punën si profesor e nisa në vitin 2009. Që nga dita e parë në shkollë, puna ime ka qenë e lidhur me edukimin fizik të nxënësve, zhvillimin e aftësive të tyre dhe nxitjen për një stil jete më aktiv. Për mua, shkolla nuk është vetëm vend i mësimit, por edhe i karakterit, rregullit dhe sjelljes mes njerëzve.

Prej tre vitesh mbaj detyrën e drejtorit në shkollën fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci. Në këtë rol jam i angazhuar në organizimin e procesit mësimor, me mbështetjen e mësuesve, krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe lidhjen e shkollës me komunitetin.

Na tregoni diçka për historikun e shkollës fillore të Gucisë.

Shkolla fillore “Xhafer Nikoçeviq” është themeluar në vitin 1864. Fillimisht mësimi është zhvilluar në kushte të thjeshta, me pak mjete dhe shumë vullnet, por shkolla u bë shpejt vend i rëndësishëm për fëmijët e Gucisë dhe fshatrave përreth. Gjatë viteve të saj më të ngarkuara, aty vijonin rreth 1700 nxënës. Oborri ka qenë plot zëra, klasat plot gjallëri dhe shkolla ka qenë qendra ku bashkoheshin breza të tërë.

Me kalimin e kohës, për shkak të shpërnguljeve dhe zvogëlimit të popullsisë, numri i nxënësve është ulur. Sot shkolla vijon me rreth 270 nxënës. Edhe pse më pak në numër, roli i saj mbetet i njëjtë: të arsimojë, të edukojë dhe të ruajë traditën e kësaj zone. Shkolla vazhdon të jetë pjesë e identitetit të Gucisë – vend ku fëmijët hedhin hapat e parë drejt së ardhmes.

Ju jeni drejtori i parë shqiptar i kësaj shkolle. Si u arrit ky emërim dhe çfarë domethënie ka për ju?

Po, jam drejtori i parë shqiptar. Ky emërim u arrit me përkushtim dhe e shoh si një sukses për komunitetin shqiptar dhe për të tjerët. Kuptohet, bashkëpunimi është kyç – vetëm kur përkrahim njëri-tjetrin, arrijmë sukses.

Si është gjendja e shkollës sot – në aspektin e objekteve, inventarit dhe kuadrit arsimor?

Shkolla jonë, siç e ceka edhe më parë, është një nga më të hershmet në rajon. Është shkollë e vjetër dhe deri tani nuk është investuar shumë sa i përket inventarit, objekteve etj.

Tani, me donacione të ndryshme, bashkëpunim me MASH dhe me vullnetin tonë, jemi munduar që shkollën ta sjellim në një gjendje më të mirë.

Sa i përket kuadrit arsimor, mund të them se kemi kuadro profesionale që përcjellin me përkushtim njohuritë tek nxënësit.

Si janë planprogramet mësimore? A u lejohet fëmijëve shqiptarë të mësojnë për historinë e kombit tonë?

Planprogramet, sidomos të lëndës së historisë, janë deri diku të lejuara. Kuptohet, nëpër ciklet e ndryshme përmenden kultura dhe traditat. Mirëpo, ekziston gjithmonë dëshira dhe nevoja për të përfshirë më shumë historinë e popullit tonë.

Migrimi është bërë një plagë e madhe për rajonin. Si po ndikon kjo në shkollat e Gucisë?

Kjo plagë është masive dhe e pashërueshme tash sa kohë. Të shohësh se si po shprazën shkollat, nuk është ndjenjë aspak e mirë. Siç dihet, migrimi ka ndikuar jo vetëm në vendin tonë, por në të gjitha krahinat me banorë shqiptarë dhe jo vetëm.

Një brengosje tjetër është asimilimi i popullit tonë.

Si përfundim, sidoqoftë, ne jemi këtu për të mirën e nxënësve dhe të komuniteteve pa përjashtime, dhe gjithmonë jemi të gatshëm për bashkëpunim.

Dhe në fund, të lutem, na thuaj nëse ke ndonjë porosi apo falënderim për pjesën tonë në mërgim, për bashkëvendësit tanë:

Faleminderit nga zemra mërgatës sonë për donacionin e madh që mundësoi rindërtimin e shkollës në Vishnjevë dhe për autobusin e nxënësve që përfshin fshatrat Vishnjevë, Kukaj, Krushevë, Qosaj dhe Vuthaj.

Mërgata jonë është krenaria jonë, por njëkohësisht edhe malli ynë i përhershëm. Ata janë pjesë e pandarë e jetës sonë shoqërore, kulturore dhe kombëtare, dhe në vazhdimësi kanë dhënë kontribut të çmuar për vendlindjen.

Falë përkushtimit, dashurisë dhe ndjenjës së fortë atdhetare, ata kanë qenë gjithmonë pranë nesh në çdo iniciativë për të mirën e përbashkët.

Krahas rindërtimit të shkollës, mërgata jonë ka kontribuar edhe në ndërtimin e Shtëpive të Kulturës në Vuthaj, Kukaj, Martinaj e në vendbanime të tjera, duke dëshmuar lidhjen e fortë shpirtërore që ruajnë me vendlindjen e tyre.

Me respekt,

Mr. Luan Kukaj
Drejtor i Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq” – Guci

Faleminderit për bashkëpunimin dhe për kontributin tuaj në ruajtjen e arsimit dhe identitetit në trevën e Plavë–Gucisë.

Esad GJONBALAJ