Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Intervistë me inxh.Skender Gjonbalaj: Brezërit e Vuthajve ndër shekuj dhe digjitalizmi i tyre

Historia e trojeve tona ndër shekuj në shumicën e rasteve është bartur përmes gojëdhënave. Bartja dhe vazhdimësia e kujtesës së rrënjëve të vëllazërive ka ndërlidhur edhe fiset shqiptare. Për tu mos shuar dhe harruar gjurmët e bartura dhe trashëguar  ndër shekuj gjeneratë pas gjenerate, kohëve të fundit një punë të shkëlqyeshme për fshatin Vuthaj  është duke bërë inxh. Skender (Shaban) Gjonbalaj. I lindur ne Vuthaj, Skenderi edhe pse në moshë të re me familje shkuan në Prishtinë, ai sërish mendjen dhe shpirtin e ka aty në vendlindje, në Vuthaj dhe të kaluarën e ndritur të saj. Përmes kësaj interviste do shpalosim një histori personale por edhe një histori suksesi të një familje të shkëlqyeshme, fisnike Vuthajne. Falë përkushtimit dhe dedikimit të prindërve të Skenderit nga kjo familje nga 9-të fëmijët, 6 vëllezër dhe 3 motra, sot i kemi të diplomuar 3 inxhinier, 3 mjekë dhe një në gazetari.

Skenderi ka lindur më  24 Mars 1959 në Vuthaj. Babai i Skenderit është  Shaban Sadria Gjonbalaj dhe nëna Zade ( Hazir Prelvukaj) Gjonbalaj. Shkollën fillore e ka mbaruar në Vuthaj e në Guci , deri në klasën e 7-të, ndërsa klasën e 8-të e ka mbaruar në Prishtinë në shkollën fillore Vuk Karaxhiq tani  Elena Gjika. Shkollën e mesme e ka mbaruar në Prishtinë në  Gjimnazin Ivo Llolla Ribar sot Sami Frashëri.

Në vitin 1983 ka mbaruar Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë dega e Energjetikës

Në Mars të vitit 1983 është punësuar në Elektroekonominë e Kosovës.  Në vitin 1990 si shumë të punësuar tjerë është  larguar dhunshëm nga puna nga regjimi serb. Në Qershor të vitit 1999 kthehet në punë në KEK (Koorporatën Elektroenergjetike të Kosovës – ish Elektroekonomia e Kosovës).

Nga viti 2007 punon në në KOSTT ( Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Kosovës) kompani e krijuar pas shthurjes së KEK-ut si kompani vertikalisht e Integruar. Në KOSTT ushton detyrën e drejtorit të Departamentit të Operimit të Tregut të Energjisë Elektrike.

Përveç profesionit të elektroinxhinierit , gjat periudhës së shkollimit, periudhës së largimit nga puna 1990- 1999 dhe periudhen e rindertimit të Kosovës pas luftë  është marrë me edhe me ndërtimtari.

:

 Plava e Gucis Sot  :

 I nderuar Skender fillimisht ju përgëzojmë për punën e shkëlqyeshme që jeni duke bërë me përditësimin e të dhënave të breznive të Vuthajve.  Na thuani ju lutem si ju lindi ideja për ti hyrë këtij angazhimi me shumë vlerë per Vuthajt dhe të kaluarën e saj.

Po mos të ishte kontributi i bashkatëdhetareve për rindërtimin e Shtëpis së Kulturës në Vuthaj kjo ide do te ishte vonuar ose nuk do të lindte fare. Pas inaugurimit të shtëpisë së kulturës në Vuthaj gjatë një evenimenti më ra në sy një trung gjenealogjik i Gjon Balës i huazuar nga një jo Vuthjanë dhe i cili ishte jo i saktë. Meqenëse unë posedoja të gjitha të dhënat për trungun gjenealogjik të Gjon Balës të trashëguara nga Babai i cili kishte një memeorje të jashtëzakonshme dhe ishte ne gjendje që të bënte lidhjen e  gjitha  breznive nga gjenerata e tijë e deri te Gjon Bala, vendosa që të dhënat e trashëguara nga babai ti kompletoj me breznitë e  reja ku përveç emrit do të paraqisja vitin dhe vendin e lindjes , vendin ku aktualisht brezi aktual jeton.

Kështu që vendosa të bëj digjitalizimin e të dhënave që posedoja dhe fillova të ua dërgoj secilës familje, trashëgimtar të degës së Gjon Balës, pjesën e trungut të cilës ata i takojnë në mënyrë që të verifikohet saktësia e breznive të tyre.

            Ku keni arritur në këtë aspekt dhe sa e vështir ishte mbledhja e informacioneve të fundit, përfshirë këtu edhe gjeneratat më të reja.

Fillimi ishte i vështirë sepse për të dërguar pjesë të trungut trashëgimtarëve të Gjon Balës shfrytëzoja rrjetin telefonik Viber pasi që nuk kisha llogari tjera të rrjeteve sociale. Përmes Viber arrita të plotësoj brezat e ri vetem të degës së Hasan Gjonit degë të cilës i takoj edhe vet. Me qëllim që të vazhdoj punë vendosa ta hap një llogari në Facebook pavarësisht që nuk isha dhe nuk jamë idhtar i rrjeteve sociale.  Përmes këtij mediumi kam rënë në kontakt me shumë kushërinjë nga familja Gjonbalaj të cilët i falënderoi shumë për mbështetjen e dhënë dhe njëkohësisht u kërkoi falje për presionin nganjëherë të tepruar që u kam bërë për të më dërgur të dhënat për anëtarët e familjeve të tyre.

Trungun gjenealogjik, degën e Gjon Balës, e kam pothuaj të përfunduar, kanë mbetur edhe disa trashëgimtar të degës Gjonbalaj pa u plotësuar të atyre që kanë jetuar në Shqipëri. Jam poashtu kureshtar të gjejë lidhjen e Musiqëve të Gucisë me Gjon Balën.

Jemi në rrugë të mbarë të plotësojmë edhe degën e Vuk Nrelit dhe për këtë falënderoj në veçanti Besim Mehmetaj, trashëgimtar nga dega e Demë – Gjekë –Vukës që ka bërë një punë të mrekullueshme ne kompletimin e këtyre të dhënave duke bërë vizitë nga familja në familje të trashëgimtareve të Dem Gjekës. Ka ende punë për tu bërë në  plotësimin e degës së Vuk Nrelit por besoj se me pak angazhim do ti plotësojmë të dhënat e kësaj dege.

Sa i përket degës së Nre Balës , të dhënat e publikuara nga Syl Buti Ahmetaj mund të shfrytëzohen për finalizimin e trungut gjenealogjik të Nre Balës me breza të ri . Unë kam bërë digjitalizimin e breznive të publikuara nga Sylë Buti dhe jamë i gatshëm të vazhdoi kompletimin e tyre me brezni të reja. Bazuar në të dhënat nga trungu gjenealogjik i Sylë Butit Ahmetaj , breznitë e familjes Goçaj dhe Selimaj janë të padefinuara qartë, nëse ata  janë apo jo pasardhës direkt të Nre Balës. Kjo ishte dashur të verifikohet nga pasardhësit e familjes Goçaj dhe Selimaj.

Bazuar në  shënimet e marra nga babai im rezulton se Gjoni është vendosur në Vuthaj me 7 (shatë) nipat e vet gjegjësisht djemtë e vëllaut të tijë Nrelit. Dedushi, Bruçi, Stanisha, Vuka, Vata, Nika dhe një nga nipat që nuk i kujtohej emri e që trashëgimtar të tijë janë Selimajt. Nga dega e Vat Nrelit janë familja Goçaj.

Është fatë që paraardhësit tanë dhe prindërit tanë na i kanë mësuar breznitë në formë vjershe të cilat i kemi përsëritur shpesh dhe janë ngulitur ne mendjet tona. Kështu besoj se secili Vuthjanë i gjeneratës time dhe tuajen dinë të bëjë lidhjen e breznive  të tyre së paku deri deri te Bala.

Meqenëse gjenerata jonë nuk është duke e vazhduar  traditën që fëmijëve të vet tua mësoj breznitë atëherë ne e kemi për obligim që trungun gjenealogjik tua lëmë të shkruar dhe digjitalizuar. Prandaj është koha e fundit për të  të plotësuar trungun në mënyrë të saktë dhe korrekte dhe për tua lënë trashëgim gjeneratave të reja.

            Nëse ndonjë Vuthjan që nuk është i përfshirë apo harruar apo mos mundësia e kontaktit si mund ai të ju kontaktoj ju për te ju dhënë informacionet e fundit.

Jamë i gatshëm dhe kam vullnet që të vazhdoj kompletimin e degës së Gjon Balës  me ato pak të dhëna që mungojnë dhe të mbledh dhe përpunoi të dhënat e trashëguara nga Sylë Buti edhe për breznitë e reja të degës së Nre Balës.

Të interesuarit mund të më kontaktojnë përmes llogarisë në FaceBook https://www.facebook.com/skender.gjonbalaj

Uroj që sa ma parë të tejkalohet pandemia e krijuar si pasojë e COVID-19 dhe jeta të kthehet në normalitet në mënyrë që aktivitetet rreth këtij projekti ti vazhdojmë edhe përmes takimeve fizike me bashkëvendasit tanë gjatë vizitave të tyre verore në Vuthaj.

            Dhe për fund të lutem ma flisni pak për mesin tuaj familjar, gjegjësisht familjen e fisnikut Vuthajn, Shaban Sadris Gjonablaj. Cili ishte dedikimi dhe përkushtimi që të arrihet suksesi i shkollimit i familjes tuaj.

Babai im Shaban Sadria Gjonbalaj është lindur në vitin 1913 nën flakën e pushtimeve të Plavës e Gucisë nga ushtria Serbo-Malazeze me çrast ishin vrarë me qindra shqiptarë të Plavës dhe Gucisë dhe ishin djeguar shtëpi e kulla Shqiptare. Jetim i pa babë , me tri motra dhe gjyshen plakë në pranverë të vitin 1919, pësëri  nën masakrat e ushtrisë Serbo- Malazeze, detyrohen të ikin përmes Alpeve Shqiptare me dy metra lartësi borë për në arritur në Theth, Shalë dhe deri në Shkodër. Në Shkodër si mijëra refugjat të tjerë shqiptarë kan gjetur strehim nën tendat që i kanë siguruar komisionet humanitare ndërkombëtare dhe shteti shqiptarë. Pas dy vjetëve si shumë vuthjanë tjerë kthehet në Vuthaj për tu rropatur me luftën e ashper për ekzistencë.

Që në moshën e re i ka rënë  barra të mbaj familjen dhe si kryefamiljarë ka marrë pjesë në log të burrave dhe kuvendeve të pleqëve duke u njohur njëkohësisht edhe me frymen liridashëse të patriotëve të asaj kohe. Është rritur në mesin e pleqëve Vuthajnë dhe  kishte marrë njohuri për prejardhjen dhe historinë e Vuthajve si rrallë kush tjetër. Por mbi të gjitha dhe shum e rëndësishme ai kishte kuptuar qëllimet e pushtetit Serbo-Malazes për zhukjen fizike të shqiptarëve të kësaj treve, duke nxitur vëllavërasjen ndërmjet Vuthjanëve dhe shqiptareve të trevës Plavë e Guci.

Për aktivitetet e tijë  në periudhen para, gjat dhe pas luftës së dytë botërore është dënuar me 13 vjet burg nga regjimi Jugosllav duke perjetuar serish të ligat që i bëhen njeriut e veçanarisht një shqiptari të shapllur armik i popullit dhe shtetit. Në burgë ka kuptuar që arma më e fortë për të luftuar armikun është shkollimi. Ishte idhtar dhe predikues i shkollës. I këshillonte vuthjanët ti shkolljnë fëmijët dhe veçanarisht vajzat. Me raste edhe ndihmonte të rinjët edhe financiarisht për nevoja të shkollimit.

Pas daljes nga burgu fillon jetë të re, martohet dhe krijon familje por ishte pa të drejta qytetare dhe nën vëzhgimin dhe provokimet e UDB-s Jugosllave. E kishte kuptuar që UDB kishte qellimin ti pëçajë Vuthajnët dhe të nxis vëllavërasje mes tyre. Me me mjeshtri u bëri ballë provokimeve dhe nuk ra asnjëher në grackat e montuara nga UDB.

Meqenëse në Komunën e Plavës dhe Guci nuk kishte shkollë të mesme në gjuhën shqipe dhe me qëllim që ti mundësoj shkollim të gjithë 9-të fëmijëve dhe jo në mënyrë të selektuar, gjë që nuk ishte e mundur nga puna e bujkut në Vutaj, në vitin 1972 merr guximin që të shpërngulet në Prishtinë me krejt familjen.

Për shkak të gjendjes së vështirë financiare ne fëmijët që nga shkollë e mesme paralelisht me shkollimin kemi punuar në sektroin e ndertimtarisë  për ti përmbushur nevojat financiare për ekzistencë dhe për shkollim. Sakrifica e prindërve tanë  ishte motiv për ne për të mësuar dhe punuar njëkohësisht . Nuk kishte vend për dështim dhe dëshira e tyre u përmbush por fatkeqësisht asnjëher në nivelin sa ata dëshironin.

Ishte i bindur dhe na thonte neve dhe miqëve të shumtë se nuk do të vdes pa e parë Kosovën e lirë. Pasi Kosova u shlirua nga pushtuesi Serb e pyetem: Kososova u shliruar e tash? Tha, kisha pasë dëshirë të mrrij edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Vdiq në vitin 2001 dhe nuk e mrrini bashimin kombëtar. Me datën 27 Maj 2021 është 20 vjetori i ndarjes së tij nga jeta dhe me kët datë, në kujtim të tijë, në shtëpinë e kulturës në Vuthaj do të publikoj trungun gjenealogjik të Gjonbalës.

Uroj që dëshira dhe ëndrra e tijë dhe e çdo shqiptari të plotësohet dhe në një të afërme të realizohet bashkimi kombëtar.

Falemnderit zt Skender

Esad GJONBALAJ/ Plava e Gucia Sot

Më poshtë mund ti gjeni duke klikuar në link informatat e vëllazërive Vuthjane

Exit mobile version