Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Isa Qosja sjell në Plavë filmin e shpërblyer në Evropë, xhiruar në Vuthaj

Sonte në Plavë, përpara një numri të madh qytetarësh nga Plava dhe Gucia, me mbështetjen dhe organizimin e Organizatës Turistike të Plavës, u shfaq premiera e filmit “Stork” – Lejleku, me regji të Isa Qosjes.

Filmi është xhiruar i tëri në fshatin Vuthaj dhe, përveç aktorëve profesionistë, në të morën pjesë edhe shumë bashkëvendës nga Vuthajt. Ai po shfaqet premierë në shumë festivale nëpër Evropë, ku ka marrë çmime dhe vlerësime të shumta për temën dhe për mënyrën e ndjeshme me të cilën regjisori ka paraqitur një realitet të hidhur që prek jo vetëm Vuthajn, por edhe mbarë trojet shqiptare.

Filmi sjell në ekran dramën e brezave: rininë që ka mendjen tek emigrimi, prindërit që mbeten të vetmuar në vendlindje, marrëdhëniet që shihen vetëm përmes ekranit dhe kamerës, si dhe tragjedinë e të moshuarve që shuajnë jetën me mallin e fëmijëve të tyre në Amerikë.

Rikujtojmë se pak ditë më parë, premiera e këtij filmi në Podgoricë u ndërpre pas kundërshtimeve të disa shikuesve, vetëm pse filmi ishte në gjuhën shqipe. Pas reagimeve të shumta të personaliteteve shtetërore dhe madje edhe të vetë Presidentit të Malit të Zi, filmi u rishfaq tri ditë më vonë, nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave të sigurisë.

 Dardan Qosaj 

/Plava e Gucia Sot

Exit mobile version