“Të dyja palët duhet të çarmatosen verbalisht njëra-tjetrën. Kërcënimet nga njëra anë janë po aq të rrezikshme sa edhe kërcënimet nga ana tjetër”, tha në një intervistë për DW në gjuhën boshnjake ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Bühler.
Ai ka thënë se Serbia po përdor vazhdimisht retorikë lufte dhe se me dërgimin e ushtrisë në kufi me Kosovën ka treguar një sjellje të një shteti joeuropian.
Bühler po ashtu ka kritikuar edhe Kosovën që nguli këmbë në ndërrimin e targave ilegale, duke thënë se kjo çështje në Europë s’ka rëndësi fare.
Intervista e plotë:
Zoti Bühler, si e vlerësoni situatën aktuale në veri të Kosovës? Sa serioze është ajo?
Erhard Bühler: Besoj se masat që Serbia ka shpallë tani, se do të avokojë për heqjen e barrikadave, janë të përshtatshme. Dhe situata ishte e rrezikshme, sepse gjithmonë ekziston rreziku i përshkallëzimit. Është e patolerueshme që në Europë udhëheqja serbe të urdhërojë dërgimin e ushtrisë në kufi dhe të krijohet një kërcënim potencial. E konsideroj të patolerueshme që lidershipi në Beograd, jo vetëm sot, por edhe muajt e kaluar, të përdorë vazhdimisht retorikë lufte. Në anën tjetër, mendoj se nuk është e mençur që Qeveria e Kosovës të insistojë në ato detaje. Targat? E dini si shihet në Europë? Kjo është një gjë shumë e parëndësishme, nëse merret parasysh se sa vëmendje europiane është aktualisht e përqendruar në Ballkanin Perëndimor.
Keni shumë kohë që merreni me Ballkanin, keni qenë komandant i KFOR-it. A është në gjendje KFOR-i t’i përballojë të gjitha këto sfida apo është realisht e mundur që të ndodhë një konflikt?
Unë mendoj se mundet. E dini, Kosova është në fakt në një pozitë të mirë, sepse forcat e NATO-s janë të stacionuara atje. Unë nuk mendoj se dikush duhet të frikësohet se ky konflikt do të përshkallëzohet vërtet në një shkallë të gjerë. KFOR është në gjendje t’i kryejë detyrat e veta dhe do ta bëjë këtë, megjithëse sot është më i vogël në përmasa sesa në kohën time. Ka plane të nevojshme që lejojnë KFOR-in të kryejë detyrat e tij në çdo kohë, nuk shqetësohem për këtë. Kjo, e dini, ka të bëjë më shumë me imazhin e Ballkanit Perëndimor. Për atë nëse ia vlen të zbatohet shteti ligjor kur bëhet fjalë për targat dhe të pranohet rreziku i përshkallëzimit.
Si e vlerësoni deklaratën e presidentit të Serbisë, Vuçiq, se serbët në Kosovë duhet të mbrohen si me masa ushtarake ashtu edhe me ato policore? E patë që forcat serbe pak a shumë ishin të mobilizuara në kufirin me Kosovën.
Erhard Bühler: Po, e pashë. Dhe siç e kam thënë tashmë, dënoj faktin që masat që synojnë shtetin e së drejtës përballen me kërcënime ushtarake. Kjo nuk është Europa që unë imagjinoj. Nuk sillet kështu një qeveri që synon t’i përkasë Europës. Në anën tjetër, më duhet të them se pala kosovare nuk duhet të zbatojë me çdo kusht sundimin e ligjit kur bëhet fjalë për targat. Duhet të merret parasysh se çfarë efekti ka kjo në të gjithë Europën. Dhe duhet pasur parasysh se një situatë si kjo që është tani mund të përshkallëzohet pa dashje në çdo moment.
Ka pasur kërcënime jo vetëm nga pala serbe, por edhe nga qeveria e Kosovës, e cila në thelb ka thënë se nëse KFOR-i nuk do të mund ta bënte këtë, do t’i largonte vetë barrikadat. Si i vlerësoni kërcënimet nga të dyja palët? Sa e rrezikshme është për sigurinë dhe paqen në atë zonë?
Erhard Bühler: Të dyja palët duhet të çarmatosen verbalisht njëra-tjetrën. Pra, kërcënimet nga njëra anë janë po aq të rrezikshme sa kërcënimet nga ana tjetër. Do të mbështetesha në forcat mbrojtëse të KFOR-it atje. Ata kanë mjetet për ta bërë këtë dhe po sillen në mënyrë mjaft të zgjuar që e gjithë kjo të mos përshkallëzohet, në mënyrë që të mos ketë përdorim të padëshiruar të armëve të zjarrit. Por, edhe një herë, të dyja palët duhet të marrin përgjegjësi.
Për një kohë të gjatë kemi lejuar që një retorikë e tillë luftarake të vijë nga Serbia. Por edhe ne nga ana perëndimore kemi mbështetur përpjekjet për zbatimin e disa gjërave në lidhje me targat dhe dokumentet, pavarësisht efekteve anësore. Do t’ju kujtoj për diskutimin nga gushti. Të dyja qeveritë kishin shumë më tepër për të bërë sesa zgjidhja e këtyre problemeve relativisht të vogla. Të dy kanë sfida, veçanërisht brenda vendit. Sa i përket Kosovës, mund të përmendë vetëm arsimin apo shëndetësinë. Dhe mund të rendisë shumë gjëra të tjera. Ky duhet të jetë fokusi, jo këmbëngulja dhe zbatimi me çdo kusht.
Megjithatë, pa zgjidhjen e marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sigurisht që nuk do të ketë zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme. Çfarë do të rekomandonit në këtë drejtim? Çfarë zgjidhje politike duhet të ketë? Komuniteti ndërkombëtar është shumë i paqartë kur bëhet fjalë për zgjidhjet politike dhe situatën e sigurisë në atë zonë.
Erhard Bühler: Po, të dytën nuk do ta vlerësoj fare. Dhe sa i përket të parës, mendoj se kemi shumë kohë që merremi me detaje dytësore, detaje të bashkëpunimit teknik. Ato janë gjithashtu të rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm është pajtimi i Serbisë dhe Kosovës. Për këtë duhen të dyja palët, e mbi të gjitha njëra palë, pala serbe, sepse aty kanë përgjegjësi edhe politikanët që kanë qenë aktivë në kohën e Millosheviqit. Kjo vlen edhe për politikanët në Kosovë, të cilët nuk duhet të punojnë tani për përshkallëzim, por për deeskalim dhe pajtim. Nëse ky synim pranohet nga të dyja palët dhe kjo është ajo për të cilën po përpiqet komuniteti europian, atëherë natyrshëm do të pasojnë detajet teknike.
Por, sigurisht, pajtimi dhe detajet teknike nuk janë të mundshme pa një zgjidhje të përbashkët për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Po sigurisht. Por, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen në frymën e dokumentit të propozuar nga Franca dhe Gjermania, i cili bazohet në situatën në të cilën ndodhej Gjermania në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Dhe atëherë ju jeni në rrugën e duhur. Është në fakt pjesë e të gjithë mashtrimit.
Erhard Biller, 66 vjeçar, është një gjeneral i ushtrisë gjermane në pension. Në Kosovë fillimisht ka qenë i angazhuar nga viti 2004 deri në vitin 2006 në krye të kontingjentit ushtarak gjerman, ndërsa nga shtatori i vitit 2010 deri në shtator 2011 ka qenë komandant i KFOR-it. Në atë periudhë, në korrik dhe gusht 2011, pati edhe trazira dhe bllokime rrugësh, por gjenerali Bühler u përmbajt nga përdorimi i forcës dhe zgjidhja u arrit me negociata.