Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha është përfshirë në debatin që ka shpërthyer së fundmi në lidhje me demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Berisha përmes një shënimi në Facebook ka minimizuar rolin e Kurtit dhe Abazoviqit për këtë proces.
“Nuk e pyet kush Kurtin e as Abazoviqin për demarkacionin.
Por, debati mashtrues mund të vazhdojë përderisa ka votues që besojnë se vendimmarrja është në duart e liderëve lokalë”, ka shkruar ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme.
Sot gjatë një ngjarje kryeministri Kurti është pyetur se si do të veprojë me demarkacionin me Malin e Zi për faktin se atë kohë si pjesë e opozitës lideri i LVV-së e kishte kundërshtuar ashpër.
Kurti ka thënë se me qeverinë e re në Mal të Zi ka shpresë se çështja e korrigjimit të vijës kufitare do të lëvizë.
Edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte reaguar për këtë temë.
Në një adresim drejtuar qytetarëve, Haradinaj ka thënë se dy nga tri dokumentet kufirin e Kosovës e përcaktojnë në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit.
Marrëveshja për demarkacionin ishte nënshkruar atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjevic.
Pasditen e 21 marsit të vitit 2018, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh.