Ka vdekur pacienti nga Plava, i cili ka qenë i infektuar me virusin Covid-19

Pacienti 65 vjeçar nga Plava, i cili është mjekuar nga virusi Covid-19 në Spitalin e përgjithshëm të Beranit dhe ka qenë rasti i parë nga ky qytet i regjistruar me koronavirus, ka vdekur sot në mëngjes, varrimin e të cilit do ta bën familja e ngushtë në varrezat e Plavës.

Në këtë drejtim, theksojmë se laboratorët e mikrobiologjisë molekulare në mostrat e testuara prej orës 17:00 deri në atë 22:45, kanë zbuluar edhe tri raste të reja në Plavë, të infektuara me koronavirus, të cilat janë raste kontaktesh familjare të rastit të parë – pacientit tani të vdekur.

Instituti i shëndetit publik, njofton se në 288 mostrat e testuara gjatë 15 orëve të fundit në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të Institutit, janë zbuluar 13 raste të reja të prekura me virusin Covid-19: në Ulqin – 6, në Podgoricë – 4 dhe në Plavë – 3. 12 raste janë kontakte të rasteve të mëparshme, kurse për një rast, burimi i infektimit është në kërkim.

Në 155 mostrat e testuara dje (të enjten), prej orës 08:00-16:45, në virusin Covid-19 pozitiv kanë rezultuar 4 të testuar, të gjithë nga Podgorica, dhe në 133 mostrat e testuara në intervalin kohor 19:00-22:45, pozitiv në virus kanë rezultuar 9 persona: në Ulqin – 6, dhe në Plavë – 3.

Nga të dhënat e sipërshënuara, rrjedh se numri i të infektuarve (sëmurëve) me virusin Covid-19, prej rastit të parë e deri më sot në Mal të Zi ka arritur në 303 (168 meshkuj dhe 135 femra), prej të cilëve 52 janë fëmijë dhe të rinj (20 të moshës 0-9 vjeçare dhe 32 të moshës 10-19 vjeçare).

Struktura e moshës së të infektuarve nga pandemia e virusit Covid-19, është 45-50 vjeçare.

Pasqyrëza e të infektuarve me virusin Covid-19 në komuna:

Podgoricë-157,

Tuz-36,

Nikshiq-32,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Budva-4,

Plavë-4,

Danillovgrad-3 dhe

Tivat-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: shefi i Shtabit të krizës së shëndetit, prof. dr. Ranko Llazoviq, dhe shefja e repartit epidemiologjik të sëmundjeve infektive të Institutit të shëndetit publik, dr. Sanja Medenica, në konferencën për media, të mbajtur dje në ora 17:00, kanë dhënë një vistër përgjigjesh koncize me mjaft të dhëna analitike e shumë përfshirëse me shifra e fjalë në pyetjet e gazetarëve, shumica e të cilave kanë qenë të përqendruara me situatën e krijuar epidemiologjike në Spitalin e përgjithshëm të Beranit, përkitazi me pacientin nga Plava të infektuar nga koronavirusi, i cili prej 4 prillit gjendet i hospitalizuar për mjekim nga niveli i lartë i sheqerit në gjak, 39,8 dhe të dorës së lënduar në punë, ku pas 11 ditësh qëndrimi në repartin intern të spitalit në fjalë, pas keqësimit të gjendjes shëndetësore, i është zbuluar infektimi me koronavirus.

Doktori Llazoviq ka konfirmuar se për këtë shkak reparti intern është mbyllë, pos për 9 të sëmurë të hospitalizuar të cilët janë lënë për mjekim të mëtejmë. Ai ka bërë me dije se 42 punëtorë medicinal e të tjerë nga ky repart (10 mjek, 27 motra e teknik medicinal dhe 5 punëtorë të shërbimeve teknike), janë përcjellë në vetizolim.

Doktoresha Medenica ka theksuar se 31 të sëmurë janë të hospitalizuar për trajtim në spitalet e Nikshiqit, Tivarit e Beranit, kurse 16 prej të cilëve në Qendrën klinike spitalore në Podgoricë (10 sish në Klinikën infektive dhe 6 në atë intensive). Tre janë në gjendje stabile, kurse 3 të tjerë me shëndet të rënduar, dy nga të cilët janë të kyçur në respirator.

Me vdekjen e pacientit të sëmurë nga Plava, sot në mëngjes, numri i të vdekurve në Mal të Zi ka arritur në 5. Nga komunat e ndryshme të Malit të Zi, deri më tani janë shëruar 55 persona, të cilët për përkujdesje dhe trajtim të mëtejmë, gjenden në shtëpitë e veta.

Në shtetet e rajonit, gjendja epidemiologjike ende është emergjente, ka rritje dhe zvogëlim të rasteve të reja me virusin Covid-19.

Të dhënat e fundit dëshmojnë me shifra gjendjen e të prekurve, shëruarve dhe të vdekurve në shtetet e rajonit:

Në Shqipëri: 539 të infektuar, 283 të shëruar dhe 26 të vdekur;

Në Kosovë: 449 të infektuar, 79 të shëruar dhe 12 të vdekur;

Në Serbi: 5318 të infektuar, 443 të shëruar dhe 103 të vdekur;

Në Kroaci: 1791 të infektuar, 529 të shëruar dhe 35 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1167 të infektuar, 277 të shëruar dhe 47 të vdekur;

Në Slloveni: 1304 të infektuar, 174 të shëruar dhe 66 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1081 të infektuar, 121 të shëruar dhe 46 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj