Kamberi: Në institucionet e Serbisë po kultivohet urrejtja ndaj shqiptarëve

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se urrejtja ndaj shqiptarëve është e instaluar dhe po kultivohet përditë nga të gjitha institucionet e shtetit serb.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kamberi ka përmendur rastin e familjes nga Maqedonia e Veriut e cila u keqtrajtua dhe u dënua nga autoritetet e Beogradit sepse djali i asaj familjeje shqiptare kishte të veshur një bluzë me shqiponjë, si dhe ndalimin e shfaqjeve të filmave të autorit shqiptar.

Sipas tij këto dy akte që i ka ndërmarrë Beogradi legjitimojnë ksenofobinë antishqiptare e cila është instaluar në të gjitha instancat e shtetit të Serbisë.

Tutje, Kamberi ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare e cila siç theksoi ai, po i jep hapësirë Vuçiqit që ta vazhdojë politikën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Duke e krahasuar me Slobodan Milosheviqin, Kamberi ka shkruar se historia mund të përsëritet.