—
Sipas gazetës “Vijesti” të Podgoricës, në aksionin e sotëm të policisë së Malit të Zi kundër krimit të organizuar janë bastisur 18 persona në 21 lokacione: në 3 lokacione në Bijelo Pole, 6 në Berane, nga 3 në Plavë e Andrijevicë, nga 2 në Podgoricë e Tivar dhe nga një në Rozhajë e Guci. Në këtë aksion u konfiskuan 123 armë, u arrestuan 4 persona dhe madje është gjetur edhe një revole ilegale te një polic.
Janë arrestuar Edvin Bajraktareviq (47 vjeçar) nga Plava, Sergjan Gojkoviq (36) nga Berane dhe Emrah Muriq (36) dhe Edin Pekoviq (41) nga Tivari, të dyshuar për armëmbajtje pa leje. Nga 123 armët e konfiskuara, 103 prej tyre janë gjetur në Plavë te Edvin Bajraktareviq si vijon: 77 pushkë të llojeve të ndryshme, 24 revole, një zolë, një bombë dore, 4234 fishekë të kalibrave të ndryshme, 39 bajoneta e thika dhe 13 shpata të madhësive e llojeve të ndryshme. Përndryshe, sipas informatave që ka siguruar portali Plava e Gucia Sot nga terreni, Edvin Bajraktareviq në Plavë është i njohur si koleksionist i pasionuar shumëvjeçar i armëve.
Ndihmës drejtori i Drejtorisë së Policisë deklaroi se sot iu është dhënë një grusht i fortë krimit të organizuar dhe se konfiskimi i sotëm i armëve është konfiskim rekord i bërë gjatë një dite gjatë dy dekadave të fundit në Mal të Zi.
/Plava e Gucia Sot
—