Karl KAROL: ATY KU BASHKOHET DRINI ME VALBONEN, TEK PONARI I LEKES, E KANË SHTËPINË DHE PERËNDITË

– Shënime nga udhëtimi i studiuesit gjerman, Karol, në vitin 1938 –

… 

Këtu në Veriun e Shqipërisë pata fatin e madh të jetoja për disa ditë te një popullsi jashtzakonisht serioze dhe heronj të vërtetë. Rrallë i qëllon njeriut të jetojë në mes të heronjve, siç janë shqiptarët. 

Ende edhe sot banorët e këtyre maleve banojnë në shtëpitë e tyre të mbajtuna shumë mirë. Këto shtëpi janë kullat e famshme e të njohura shqiptare, të cilat janë si kështjella të vërteta, ku mund të luftosh edhe i vetëm kundër një ushtrie të tërë. Është gjë shumë e bukur t’i vështrosh kullat nga maja e ndonjë mali. Ato shfaqen në largësi të ndryshme nga njëra-tjetra, ashtu të bardha, tek vezullojnë në diell. Janë të ndërtuara në shpate malesh dhe shumë rrallë në fushë. 

Në mareshimin tim nëpër veriun shqiptar, unë pashë dhe vizitova disa kulla-kështjella të tilla, në bregun e djathtë të Drinit, atje kua ai bashkohet me Valbonën e deri në brendësi të vendit.

Kështu kanë jetuar këta malësorë qysh prej shekujsh duke mbrotjur me krenari e heroizëm admirues shkrepat e tyre të dashur.

Kjo krahinë e skajit më verior të Shqipërisë jeton rrallë në qetësi, pa krisma armësh. Malësorët janë në luftë të përhershme me serbët dhe me malazezët, të cilët prej kohësh kanë synuar t’i pushtojnë këto vise të bukura, po gjithnjë janë kthyer pas me turp e me humbje.

 Ata, si thuash, jetojnë dhe flenë me pushkë në dorë. Shpesh herë krahine e tyre është bërë shesh lufte ndërmjet turqëve e sllavëve, në këtë mënyrë ky vend ruan edhe pasojat e luftërave shkatërrimtare.

Vetëm duke njohur mirë historinë e shqiptarëve mund të kuptosh drejt përse këta njerëz nuk e heqin pushkën nga dora.

Por dashuria që ka shqiptari për pushkën shpesh herë është interpretuar keq nga njerëz që unë do t’i quaja pa kulturë e që nuk e njohin fare Shqipërinë , ndoshta e njohin vetëm si nocion gjeografik ose, më keq akoma, kanë interpretuar e pranuar çka thonë serbët dhe malazezët.

Ata duhet të mbrojnë me çdo kusht atë pak tokë që i ushqen dhe iu jep jetë. Ata duhet të mbrojnë jetën, e cila në këtë natyrë të ashpër, është shumë e shtrenjtë. Ata mbrojnë nderin, që për ta është i shenjtë. Ata mbrojnë lirinë, që për ta është mbi gjithçka. Kjo mënyrë veprimi, dhe traditat e tyre të bukura dhe epike, u ka hyrë në gjak dhe u është bërë natyrë e dytë.

Është e vështirë t’u flasësh për qeverinë e tyre. As që duan t’ia dinë për të, pasi edhe ajo nuk don t’ia dijë për ta. 

Por malësorët nuk kanë as ma të voglin besim edhe kundrejt fqinjëve të tyre sllavë.

Gjendja e tyre ekonomike është tepër e mjeruar. Ata nuk punojnë për vetë, por për zotërintë, latifondistët, të cilat banojnë në qytet dhe japin tokën për ta punuar kundrejt një përqindjeje të lartë. Çifligjet e ketyre zotërinjëve rriten , ndërsa tokat e vogla dhe të varfëra të malësorëve zvogëlohen pandërprerje. Kjo gjë shkakton revolta dhe kryengritje të përhershme.

Megjitha varfërinë, kam mbetur i mahnitur me mikëpritjen e tyre të famëshme,për të cilën më parë vetëm kisha dëgjuar. Tani që e jetova, iu jam borxhli, pasi nuk do të mund kurrë t’ua kthejë atë me të gjitha nderet e saj. 

Para mikëpritjes së tyre do të turpëroheshin edhe kontët e baronët me pritjet në sallonet luksozë. 

Festa më e madhe e shqiptarit është kur ka miq në shtëpinë e tij.

 I zoti i shtëpisë e ndjen veten shumë krenar, kur në shtëpinë e tij ka më shumë miq se fqinji i tij.

Në dhomën e errët, ku nuk ka ashnjë orendi tjetër përveç disa ndjenjësve të drunjta, trungje të latuar e rrogozë pranë oxhakut, shtrohet sofra e rrumbullakët. Me përzemersinë e dashurinë më të madhe, ata më nxisnin të haja. Më rrinin të gjithë me dorën në zemër. Nuk mund të imagjinohet se sa të kujdesshëm janë ndaj mikut. Shqiptari i rreptë me pushkën në krah, pranë mikut sikur shndërrohet në një njeri të dashur, të butë, i cili kurdoherë në shprehjen e fytyrës apo në zemër, ruan shqetësimin nëse e kënaqi mikun apo jo.

Me natyrën e tyre të pastër ata janë shumë miqësorë. Shpesh kam përshtypjen se janë si fëmijë të pafajshëm. Por ngacmohen lehtë. Si pasojë e ndjenjës së fortë të krenarisë e të nderit, shpesh edhe një fjalë e vetme, e lëshuar pa kujdes, i lëndon e i prek. Prandaj në këtë vend burri duhet të matet mirë para se të flasë. Fjalët e tij nuk duhet të jenë lënduese e me nënkuptime. Në rast të kundërt, një fjalë e hedhur kot ose e lëshuar pa u menduar, bëhet shkas për ngjarje të jashtëzakonshme.

Është shumë e lehtë të miqësoshesh e të fitosh simpatinë e tyre. Me ta, po qe se je i drejtë, trim e i besës, bëhesh shpejt vëlla.

Malësorët janë të apasionuar pas bisedave publike ose kuvendeve, siç i quajnë ata. Ata i kushtojnë kujdes të veçantë zakonit për të folur bukur. Në mbledhjet e popullit, çdo njeri ka të drejtë të shprehë në mënyrën më demokratike mendimin e tij. Fjala që thotë malësori në kuvend duhet të jetë lakonike, por kurdoherë të prekë thelbin e çështjes. Ai nuk duhet të thërrasë, pasi kjo cënon respektin që duhet të ketë ndaj auditorit. Njëkohësisht nuk duhet të flasë me zë të ulët, sepse kjo i lodh dëgjuesit e tij. Kur ai flet me humor dhe përdorë figura të bukura, korr edhe duartrokitje.

Edhe natyra që i rrethon në çdo hap ka pjesën e saj në formimin e karakterit të shqiptarit. Dua të them se nuk ka përshtatje më të mirë se ai me natyrën e tij.

Një ditë vizitova derdhjen e Valbonës. 

Ky lumë sjell me vete po aq ujë sa edhe Drini. Janë ujrat që mblidhen në të gjithë këtë krahinë malore. Në krahasim me ujërat e Drinit, ujërat e Valbonës janë krejt të kristalta dhe tepër të ftohta.

Fill pas derdhjes fillon një grykë me mure shkëmbore, që arrijnë 400-500 metra lartësi. Në murin e djathtë ndodhet një zgavër 20 metra e lartë, e cili nga uji i lumit dhe rrjedha e vazhdueshme e tij është bërë krejt e lëmuar. Kjo grykë mbyllet pas një ndërprerje të shkurtër nga një mur tjetër. Ky mur përbëhet nga mermer i bardhë. Blloqe madhështore e të mëdha mermeri bien thikë e në lumë, i cili në këtë vend ecënme shpejtësi të madhe.

Bimësia dhe pemët në këta lloje shkëmbinjësh dhe formacione gurësh janë të kursyer. Ngadalë po i afrohesha çarjes së njohur të Drinit nëpër Alpet e Shqipërisë Veriore. Këtu Drini ndan e copëton Alpet Shqiptare në një kanion prej më shumë se 50 km të gjatë. Vende-vende ky kanion ka shpate që ngrihen edhe në 100 metra lartësi.

Ndodhesha në vendinmë të braktisur të Europës, ashtu siç më dukej mua në ato çaste. Këtu, te këta shkëmbinj ngjyrë hiri, që dukeshin se arrinin deri në qiell, fillova të mendoja për gjërat, që në botë nuk kanë kohë të mendojnë e për të cilat nuk ka përgjigje. Çfarë je ti, njeri i vogël në këtë natyrë që përfshin e rrethon gjithçka? Përse, për çfarë je këtu? Më dukej vetja një grimcë fare pa rëndësi.

I frikësuar nga kjo natyrë e madhërishme, në bukurinë dhe egërsinë e saj, si dhe i gëzuar, njëkohësisht, që pata fatin të ndodhesha aty dhe ta shijoja, fillova të vrojtoj me imtësi çdo detaj, çdo shkëmbi, çdo gurë të këtij vendi të magjishëm. Kjo që po shikoja e po jetoja shihet vetëm një herë në jetë. Ajo nuk mund të konceptohet apo të imagjinohet nga astenjë njeri që nuk e ka parë me sytë e vet. Transmetimin e bukurive të këtyre anëve nuk mund ta bëjnë asnjë ndërmjetës dhe asnjë libër, sadopoet apo shkrimtar i madh , vrojtues i mprehtë të jetë ai që e ka shkruar. Bukuria e këtij vendi të hyn në zemër e të mbetet tërë jetën në mendje.Atë e ndjen në çdo qelizë të trupit tënd.

Është bukuria më e mahnitshme që mund të imagjinojë njeriu. Shpesh herë njerëzit fetarë imagjinojnë më të bukurën nga gjithçka Shtëpinë e Zotit. Jemi pra në grykat e Shqipërisë, në vendin ku bashkohet Drini me Valbonën. Pra unë e them me plot gojën: këtu e kanë shtëpinë dhe Perëndit.