PRISHTINË
I nderuar kryeministër z. KURTI,
Urojmë të jeni mirë.
Ju drejtohemi me këtë shkresë lidhur me mundësinë e heqjes së tarifës për siguracion të automjetit me rastin e udhëtimit nga Mali i Zi për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, shqetësim ky që shumë shpesh u adresua pranë Këshillit Kombëtar, në të shumtën nga studentët. Sipas tyre, qytetarët shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia (Lugina e Preshevës) nuk e kanë të detyrueshme pagesën e siguacionit për automjet me të hyrë në Republikën e Kosovës, përjashtim këtu bëjnë qytetarët shqiptarë nga Mali i Zi.
Shqiptarët nga Mali i Zi, në veçanti studentët, më të hyrë në shtetin e Kosovës duhet të pajisen me kartonin e sigurimeve për automjet, i cili për një përiudhë kohore dy javore minimalisht kushton 15.00 (pesëmbëdhjetë) euro, duhet shtuar këtu edhe tarifën njëdrejtimshe prej 5.00 (pesë) euro që duhet të paguajnë për traun në Rrugën e Kombit, të cilën e ka vendosur Qeveria e Shqipërisë vite më parë, në këtë mënyrë secili shqiptar nga Mali i Zi, i cili për arsye të ndryshme udhëton me automjet drejtë Kosovës dhe anasjelltas, i duhet të shpenzojë nga buxheti familjarë së paku 25.00 (njëzet e pesë) euro për taksa administrative, përafërsisht po aq sa edhe kostoja e karburantit për të dy drejtimet. Mendojmë se kjo është një barrë jo e vogël financiare për familjet shqiptare në Malin e Zi, e në veçanti për studentët.
Duke u nisur nga këto të dhëna, kërkojmë që, sipas mundësive, në koordinim edhe me Qeverinë e Malit të Zi, të gjeni zgjidhje të pranueshme për të dy shtetet sa i përket kësaj çështjeje, duke lehtësuar barrën për buxhetin e qytetarëve dhe, nga ana tjetër, besojmë se kjo do të sillte impakt në intesifikimin e qarkullimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet vendeve fqinje.
Më shpresën se do të bëni më të mirën për lehtësimin e shpenzimeve administrative për levizjen e qytetarëve ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, ju dëshirojmë ditë të mbarë!
Me respekt,
Kryetari
Faik Nika
P.S. Shkresë e ngjashme është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ministres znj. Donika Gërvalla.