Tani që data e zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi është dekretuar nga Presidenti më 30 gusht 2020 Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, i bën apel subjekteve politike shqiptare, gjegjësisht drejtuesve të subjekteve, që pa humbur kohë të bëjnë përpjekjet e nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje për pjesëmarrje në zgjedhje, me një listë të unifikuar shqiptare, thuhet në një kumtesë për opninion të Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, transmeton Ulqini online.
Të bindur se ky është vullnet i pjesës më të madhe të elektoratit shqiptar në Mal të Zi, të cilët votojnë tradicionalisht për subjektet nacionale, po ashtu besojmë se do të ketë përkrahje edhe nga diaspora jonë.
Unifikimi i subjekteve kombëtare është e udhës të bëhet rreth një platforme politike të përgatitur mirë, e cila do të përfshijë të gjitha çështjet me të cilat ballafaqohen sot shqiptarët në Malin e Zi, sipas prioriteteve: që nga ruajtja e identitetit kombëtar, parandalimi i asimilimit, përfaqësimi proporcional e dinjitoz në institucione, decentralizimi i pushtetit vendor, arsimi në gjuhën shqipe, respektimi i të drejtave kombëtare e deri te investimet dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i qendrave ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi etj. E njëjta platformë do të jetë edhe parakusht për pjesëmarrje ose jo të shqiptarëve në qeverisjen e ardhshme në Mal të Zi, vazhdon kumtesa.
Këto mund të jenë disa nga parimet mbi të cilat do duhej të ndërtohet marrëveshja dhe besimi i votuesve shqiptarë në Malin e Zi, për listën e përbashkët kombëtare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ka argumente të mjaftueshme se unifikimi i subjekteve nacionale shqiptare në garat elektorale, në ata shtete ku shqiptarët janë pakicë, ka rezultuar i suksesshëm. Kemi rastin e garës elektorale për Komunën e Tuzit në zgjedhjet e fundit lokale dhe po ashtu bashkimin e subjekteve politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës për zgjedhjet e fundit në Serbi, që ka rezultuar me rritje të numrit të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Serbisë.
Vendimet e drejtuesve të subjekteve politike sot, për t’u bashkuar ose jo për zgjedhjet e ardhshme, koha do të dëshmojë nëse ishin të drejta ose të gabuara, ndërsa pasojat gjithsesi do të bien tek shqiptarët, nga ana tjetër votuesi shqiptar në Malin e Zi do të japë gjykimin më të drejtë, për t’iu besuar ose jo subjekteve nacionale edhe në të ardhmen, jo se çështjet kombëtare do të zbehen me kalimin e kohës, por përfaqësimi dhe ballafaqimi i tyre i drejtë do të duket mision i pamundur dhe kemi bindjen se do të rezultojë me braktisje të mbështetjes për subjektet nacionale dhe ndoshta me pasoja të paimagjinueshme për tjetërsim dhe asimilim të vazhdueshëm të shqiptarëve në Malin e Zi në të ardhmen.
Për këto arsye dhe shumë të tjera që nuk mund të përmblidhen në një kumtesë, Këshilli Kombëtar para disa ditëve, përmes një shkrese zyrtare i’u është drejtuar të gjithë kryetarëve të subjekteve nacionale shqiptare në Mal të Zi, që të bëjnë gjithçka dhe të bien dakord për një listë të përbashkët shqiptare.
Prandaj, nuk duhet humbur kohë, por duhet reflektim i menjëhershëm dhe unifikim për sfidat elektorale që i kemi para dhe anashkalim të mërive nga e kaluara dhe ambicieve personale të secilit, për hir interesave të përgjithshme të shqiptarëve në Malin e Zi, përfundon kumtesa e Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi.