KKSH realizoi një sërë takimesh në Prishtinë

Përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe Ministrisë së Arsimit, në kuadër te vizitës zyrtare në Prishtinë më 05.06. 2019, zhvilluan disa takime në institucionet e Republikës së Kosovës. Delegacioni i shqiptarëve nga Mali i Zi përbëhej nga: Kryetari i Këshillit Kombëtar Faik Nika, sekretari Lindon Gjelaj, drejtori i Drejtorisë për Arsimin e Pakicave në Ministrinë e Arsimit në Mal të Zi Marash Dukaj dhe anëtaret e Komisionit për Arsim pranë Këshillit Kombëtar, Adriana Hoxha dhe Jeta Hasangjekaj.

Fillimisht delegacioni zhvilloi takim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku u prit nga ministri Shyqiri Bytyqi me bashkëpunëtorë. Në takim është diskutuar për çeshtjen e kuotave në Universitetin e Prishtinës për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi, veçimi i tyre në kolonë të veçantë, rritja e numrit, shqyrtimi i mundësisë për njohjen dhe ekuivalentimin e provimit të maturës shtetërore, nevoja e asistimit me mjete mësimore, lektyra shkollore, harta gjeografike në gjuhën shqipe, nevoja e përshpejtimit të procedurave të nostrifikimit të diplomave etj. 

Takimi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”

Takimi i rradhës është  zhvilluar me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku dhe bashkëpunëtorët e tij dhe është biseduar për mundësinë e furnizimit me literaturë në gjuhën shqipe për bibliotekat  e shkollave, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe po ashtu, furnizimi i bibliotekave të qyteteve si: Ulqini, Tuzi dhe Plava. U diskutua edhe për bashkëpunimin për hartimin e një bibliografie të veprave në gjuhën shqipe, të botuara në Mal të Zi.

Takimi në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Takim i një rëndësie të veçantë është zhvilluar me zv. Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku, në të cilin  është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit kulturor më shqiptarët në Mal të Zi me qëllim promovimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.

Takimi në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

Takimin përmbyllës delegacioni e zhvilloi në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, në të cilin është mirëpritur nga rektori Marjan Dema, me bashkëpunëtorë. Në takim është diskutuar për kuotat në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi, njohja e provimit të maturës së kandidatëve nga Mali i Zi që i nënshtrohen provimit pranues, përshpejtimi i procedurave të njohjes së diplomave etj. 

Organizimi i këtyre takimeve vjen si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer institucional me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Podgoricë.