Klubi i Karatesë “Ulqini” Feston 50 Vite veprimtari , gjithënjë në Qendër të Sportit Rajonal: Turneu i 21-të 

TURNEU XXI NDËRKOMBËTAR I KARATESË “ULQINI – ULCINJ OPEN 2025”

Shkruan: 
Ardita Rama, mjeshtre e karatesë, aktualisht sekretare e KK “Ulqini”

Të dielën, më 6 prill 2025, në palestrën sportive të Shkollës Fillore “Mareshali Tito” në Ulqin, u mbajt Turneu i 21-të Ndërkombëtar i Karatesë “ULQINI OPEN 2025”, një ngjarje që shënoi një tjetër edicion të suksesshëm të këtij turneu tradicional, i cili mbahet për nder të Ditës së Ulqinit. Ky turne, gjithashtu, shënoi një moment historik të veçantë – 50-vjetorin e themelimit të Klubit të Karatesë “Ulqini”.

Për pesë dekada, ky klub ka qenë një vatër e sportit dhe një shkollë e disiplinës, përkushtimit dhe sukseseve të shumta. Breza të tërë sportistësh kanë mbajtur lart emrin e Ulqinit në arenën vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dëshmuar se me punë të palodhur dhe pasion mund të arrihet gjithçka. Ky turne i dedikohet atyre që kanë kontribuar në ndërtimin e këtij klubi – sportistëve, trajnerëve, prindërve dhe mbështetësve të tij të shumtë gjatë këtyre viteve.

Turneu “Ulqini Open” mbahet në kuadër të Ditës së Ulqinit, një ngjarje që na kujton historinë dhe traditën e pasur të qytetit. Ulqini, i njohur për bukurinë e tij bregdetare, është gjithashtu një qendër e kulturës, sportit dhe mikpritjes. Ky turne shërbeu si një mundësi për të shpërndarë këto vlera, duke ofruar një mikpritje të veçantë për ekipet pjesëmarrëse nga vende të ndryshme.

Turneu i 21-të Ndërkombëtar i Karatesë “Ulqini Open 2025” u realizua nën patronatin e Komunës së Ulqinit dhe me mbështetjen e Kryetarit të Komunës, Genci Nimanbegu. Organizatorët e turneut ishin Klubi i Karatesë “Ulqini” dhe Federata e Karatesë së Malit të Zi. Hapjen e turneut e bëri Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse uroi klubin për 50-vjetorin dhe theksoi rëndësinë e sportit në ndihmën që ofron për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme. Ai gjithashtu theksoi krenarinë që qyteti ka për sportin e karatesë dhe shpirtin luftarak. Si shenjë falënderimi për mbështetje në organizim të Turneut dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe afirmimin e Klubit, Kryetarit Nimanbegu iu dorëzua një Mirënjohje nga Klubi i Karatesë “Ulqini”.

Cilësia e turneut dhe rëndësia e tij u vërtetuan nga pjesëmarrja e jashtëzakonshme e garuesve dhe klubeve. Në “Ulqini Open2025” morën pjesë 703 sportistë, 37 ekipe dhe 75 klube nga 9 shtete të rajonit, me gjithsej 1075 paraqitje. Po ashtu, edhe drejtësinë në turne e ndanë gjyqtarët më me përvojë nga mbarë rajoni.

Ky ngjarje ndërkombëtare është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar sportin e karatesë, për të festuar arritjet e sportistëve dhe për të nxjerrë në pah talente të reja. Po ashtu, “Ulqini Open” kontribuon në zhvillimin e turizmit sportiv në qytet dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e aktiviteteve sportive.

Prania e zyrtarëve të lartë të ekipeve pjesëmarrëse nga mbarë rajoni dhe dorëzimi i Mirënjohjeve për kontributin e tyre në zhvillimin e Klubit të Karatesë “Ulqini” dhe për bashkëpunimin shumëvjeçar ishte një moment tjetër i rëndësishëm i kësaj ngjarjeje. Me Mirënjohje u shpërblyen Federata e Karatesë së Malit të Zi, Federata Shqiptare e Karatesë dhe Federata e Karatesë së Kosovës, për kontributin e dhënë në afirmimin e Klubit dhe mbështetje në zhvillimin e tij.

Gjithashtu, në shenjë falënderimi për mbështetjen në realizimin e këtij Turneu dhe për përkrahjen e vazhdueshme ndaj klubit dhe garuesve, Mirënjohje iu dorëzuan Sekretariatit për Sport dhe Rini dhe Sekretariatit për Financa dhe Buxhet të Komunës së Ulqinit. Mbështetja e institucioneve të pushtetit lokal është thelbësore në rrugëtimin e klubit drejt sukseseve dhe zhvillimit të sportit në përgjithësi, duke mundësuar që të rinjtë të realizojnë potencialin e tyre dhe të rriten si sportistë dhe individë të kompletuar.

Me rastin e jubileut të artë, 50-vjetorit të Klubit të Karatesë “Ulqini”, u dorëzuan Mirënjohje për bashkëpunim të suksesshëm dhe për kontributin në zhvillimin dhe afirmimin e klubit, personaliteteve të shquara të jetës politike, shoqërore, kulturore dhe sportive, të cilët nderuan me pjesëmarrjen e tyre.

Pas ndarjes së Mirënjohjeve, me respekt dhe emocion, u kujtua trajneri i nderuar i Klubit të Karatesë “Ulqini”, Ibro Kurtish, i cili u nda nga jeta më 1 shkurt 2025. Trajneri Ibro, me përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, dashamirësinë dhe pasionin, ka lënë një trashëgimi të paharrueshme në mesin e anëtarëve të klubit. Si shenjë mirënjohjeje e dashurie, familjes së tij iu dorëzua një Mirënjohje Post Mortem, për të nderuar kujtimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e klubit dhe sportit të karatesë.

Turneu u zhvillua në një atmosferë të pastër sportive, duke promovuar sportin e bukur të karatesë, bashkëpunimin dhe pasionin për sport. Ky turne dëshmoi edhe njëherë se sporti ka fuqinë të bashkojë dhe të frymëzojë.

Klubi i Karatesë “Ulqini” u tregua një nikoqir i shkëlqyer, duke organizuar këtë ngjarje me nivel të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi. Trajnerët dhe garuesit pjesëmarrës u shprehën të kënaqur me organizimin, mikpritjen dhe nivelin e lartë sportiv të turneut. Turneu dëshmoi një cilësi të lartë të garuesve dhe përfaqësim të denjë të klubeve pjesëmarrëse nga vende të ndryshme. Përveç medaljeve të shumta që morën garuesit e tyre, nga një Mirënjohje me rastin e jubileut të artë, 50-vjetorit të Klubit të Karatesë “Ulqini” për bashkëpunim të suksesshëm dhe për kontribut në zhvillimin dhe afirmimin e Klubit, iu dorëzua çdo klubi pjesëmarrës. 

Klubi më i suksesshëm i Turneut “Ulqini Open 2025” ishte klubi nikoqir – Klubi i Karatesë “Ulqini”, por ai si organizator nuk mori pjesë në ndarjen e shpërblimeve për plasmanin gjeneral. Vendi i parë i takoi Klubit të Karatesë “Omlladinac” nga Podgorica, vendi i dytë iu nda Klubit të Karatesë “Bar” nga Tivari, vendin e tretë e fitoi Klubi i Karatesë “Potoci” nga Plevla, ndërsa në vend të katërt u rendit “Omladinski karate klub Mawashi” nga Nikshiqi. Garuesja më e mirë e Turneut u shpall Yllëza Rama nga Klubi i Karatesë “Ulqini”.