Koalicioni shqiptarë “Bashkë një za” e ka marrë dhe e ka pranuar ftesën e kryeministrit Zdravko Krivokapiq për takim në javën e ardhshme, ka deklaruar deputeti i këtij koalicioni e kryetar i Partisë demokratike, Fatmir Gjeka. Ai për gazetën “Dan” ka theksuar se për kryeministrin në këtë takim nuk do të këtë kurrfarë kërkesash. Ai megjithatë ka shtuar se akoma nuk dihet data e saktë e takimit me kryeministrin.
Sa u përket atyre, siç ka theksuar ai , gjithmonë kanë thënë se janë të gatshëm për bisedime dhe kësaj i kanë mbetur besnik, edhe pse u duket se e gjithë kjo deri diku është e imponuar. Në pyetjen nëse i mbeten besnik qëndrimit se nuk do të marrë pjesë në Qeverinë në të cilën do të jenë edhe përfaqësuesit e Frontit Demokratik, ai ka theksuar se ata të cilët nuk i kuptojnë proceset globale dhe rajonale , për të cilët klerikalizmi është bazë e veprimtarisë politike, ata të cilët nuk i shohin të gjithë qytetarët e Malit të Zi të barabartë, nuk mund të jenë aleatë të tyre politikë.