Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Komuna e Malishevës dhe SHFMU “Emin Duraku” në Dragobil, nderuan mësuesin vuthjan Shaban Bajrami Gjonbalaj për kontributin jetësor në arsimimin e gjeneratave të reja në fshatrat: Dragobil, Lladroc, Shkozë dhe Malishevë


Dje, me 04 maj 2022, drejtori i SHFMU “Emin Duraku” në Dragobil së bashku me përfaqësuesin e Drejtorisë Komunale për Arsim dhe Edukim, z. Enver Mazreku, Drejtorin e Administratës së Përgjithshme, z. Fatmir Ademaj, si dhe stafin e mësimdhënësve dhe stafin teknik të shkollës nderuan jetën dhe veprën e mësuesit Shaban Gjonbalaj. Me këtë rast, në 50 vjetorin e ndarjes nga jeta, si në emër të shkollës “Emin Duraku” poashtu edhe në emër të Komunës së Malishevës, mësuesi Shaban Gjonbalaj u nderua me mirënjohje Post Mortum, për kontributin jetësor në arsimimin e gjeneratave të reja në fshatrat: Dragobil, Lladroc, Shkozë dhe Malishevë. 

Për më shumë info klikoni në linkun: 

https://hi-in.facebook.com/1380398245386327/posts/3410004592425672/

SHABAN GJONBALAJ – mësuesi vuthjan i Plavë e Gucisë

1933 – 1972

U lind më 31 mars 1933 në Gurrëz të Shqipërisë, ku ishin shpërngulur prindërit e tij mes dy luftërash botërore, si shumë malsorë të tjerë të dëbuar nga pushteti malazez. 

Shkollën fillore e filloi në Shkodër, të cilën e la pastaj në moshën 9 vjeçare për t’u kthyer me familjen përsëri në Vuthaj në vitin 1942. Babain nuk e kishte më, sepse i kishte vdekur nga malarja në spitalin e Tiranës, por e ëma, u kthye me të katër fëmijët në trojet stërgjyshnore të Vuthit. Dashurinë, guximin dhe dëshirën për mësim e përparim ia dha kjo malsore, që me punë blegtorie e punë dore, bënte çmos që t’ia paguante Shabanit të ri shkollimin në Gjimnazin e Prizrenit nga viti 1949 të cilin e kurorëzoi me sukses më 1953.

Mbas gjimnazit u kthye në Vuthaj dhe filloi të punojë si mësues në fshatin Martinaj.

Në fund të viteve të 50-ta dhe në fillim të të 60-ave jeta e shqiptarëve në Mal të Zi shëndrrohet sfidë egzistence, sidomos për intelektualët e shkolluar. Përndjekjet, persekutimet dhe likuidimet e kohës së Rankoviqit detyrojnë shumë të rinjë të ikin dhe të marrin rrugët e botës. Synimet ogurzeza të UDB-s e kishin vënë në shënjestër edhe mësuesin e ri të shkollës shqipe të Martinajve, i cili brenda natës në maj të vitit 1963 detyrohet ta lëshojë Malsinë e vet, për të gjetur strehim në Kosovë bashkë me familjen e tij.

Vitet vijuese e gjetën duke punuar si mësues nëpër fshatrat e komunës së Rahovecit: Dragobil, Lladroc, Shkozë e Malishevë. Shumë shpjet fitoi respektin dhe u bë i dashur për vendësit që e pranuan, jo vetëm si mësues, por edhe si birin e tyre. Akoma kujtohet me krenari në këto anë, sidomos nga nxënësit e tij, që sot kanë arrijtur majat e dijes, artit e kulturës. Ja një kujtim i bukur në Ditën e Mësuesit nga një ish nxënës i tij:

”Mars 7

I dashur mësues,

Për çdo 7 mars, më shtohet malli dhe dashuria për mësuesin tim, për mësuesin tim vuthjan që shpirtërisht jetonte si në këngët e Lahutës.

Më shtohet malli për mësuesin, i cili si bilbili recitonte vargjet e Fishtës, jo vetëm neve nxënësve, por edhe burrave nëpër odat e Llapushës… Më dalin përpara pleqt e fshatit, sy e vesh duke i peshuar vargjet e recituara me këngën e Oso Kukës të kënduar nga rapsodët…

Kur e sjell ndër mend dhe e parafytyroj, më bëhte se kam njohur kreshnikët, sikur kam jetuar në Vraninë, sikur kam pi ujë te Krojet e Ali Pashës.

Curr, Besë, Dritë, Zanë, Teutë, Vjollcë, Flutur dhe Valbonë, kudo qofshi, krenohuni me heroin tim, mësuesin tim Shaban Gjonbalaj. Edhe emrat tuaj janë pjesë e misionit të tij.

Gruaja ime dhe ju fëmijët e mi të dashur, ky ishte mësuesi im.

Të faleminderit i dashur mesues!

Haki Gajraku”

Pas përfundimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë, dega Gjuhë Shqipe, në vitin 1970 fillon të punojë si arsimtar i gjuhës shqipe në Shkollën fillore “Mustafa Bakia” në Prizren. Nxënësit dhe kolegët e punës e respektonin për përkushtimin, çiltërinë dhe afërsinë e tij prej mësimdhënësi. Prizrenin e donte pa masë. Tashmë ishte baba i lumtur i 8 fëmijëve, bashkëshort shumë i dashur dhe person i respektuar nga kushdo që kishte kontakte me te.

Shabani vazhdoi studimet në Fakultetin e Albanologjisë tëUniversitetit të Prishtinës. I kishte mbaruar të gjitha provimet dhe i kishte mbetur vetëm diploma që për temë kishte: ”Karakteristikat e gjuhës shqipe në krahinën e Plavë-Gucisë”, por kjo temë nuk u mbrojt kurrë…

Më 4 maj 1972, nuk i zgjoi dot fëmijët e tij për të shkuar në shkollë, sepse akoma pa lindur dielli nuk kishte arritur dot t’i spjegojë mjekut kujdestar të Spitalit të Prizrenit gjendjen e tij të rënduar shëndetësore! Vdiq në moshën 39 vjeçare.

Plavë e Gucia, Dragobili, Lladroci, Shkoza, Malisheva, Gjakova e Prizreni ishin vendet ku veproi dhe i deshti shumë, e kjo dashuri iu kthye jo vetëm nga nxënësit e kohës, por edhe nga banorët e këtyre trevave.

Kështu edhe mbas një gjysëm shekulli, atje në Amerikën e largët e kujton edhe shoku i tij i fëmijërisë Ismail Ali Ahmeti në librin me poezi “Vargu Flakrues”. 

KËNGË PËR MIQËSINË E PARË

Kushtuar Shaban Bajramit Gjonbalaj

Kur netët rënkonin e ditët vajtonin

Kur zemrat shqiptare u bënë farmak

Se trojet tona pikonin gjak,

Fati më lidhi me një shok të rrallë

Që e kisha afër në mahallë.

Dashuria për atdhe e shqiptari,

etja e zjarrtë për dritë e liri,

Urrejtja e thellë për çdo armik

Miqësinë tonë e bënë çelik.

Mësonim bashkë si mocakë të ri

Flisnim për kombin në fshehtësi,

 kohë të lirë bënim sport

notin e vrapin e donim fort

gurin e hidhnim në lule të rinisë

bash te Krojet e Ali Pashë Gucisë.

Shokut tim, kur shkonte dasmor

I kishte hije kostumi arbëror.

Kur vishej shik me jelek e këmishë

Me ata sy kaprolli e zbuste një bishë,

kur mbi vetulla e hidhte plisin

dukej se bora e zbardhte lisin

kur belin me shokë e lidhte ky djalë

ylberi të dukej se doli mbi mal

kur bridhte n’Guci me çakshir të bardhë

e shponte me sy pushtuesin barbar

kur shkonte në dasma e në miqsi

fshehtas vashat e puthini me sy,

kur fliste me pleq e burra të rrallë

rrudhat e thella ua shuante në ballë

Ky djalë i ri fliste si burrë

Kosovën nga goja s’e hiqte kurrë

Pikëllohej fort për fatin e Shqipërisë

Që s’doli kurrë prej tiranisë

Poetët tanë i adhuronte

Me Alpet tona i krahasonte

Ma thoshte shpesh në mes të dalldisë

Se ata janë Ora e shqiptarisë.

Fishtën e lexonte me lot në sy

Oso Kuka e kishte përpi

Naimin e donte për vargun e artë

I pëlqente Çajupi me kamxhikun e zjarrtë

Pashko Vasën e quante kreshnik

Se qiti i pari kushtrimin epik

Me gaz Mjedën e shpallte profet

Nga fryma e tij udhëhiqej në jetë

S’besonte ky trim në bestytni

Shqiptarin besnik e kishte perëndi.

Kështu mendonte ky shok i rrallë

Me të cilin u ndava si në përrallë.

Një natë me shi dola n’Shqipëri

Se gati më vrau udbashi i zi.

Ai shkoi në Kosovë ku punoi si profet,

por vdekja e zezë shpejt e gjet’

i pushoi zemra në Prizren

mandata e tij më la pa mend.

Kështu u gremis ky djalë skifter

Po vdekja e tij mbeti mister…

Pas kësaj zije kalova dekada

Me ditë të bukura e me shtrëngata,

por miqësia e parë më dha jetë

se kudo më ndoqi si diell e kometë.

Lavdi jetës dhe veprës të mësuesit Shaban Bajrami Gjonbalaj!

/Plava e Gucia Sot

Exit mobile version