KONTRIBUT ME VLERË NË FUSHËN E STUDIMEVE PEDAGOGJIKE DHE HISTORIKE

Mësimdhënësi dhe studiuesi i pasionuar Demë Mulliqi ka ardhur këto ditë para lexuesit me librin e ri “Rishfletim”, një përmbledhje e kumtesave dhe vështrimeve që autori i ka mbajtur në konferenca shkencore dhe tubime, apo janë botuar në shtypin e kohës (“Bota sot”, “Koha ditore”, “Shkëndija”, “Gurra”, “Lemba”, “Koha javore”, “Kronika”, “Gazeta shqiptare” etj.). 

Vështrimet dhe kumtesat trajtojnë tema dhe çështje të ndryshme nga fusha e arsimit dhe e pedagogjisë, ndriçojnë ngjarjet historike dhe personalitetet kombëtare etj. Duke qenë i lidhur me Ulqinin dhe shqiptarët në Malin e Zi, një pjesë e kumtesave merren me shqiptarët dhe trevat shqiptare në Malin e Zi. Si tërësi, ato paraqesin një kontribut me vlerë në fushën e studimeve pedagogjike dhe historike. 

Redaktor i librit është Ali Salaj, recensent Dr. Nail Draga, kurse redaktor teknik Qazim Muja.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

Demë Mulliqi ka lindur në fshatin Raushiq të komunës së Pejës. Është autor i librave: “Skënderbeu, edukator i kombit shqiptar”, “Shkollat e mesme të Pejës nën okupim (1990/91-1997/98)”, “Rrugëtimi i shkollës dhe arsimit në komunën e Pejës deri në vitin 1945”, “Zilja e thyer – Shkolla fillore kosovare në Mal të Zi (1998-1999)”, “Raushiqi mbi themelet e ankikitetit (monografi)” dhe “Përtej shprese” (roman). “Rishfletim” është libri i shtatë i tij. 

Për kontributin në fushën e arsimit dhe çështjes kombëtare, Demë Mulliqit i janë ndarë shumë mirënjohje nga institucionet arsimore dhe shtetërore.

       Ulqin, më 07. 04. 2022 ​      SHAI “Art Club”