Konventa Greko – Turke në shkëmbim të popullsisë (1923) dhe pasojat për shqiptarët në Çamëri

Harta e Çamërisë

Dr.Nail Draga, Ulqin

Abstrakt

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore harta politike e Evropës pësoi ndryshime në sajë të vendimeve të Fuqive të Mëdha. Në këtë aspekt u arriten marrëveshje ne mes vendeve të ndryshme, ku nder ma të rëndësishmët është ajo e vitit 1923, në mes Turqisë dhe Greqisë. Kemi të bëjmë me një marrëveshje të veçantë e cila legalizoi shkëmbimin e popullsisë turke e greke nga njëri vend në tjetrin, që është rast i veçantë dhe i panjohur deri në atë kohë. Një veprim i tillë ishte për të konsoliduar këto shtete të cilët u homogjenizuan, ku si kriter ishte përkatësia fetare e popullsisë së shkëmbyer. Ne këtë aspekt e pësoi edhe popullsia shqiptare e Çamërisë, sepse duke i trajtuar shqiptarët të përkatësisë myslimane si turq, në mënyrë të dhunshme i detyruan të shpërngulën nga viset e vendbanimet e tyre duke u vendosur në Turqi. Ishte ky një diferencim fetar, duke eliminuar ate kombëtar, qe ishte në kundërshtim me interesat kombëtare të popullsisë shqiptare, ndërsa me pas në vendbanimet e tyre u vendosën popullsi greke qe si qellim kishte kolonizimin e vendbanimeve shqiptare për të ndryshuar strukturën kombëtare të Çamërisë.

***

Në sajë të vendimeve të Konferencës së Londrës(1912/13) me tepër së gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare, mbeti jashtë shtetit të pavarur të Shqipërisë. Një vendim i tillë ishte tragjik, sepse të tjerët përkatësisht Fuqitë e Mëdha vendosin për fatin e shqiptarëve. Të ndodhur ne fqinjësi me dy popuj, sllavët dhe grekët të cilët kanë pasur aspirata të vazhdueshme për zgjërim territorial ndaj hapësirës etnogjeofrafike shqiptare, politika e tyre pushtuese, si mision kishte spastrimin etnik e territorëve të reja të aneksuara.

Në këtë periudhë kohore popullsia shqiptare në Shqipërinë e Poshtme, ku bënin pjesë viset dhe vendbanimet shqiptare te aneksuara nga Greqia, ku në veçanti dallohej krahina e Çamërisë ishte në goditje të vazhdueshme të politikës të pushtetit grek. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe se kemi të bëjmë me një krahinë homogjene ku dominonte popullsia shqiptare e dy besimeve(myslimane dhe ortodokse). Por duke pasur parasysh se shteti grek si atëherë edhe sot çështjen fetare e ka parësore në politiken shtetërore, ndaj shqiptarëve të konfesionit islam kishte qasje të veçantë, për asimilimin apo shpërnguljen e tyre, ndërsa me pas helenizimin e kësaj krahine.

Çamëria krahinë shqiptare

Krahina e Çamërisë shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë së Poshtme, nga Liqeni i Butrintit e lumi i Pavllës, në gjirin e Prevezës, me rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margelliçit, të Paramithisë, të Pargës, të Prevezës e të Filipjadhës, me një sipërfaqe prej 5000 km2, me një vijë bregdetare prej 100 km dhe popullsi shqiptare(myslimane e ortodokse) prej me shumë së 75000 banorë(viti 1913).

Përveç krahinës së Çamërisë hapësirës etnogjeografike shqiptare iu shkeputën edhe vise të tjera ku kishte numër të madh të popullsisë shqiptare, si Janina qe kishte qenë kreqendra e Shqipërisë së Poshtme, Voshtina, konica, rrethet e Kosturit, e të Follorinës dhe fshatra të tyre në jug të Gramozit, ku kishte gjithashtu popullsi shqiptare. Duke llogaritur dhe numrin e këtyre kazave,numri i popullsisë shqiptare në trojet qe iu dhanë Greqisë arrinte në më shumë se 120.000 frymë.

Cekim me këtë rast se nga krahina e Çamërisë ne kuadër të Shqipërisë mbeti një pjesë e vogël, e ate kryesisht nga ana e Konispolit me 13 fshatra.

Dhuna ndaj popullsisë shqiptare

Ne rrethana të reja shoqërore e politike ndaj popullsisë shqiptare në viset e tyre pushteti grek vendosi gjendjen e shtetrrethimit dhe ndalimit të qarkullimit të shqiptarëve jashtë juridiksionit të fshatit apo qytetit të tyre. Autoritetet ushtarake dhe administrata civile filluan të shpronësojnë popullsinë myslimane shqiptare dhe të ushtrojnë dhunë mbi ta për ti detyruar që të shpërngulen. Nga ana tjetër popullsinë shqiptare ortodokse e shtërngonin të mohonin përkatësinë kombëtare shqiptare dhe të pranonte entittein helen dhe të deklarohej greke. Për të shtypur qendresën e shqiptarëve u ndërmoren masa të egra terrori dhe u shkatërruan qindra shtëpi në fshatrat e Çamërisë.
Ne lidhje me këtë çështje F.S.Noli ka shkruar se “fati i shqiptarëve të provincës së Çamërisë, nuk ndryshon nga ai i Kosovarëve, s` është veç se një ribotim i tragjedisë në tre akte: ç´ pasurim, ç`përngulje, ç`farosje”.

Masakrat pas luftërave ballkanike

Në rrethana të tilla shoqërore, qe ka të bëjë me luftërat ballkanike ku fqinjet tanë, sllavët e grekët, pushteti grek masakronin popullsinë shqiptare, ajo ishte e detyruar të shpërngulej për të mbijetuar. Por grekët nuk u ndalën me kaq por por me 1913-14 kaluan kufirin jugor të Shqipërisë, duke bërë masakra të pa para duke djegur fshatra e vrarë popullsinë vendase, kryesisht ate të përkatësisë myslimane. Ne popull dhe në historiografi njihen si: Masakra e grekëve në Panarit, Masakra e grekëve   në Hormovë, Masakrat e grekëve në Frashër, Masakrat e grekëve në Kolonjë etj.
Krimet e grekëve në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 kanë një emërtim e me të drejtë quhet Gjenocid për pastrim etnik nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit të popullsisë civile.  Pasqyrimi i krimeve greke ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore deri në vitet 1920 nga autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha titujt e artikujve, në gazeta e libra te botuara që bënin fjalë për këto krime, dënuar dhe cituar dukshëm krimet e Greqisë.

Konferenca e Parisit vulosi padrejtësinë

Nga ana tjetër gjatë Luftës së Parë Botërore e pas saj shqiptarët menduan se gabimet e mëparshme nga Konferenca e Londrës(1913) do të përmirësohen, por ishte vetëm iluzion, sepse në Konferencën e Paqës e Versajës në Paris(1919-1920), nuk u miratuan kërkësat e shqiptarëve, për bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Kemi të bëjmë me vulosjen e përseritur të padrejtësisë kundër shqiptarëve, sepse Shqipëria ishte dhe është edhe sot vendi i vetëm i cili kufizohej me popullsinë e vet shqiptare. Por, edhe në vitët pasuese keqtrajtimi i popullsisë shqiptare nga qeverisja greke do të vijoj në të dy anët e kufirit, qe ndikoj në emigrimin e saj, qe dëshmohet nga të dhënat statistikore të kohës(6).

Traktati i Lozanës(1923)

Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha e të Lidhjes së Kombëve, më 30 janar 1923, u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në sajë të këtij Traktati pushoi zyrtarisht konflikti qe kishte ekzistuar midis Perandorisë Osmane dhe aleatëve: Perandoria Britanike, Republika Franceze, Mbretëria e Italisë, Perandoria e Japonisë, Mbretëria e Greqisë dhe Mbretëria e Rumanisë, që nga mbarim i Luftës së Parë Botërore. Traktati u ratifikua nga Turqia me 23 gusht 1923, nga Greqia më 25 gusht 1923, nga Italia më 12 mars 1924, nga Japonia më 15 maj 1924, nga Britania e Madhe më 16 korrik 1924.Traktati hyri në fuqi më 6 gusht 1924, kur instrumetet e ratifikuara u depozituan zyrtarisht në Paris(Francë).
Ndonëse ishte Traktat paqeje, pikë referimi kishte shkëmbimin e popullsisë turke në Greqi me ate greke në Turqi. Në lidhje me këtë çështje u vendos të formohej një komision i Lidhjës së Kombëve për të ndjekur zbatimin e dispozitave të shkëmbimit me disa nënkomisione. Sipas marrëveshjes, duke filluar nga 1 maji 1923, duhej të kryhej shkëmbimi i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks, grekëve të vendosur në tokat turke me shtetasit grekë të besimit mysliman të vendosur në tokat greke.Edhe pse të dy palët ranë dakord qe nga kjo marrëveshje të përjashtonin popullsinë shqiptare qe jetonte në Greqi, por si Athina edhe Ankaraja nuk iu përmbajtjën zotimeve të tyre.

Vrasja e gjeneral Telinit

Duke marrë parasysh se si kriter për shkëmbimin e popullsisë ishte ai fetar, lejonte mundësi për abuzime, qe ka të bëjë kryesisht me popullsinë shqiptare në Çamëri dhe në viset tjera në Greqi. Nuk ka dilemë se kemi pasur të bëjmë me spastrim etnik i bazuar me kriterin fetar duke eliminuar ate kombëtar e gjuhësor qe ishte i pabazuar në të drejtën ndërkombëtare të kohës. Duhet cekur se në këtë vit Komisioni Ndërkombëtar për Përcaktimin e Kufijve ne mes Shqipërisë e Greqisë, pati pengesa nga ana e grekëve, sepse ata nuk ishin të kënaqur me qendrimin parimor në favor të drejtësisë nga gjeneral E.Telini, i cili ishte në rolin e kryetarit të Komisionit. Pikërisht nga një qendrim i tillë ati dhe grupit shoqërues iu bë atentat me 27 gusht 1923, në rrugën Janinë-Kakavi, duke i vrarë të pesë anëtarët e komisionit. Ndaj vrasjës së tillë pati reagim ushtarak nga ana e Italisë, të cilët pushtuan Korfuzin dhe vranë 65 qytetarë si hakmarrje ndaj likuidimit të anëtarëve të komisionit.
Kundër veprimeve të padrejta të Traktatit të Lozanës, qe kishte të bënte kryesisht me popullsinë shqiptare të Çamërisë janë shquar diplomatët shqiptarë si Mit`hat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, Benoit Blinishti, konsull i përgjithsëm i Shqipërisë në Gjenevë dhe Mehdi Frashëri, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve.

Roli negativ i klerikëve

Ndonëse nuk kishte dilema se popullsia me përkatësi fetare myslimane në Çamëri ishte shqiptare, kishte tentime për manipulime nga qeveritarët grekë, të cilët kishin arritur të bëjnë për vete klerin mysliman, hoxhallarët dhe myferinjtë shqiptarë. Këta kishin mision që të bëjnë propagandë qe shqiptarët të shpërngulen në Turqi. Pikërisht në lidhje me këtë çështje me 31 tetor 1923, 22 përfaqësuese të krahinave të ndryshme të Çamërisë i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të ndërhynte pranë qeverisë turke për të mos pranuar në Turqi shqiptarë të mashtruar nga propaganda e këtyre klerikëve të shitur. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë realizohej me skenar të qeverisë greke, ku klerikët e tillë si “myftiu i Filatit dhe ai i Gumenicës vepronin duke gënjyer popullin që të mos rrefejnë se janë shqiptarë”.

Spastrimi etnik i hapësirës shqiptare

Në këtë situatë të pasigurt për jetën, masave shtërnguese dhe poshtëruese të marra nga qeveria, rekrutimit dhe përvetësimit me forcë të pasurive dhe të te ardhurave, filloi shpërngulja e dhunshme dhe boshatisja e viseve të tëra me popullsi shqiptare si e Konicës,Fallorinës, Kosturit, Janinës, Prevezës etj.
Sipas të dhënave për vitët 1920-1926, gjatë shpërnguljeve me dhunë u dërguan me forcë në Turqi, 35000 shqiptarë, banorë të 24 krahinave të Kosturit dhe të 14 fshatrave të Follorinës, si dhe 55000 shqiptarë myslimanë të Epirit(Çamërisë), pjesa ma e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe të Pargës. Këto qytete, qe deri në atë kohë kishin mbajtur të gjallë frymën kombëtare, me shpërnguljen e popullsisë shqiptare myslimane në Anadoll, filluan të asimilohen.
Të përzënë prej trojeve të tyre me forcë, shqiptarët myslimanë u vendosën në Anadoll, ku nuk duruan dot as klimën dhe as kushtet e jetesës. Për, pasojë vdiqën në mas pleq, fëmijë e gra. Një pjesë fare e vogël mundi të kthehej në Shqipëri, ndërsa të tjerët iu nënshtruan vuajtjeve dhe mjerimit në tokat e shkretan të Anadollit.

Izmiri kryeqendra e shqiptarëve të Çamërisë

Vetëm në zonën e Izmirit e qytetet përreth, si Meneme, Saqe, Çesme,Menisa etj., u vendosën mbi 2000 familje çame. Sot Izmiri konsiderohet kryeqendra e shqiptarëve të Çamërisë në Turqi.Popullsia e dëbuar me forcë u vendos kryesisht në rajonin e Stambollit, Izmirit, Bursës,Kasierit, Konjas, Ankarasë, Samsunit etj.

Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga vendbanime të ndryshme në Çamëri, për në Turqi, ndikoj dukshëm në dekompozimin e popullsisë, sepse vendbanimet shqiptare pësuan rënie të numrit të banorëve, por në vend të tyre u vendos popullsia greke e ardhur nga Azia e Vogël.Kemi të bëjmë me kohën e kolonizimit dhe të shkombëtarizimit të shqiptarëve sipas strategjisë se politike greke të helenizimit të kësaj krahine.

Angazhimi i ambasadorit Mit´hat Frashëri

Mit`hat Frashëri në cilësinë e ambasadorit fuqiplotë të Shqipërisë në Greqi(1923-1926) i kushtoi vëmendje rolit që duhej të luante shteti dhe diplomacia shqiptare në trajtimin dhe në zgjidhjen e çështjeve që preokuponin minoritetin shqiptar në Greqi. Ai bëri përpjekje të vijueshme për ta bërë efektive veprimtarinë e MPJ të Shqipërisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore në këtë drejtim. Për këtë qëllim, ai, veç takimeve direkte që pati me autoritetet shqiptare, dërgoi mbi 280 informacione dhe raporte, në të cilat informonte për gjendjen e shqiptarëve në Greqi, qëndrimin e autoriteteve greke ndaj tyre etj. Në të njëjtën kohë ai propozoi masa konkrete që duheshin marrë nga shteti për të ndaluar pasojat negative që kishin për Shqipërinë dhe shqiptarët veprimet dhe politika e shtetit grek. Ai mendonte se ishte e domosdoshme të shfrytëzohej më mirë autoriteti i Lidhjes së Kombeve në interes të çështjes shqiptare.
Në një letër drejtuar kryetarit të Republikës, Ahmet Zogut, më 4 nëntor të vitit 1925, ai theksonte se “Punët tona në Shoqatën e Kombeve sa vete po shtohen dhe e shoh fort të nevojshme që në Gjenevë të emërohet një zyrtar i zoti me vullnet të madh që të dijë mirë punët e Shqipërisë”.
Gjithashtu ai sugjeronte që qeveria shqiptare të bënte më shumë presion ndaj Athinës për të ndërprerë veprimet e dhunshme ndaj shqiptarëve dhe të kërkonte njohjen e zbatimin e të drejtave të tyre të ligjshme.
Për të detyruar autoritetet greke të ndryshonin qëndrim ndaj shqiptarëve, ai i sugjeronte ministrit të Jashtëm, H. Vrionit, të merreshin masa reciproke ndaj minoritetit grek në Shqipëri, si ndalimi i minoritarëve për të votuar, t’u ndalohej shitja e pasurive të patundshme, t’u sekuestroheshin shtëpitë e në vend të tyre të futeshin refugjatët çamë të përzënë nga Greqia. Ai propozonte që t’i kërkohej qeverisë greke që të këmbeheshin grekofonët me çamët e Epirit etj.
Në pamje të parë masat e propozuara nga Mit`hat Frashëri duken si ekstreme dhe të rrepta, por, – siç theksonte ai, – nuk duhen vlerësuar si të tilla pasi ishin kopjuar besnikërisht nga masat që zbatonte Greqia ndaj shqiptarëve.

Ndërprerje e shpërnguljes

Por, pas shumë memorandumesh e protestave nga shteti shqiptar dhe nga popullsia çame, procesi i shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi në vitin 1926 u ndërpre. Në këtë kohë rol pozitiv luajti qendrimi i kryetarit të shtetit grek Theodoros Pangallos, i cili deklaroi zyrtarisht përpara Lidhjës së Kombëve në Gjenevë se “Republika Greke njihte minoritetin shqiptar qe jetonte në Greqi dhe nuk i konsideronte më shqiptarët myslimanë si popullsi turke”.

Çështja çame ende e pazgjidhur

Kemi të bëjmë me një periudhë të veçantë kur në shtetin grek filluan të respektohen disa të drejta të shqiptarëve në këtë vend. Por, këto të drejta ishin minimale dhe të përkohshme sepse më vonë, shqiptaret në Greqi, do të përjetojnë urrejtje patologjike. Një qendrim i tillë u dëshmu në fund të Luftës së Dytë Botërore e ate në vitin 1944-1945, ku u masakruan nga Zerva dhe mbeshtetësit shovinist, ndërsa ata qe shpëtuan u shpërngulën për në Shqipëri. Ishte kjo goditja vendimtare nga ana greke për të realizuar spastrimin etnik në Çamëri nga popullsia shqiptare.

Konventa jugosllave-turke(1938)

Për këtë periudhë kohore shpërngulja e shqiptarëve nuk ishte e definuar vetëm në Greqi për shkëmbim të popullsisë me Turqinë, por janë realizuar edhe konventa tjera të veçanta. Fjala është për Konventën Jugosllavo-Turke e cila u përgatit në vitin 1938.
Kontaktët e para shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi në mes Jugosllavisë e Turqisë filluan në vitin 1926. Deri më 1933 këto kontakte do të paraqiten në një platformë të re drejt përgatitjes së terrenit për spastrim të përgjithshëm etnik.
Veprimtaria politike konceptuale për hartimin e Konventës Jugosllavo-Turke ishte zhvilluar në Stamboll nga data 9.6.-11.7.1938. Atje ishin mbajtur tetë seanca, ku palët ishin marrë vesh për shpërnguljen e 40.000 familjeve shqiptare. Nënshkrimi i Konventës Jugosllavo-Turke u bë me 11 korrik 1938, me kusht qe të fuqizohej pas ratifikimit nga ana e të dy parlamenteve.
Sipas kësaj konvente parashihej që gjatë viteve 1939-1944 në Turqi të shpërnguleshin rreth 400.000 shqiptarë, të cilët do të vendoseshin në shkretëtirat e Anadollisë. Përveç vendbanimeve në Kosovë në planin e shpërnguljës ishin paraparë edhe vendbanime nga Maqedonia dhe ana e Preshevës. Sipas konventës parashihej të realizohej shpërngulja me dinamikë të veçantë sipas vitëve përkatëse, ku më parë do të shpërnguleshin shqiptarët e këtyre rretheve:Peja, Gjakova, Prizreni, Kaçaniku, shkupi, Tetova, Kumanova, Presheva, Gjilani, Kërçova, Dibra, Struga, Ohri, Manastiri, Prishtina dhe Ferizaj. Shpërngulja duhej të bëhej me dhunë.
Konventa Jugosllavo-Turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll paraqet gjenocidin permanent ndaj popullit shqiptar për serbizimin e Kosovës në tokat e okupuara nga viti 1912. Ky dokument nuk u ratifikua dhe nuk u zbatua ashtu si planifikohej, sepse ndryshuan raportet gjeopolitike me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, e cila i shpëtoi shqiptarët nga shpërngulja e dhunshme.

Shpërngulja e shqiptarëve pas LDB

Por, angazhimi i Jugosllavisë për të shpërngulur shqiptarët nga Kosova nuk është eliminuar as pas Luftës së Dytë Botërore(LDB). Pikërisht në lidhje me këtë çështje Jugosllavia krijoj lidhje me Turqinë, ku si qellim ishte të bëhëj riaktivizimi Konventës jugosllavo-turke e vitit 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Një ide e tillë ishte në favor të Turqisë, sepse do ti përdorte shqiptarët në luftë kundër kurdëve dhe duke i vendosur shqiptarët në kufi me ta. Në lidhje me këtë çështje gjatë vitit 1952 u zhvilluan takime në mes dy vendëve, ndërsa në vitin 1953, përveç marrëveshjeve tjera, u arrit edhe Marrëveshja “xhentëllmene” mes Jugosllavisë e Turqisë. Me këtë marrëveshje ku ishin të pranishëm Tito dhe Fuad Kuperliu-ministër i punëve të jashtme të Turqisë, do të realizohej shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova, ndërsa Turqia do të fitonte banorë vitalë dhe mjete financiare. Por, pas bisedimeve të zhvilluara në Split(janar 1953) qe ishin në dëm të popullit shqiptar, asgjë nuk u nënshkrua, andaj u qajt Marrëveshje “xhentëllmene”. Por, pavarësisht se nuk u nënshkruan marrëveshjet ne mes dy vendëve, shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova në sajë të dhunës nga pushteti jugosllav ishte dukuri e vazhdueshme. Sipas të dhënave nga viti 1944-1966, nga Kosova dhe viset tjera shqiptare në Turqi janë shpërngulur 452.371 persona.
Vetëm pas vitit 1966, në sajë të rrethanave nga Plenumi i Brioneve, situata në Kosovë ndryshoj në favor të shqiptarëve, ku u ndalua shpërngulja dhe filloi avancimi i Kosovës, në aspektin politik, shoqëror, arsimor e kulturor, që më pas do të verifikohet edhe me Kushtetutën e vitit 1974.

Përfundim

Traktati i Lozanës(1923) ishte fitore për Qeverinë e Ankarasë ne krye me Mustafa Kemalin(Ataturkun) e cila fitoi njohjen ndërkombëtare me kufijt e tashëm, fitore e cila u kurorëzua me 29 tetor 1923, me shpalljën e Republikës së Turqisë moderne. Nga ana tjetër Greqia pësoi një humbje të madhe ushtarake e politike, sepse me humbjen e luftës dhe tërheqjen e ushtrisë greke në verën e vitit 1922, u varros miti për “Greqinë e Madhe”.
Nga ana tjetër shkëmbimi i popullsisë ne mes Traktatit të Lozanës në mes Turqisë e Greqisë, mundësoi homogjenizimin kombëtar të tyre shtetëve. Kemi të bëjmë me këmbim të detyrueshëm të popullsisë në mes dy vendeve qe arriti rreth dy milion qytetarë, duke u zhvendosur nga trojet e tyre në mjedise të huaja. Në këtë shkëmbim të popullsisë më së shumti e pësuan shqiptarët në krahinën e Çamërisë dhe në viset tjera shqiptare në Greqi. Ata u shpërngulën më dhunë jashtë vullnetit të tyre, ku si kritër ishte përkatësia fetare e duke mos përfillur ate gjuhësore e kombëtare. Kemi të bëjmë me spastrim etnik të hapësirës etnogjeografike shqiptare, ku administrata greke ndryshoi edhe emërtimet e vendbanimeve shqiptare, për të humbur identitetin e tyre.
Por, në sajë të veprimit të qeverisë shqiptare me Athinën e Ankaranë u ndërpre shpërngulja e shqiptarëve në vitin 1926, duke i trajtuar çamët me përkatësi fetare myslimane si shqiptarë me përkatësi kombëtare. Por, një veprim i tillë ishte i përkohshëm, sepse shqiptarët në viset e tyre në Greqi vazhduan të ishin të diskriminuar pa të drejta qytetare e nacionale qe përfundoi me masakrën ndaj tyre në vitin 1944 e 1945 dhe shpërnguljën e të mbijetuarve e vendosjen e tyre në Shqipëri. Dhe nga ajo kohë e deri me tash çështja çame në Greqi ka mbetur e pazgjidhur e cila duhet të zgjidhet sipas standardëve ndërkombëtare.
(Kumtesa është paraqitur në Simpoziuminn shkencor ndërkombëtar ”Marrëdheniet shqiptaro-turke: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, mbajtur në Tiranë, më 15-16 nëntor 2023)