Kosova planifikon t’u ofrojë strehim deri në gjashtë muaj 20 gazetarëve ukrainas të detyruar të largohen nga vendi i tyre pas pushtimit nga Rusia, sipas një dokumenti qeveritar të parë nga Reuters të martën.
Dokumenti thotë se përparësi do t’u jepet gazetareve femra që do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).
Qeveria fillimisht do të ndajë 150,000 euro për të paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar atyre të punojnë në distancë.
Sipas Reuters, aktualisht nuk dihet se kur do të arrijnë gazetarët në Kosovë, e cila nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e BE-së, por i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Gushtin e kaluar Kosova gjithashtu ra dakord të presë përkohësisht rreth dy mijë afganë që kërkonin viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Shumica prej tyre tashmë janë larguar edhe pse disa janë ende në pritje të dokumenteve të tyre.
Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.