Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë, sipas rezultateve preliminare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka fituar 51.64 për qind të votave, ndërsa Millan Radojeviq nga Lista Serbe ka fituar 89.86 për qind të votave në Mitrovicë të Veriut.
KQZ-ja ka bërë të ditur se në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht dhe ato nga diaspora.
Dy kandidatët tjerë për pozitën e kryetarit në Podujevë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar 35.97 për qind të votave, ndërsa Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 12.40 për qind të votave.
Në Podujevë, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 40.51 për qind e votuesve, apo 35,400 persona.
Në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 3.68 për qind të votave, Dushan Millunoviq, kandidat i pavarur, ka fituar 2.92 për qind dhe Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 3.54 për qind të votave.
Në Mitrovicë të Veriut është thënë se kanë votuar 39.14 për qind e votuesve apo 9,124 persona.
Mandati i kryetarëve të rinj do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021.
Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti