Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha në një intervistë sot se ai pa një “analogji të ngushtë” midis presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq, i cili u akuzua për krime lufte.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Johnson është pyetur nëse Putini është një kriminel lufte dhe a duhet që Perëndimi të aspirojë ta vendosë këtë kriminel lufte përpara një gjykate ndërkombëtare, si gjyqi i Millosheviqit apo i Nurembergut.
Dhe në këtë drejtim, kryeministrit britanik ka thënë se ajo që ai sigurisht beson është se ka një analogji të ngushtë midis sjelljes së Putinit dhe viteve të fundit të Slobodan Millosheviqit.
“Është shumë interesante që të dy liderët kishin qenë në pushtet për një kohë të gjatë, të dy gjithnjë e më autokratikë, që të dy kërkonin të forconin pozicionin e tyre të brendshëm dhe gjetën një kauzë të madhe nacionaliste”.
“Sllobodan Millosheviqi identifikoi vendlindjen e nacionalizmit serb, në të vërtetë kombin serb, në Fushë Kosovë, dhe ai e frymëzoi popullin e tij me këtë ide të keqe se ai duhej të shpëtohej dhe të çlirohej”.
“Ekziston një lloj analogjie shumë e ngushtë midis këtij gabimi katastrofik dhe asaj që presidenti i Rusisë ka thënë për Kievin dhe origjinën e fesë, kulturës dhe qytetërimit rus dhe objektivave të tij në Ukrainë”.
Ndërsa kur bëhet fjalë për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, kryeministri britanik ka shtuar se kjo është një çështje e tyre.
“Do të duhej të ishte mbledhja e provave. Nëse ka prova të përdorimit të municioneve të paligjshme, bombave thërrmuese, armëve me tytë, kjo do të duhet të sillet qartë në Holandë”.
Ndryshe, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, një krahasim ndërmjet Putinit dhe Millosheviqit kishte bërë edhe në një fjalim drejtuar vendit, ditë më parë, ku ka folur rreth sulmit rus në Ukrainë.
Johnson ka krahasuar agresionin e Putinit në Ukrainë me atë të Millosheviqit në Kosovë në vitet 1998/99.