Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, në vizitën që ia bëri Komunës së Plavës

Për faqet e gazetës KOHA JAVORE

Shaban Hasangjekaj

Markoviq-VLERËSON LARTË PUNËN E UDHËHEQËSISË SË RE TË QEVERISJES LOKALE

Plavë – Kryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dushko Markoviq, në vizitën njëditëshe të punës, që ia bëri Komunës së Plavës, të mërkurën më 9 tetor, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për punë publike, Reshad Nuhoxhiq, ka inspektuar disa kantierë ndërtimi (punishte), në këtë komunë, ku nga buxheti kapital i Qeverisë, janë duke u kryer punë me vlerë rreth 6 milion euro, dhe me atë rast ka shprehur kënaqësinë mbi rrjedhën e punëve dhe bashkëpunimin me udhëheqësinë e re të qeverisjes lokale, duke theksuar se koalicioni qeverisës lokal funksionon vërtetë mirë dhe në harmoni të plotë, që për rezultat ka bashkëpunimin e shkëlqyer me Qeverinë dhe punën e përbashkët në planifikimin dhe realizimin e shumë projekteve të rëndësishme.

                “Këtu, pra në Plavë, kam qenë në muajin mars të këtij viti, dhe kam pasur takim me kryetarin e komunës, Mirsad Bajraktareviq, dhe ekipin e tij. Kemi bërë atëherë analizën e rrjedhave që ndodhin në Plavë, të cilat nuk i përcjellë vetëm nevoja për zhvillim dhe investim, por edhe për përmirësimin e financave publike lokale. Atëherë, kemi premtuar se rrethanat në Plavë do të ndryshojnë, dhe se Plavës do t’i japin përmbajtje të re dhe vrull të ri investues, dhe natyrisht, do të veprohet në stabilizimin e financave publike lokale si përkrahës i fuqishëm në orientim të tillë të Qeverisë. Dhe, nëse ju kujtohet, po ashtu kam thënë se rregullisht do të vij në Plavë, dhe do të përcjelli se çka në Plavë ndodhë. Për këtë, jam sot këtu, kah fundi i këtij viti, kur përfundon sezoni i ndërtimit”, ka theksuar kryeministri Markoviq, në deklaratën e dhënë gazetarëve, në fund të vizitës, në platoun e sheshit në ndërtim në lagjen “Racina”, ku më parë ka zhvilluar bisedë të lirë me shumë qytetarë të Plavës, të cilët kishin ardhur për ta përshëndetur, por edhe falënderuar për investimet e konsiderueshme, të ndara nga buxheti kapital, për realizimin e ca projekteve, vërtetë të rëndësishme, në infrastrukturën gjithëpërfshirëse të komunës.

                Në orët e pasdites, kryeministri Markoviq, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Plavës, Mirsad Bajraktareviq, nënkryetarët e komunës: dr. Bllazho Stijoviq e Nihad Canoviq, kryetari i Kuvendit të Komunës, Shefket Jevriq dhe drejtori i Drejtorisë për punë publike, Reshad Nuhoxhiq, ka dalë në teren dhe ka inspektuar punët në fazën e parë në rrugën rajonale Plavë – Vojno Sellë – Guci, të vlershme 850 mijë euro, ato në rikonstruksionin e rrugës së Përrnjavorit, në vlerë të tërësishme prej rreth 670 mijë euro, si dhe punët në ndërtimin e sheshit të ri të qytetit në lagjen “Racina” të vlershme rreth gjysmë milion euro.

                “Sendërtuesi i punëve, ka garantuar se për afro 20 ditë do të përfundojë pjesën e parë të saj, dhe siç e dini, veç e kemi zgjedhur ofertuesin për pjesën e dytë të rrugës, në vlerë prej 3,5 milion euro. Pra, të sigurt shkojmë në përfundimin e atij objekti infrastrukturor për Plavë dhe Guci”.

                Kryeministri Markoviq, në vazhdim tha se “njëkohësisht kemi inspektuar bashkë edhe punët në infrastrukturën e komunikacionit në qytet – në rrugën e Përrnjavorit dhe atë “Ribarska”, si dhe ato në një hapësirë impozante – sheshin e ri të ardhshëm të Plavës, i cili do të jetë segment i ri i qytetit. Besoj se ky shesh do t’i tubojë të gjitha forcat e reja progresive të të rinjve. Pra, po vëreni se Qeveria me orientimin e vet për zhvillim të Veriut, nuk ka prioritete të veçanta, por në fokus është i tërë Veriu. Pra, jemi në çdo komunë. Gjithkund punohet. Besoj se infrastruktura është parakusht i zhvillimit dhe i vendeve të reja të punës. Mendoj se me orientimin e tillë, e kemi vërtetuar në këto dy vite e gjysmë sepse kemi zvogëluar shkallën e papunësisë përmbi 8%, dhe natyrisht, kemi hapur në mijëra vende të reja pune”, ka konfirmuar kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

                Përfaqësuesit e stafit udhëheqës të qeverisjes lokale, kryetari i Komunës, Mirsad Bajraktareviq, dhe kryetari i Kuvendit të Komunës, Shefket Jevriq, publikisht, në prezencën e gazetarëve, por edhe të qytetarëve të pranishëm, i kanë shprehur kënaqësi dhe falënderim të sinqertë, kryetarit të Qeverisë së Malit të Zi, z. Dushko Markoviq, për komplimentet dhe vlerësimet e larta në punë, për vizitën e dytë në këtë vit, si dhe për mbështetjen dhe përkrahjen e parezervë në shumë segmente.

                Në pyetjen e gazetarëve, se cilat projekte janë duke u realizuar në Plavë këtë vit? Kryetari i Komunës së Plavës, Mirsad Bajraktareviq, është përgjigjur: “Në Plavë momentalisht janë aktivë gjashtë kantierë ndërtimi (punishte). Në vazhdë është rregullimi i deponisë së hedhurinave në Komoraçë, rikonstruksioni i rrugës së Përrnjavorit, ndërtimi i parmarëve (mureve mbështetëse), të rrugës “Ribarska”, ndërtimi i rrugës rajonale, Plavë – Vojno Sellë – Guci, ndërtimi i sheshit të qytetit në lagjen “Racina”, kurse Ministria e arsimit është në fazën e përfundimit të punëve në objektin e ri të shkollës fillore pesëklasëshe në Vojnë Sellë, e cila është paralele e ndarë fizike e Shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq” të Plavës.

                Vlera e tërësishme e investimeve, në realizimin e projekteve të sipërpërmendura, të cilat nga buxheti i vet kapital i ka siguruar Qeveria e Malit të Zi, përmes Drejtorisë për punë publike, kapin shumën prej afro 6 milion euro, dhe se edhe në periudhën e ardhshme, në stafin e ri të udhëheqjes së qeverisjes lokale, do të ketë partner të sinqertë me të cilin do të avancojë standardin e jetës në Plavë”.

                Në fund, kryeministri Markoviq dhe stafi udhëheqës i qeverisjes lokale, janë dakorduar se prioritet në të ardhmen duhet të jenë investimet e projekteve: Ndërtimi i rrugës ndërshtetërore Plavë – Bogiqevicë – Deçan, dhe valorizimi i Liqenit të Plavës.