Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel gjatë një takimi sot virtual janë pajtuar që dialogun me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë kosovare ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të jetë i drejtë dhe i ndërtuar mbi mirëbesim dhe se pavarësia e Kosovës nuk mund të jetë temë e bisedimeve.
Kurti po ashtu ka thënë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe se ai ka marrë konfirmimin e kancelares Merkel për mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë.
Postimi i plotë:
Sot pata një takim virtual me kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.
E falënderova kancelaren për takimin dhe letrën e urimit me rastin e zgjedhjes kryeministër, dhe përkrahjen e ofruar aty për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj, teksa pranova urimet e saj për fitoren plebishitare.
Gjatë bisedës e sigurova kancelaren Merkel për përkushtimin tonë në realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës nëpërmjet përfshirjes së afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani. Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, kancelarja theksoi se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, u pajtuam se ai duhet të jetë dialog i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe që për rezultat duhet të ketë njohjen reciproke, kurse shtova se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve – nuk mund të kthehemi para vitit 2008.
Biseduam edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, theksova se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralelel me demokratizimin e rajonit.
Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara. Në takim, mora konfirmimin e kancelares Merkel për mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.